Einxhel Shkira dhe Dj Dagz do të bëhen prindër për herë të parë. Pasi moderatorja ironizoi mediat që raportuan se ishte në një pritje të ëmbël, ajo e konfirmoi për herë të parë se në fakt lajmet ishin të vërteta. Prej shumë muajsh ajo po përflitej për një shtatzëni, megjithatë moderatorja jo vetëm e kishte mohuar këtë lajm, por edhe nuk i ka kursyer ironitë në rrjetet sociale.
Por duket se pasi ka kaluar rreth 20 javë nga shtatzënia e saj, moderatorja e ka zbuluar së bashku me videon ku shfaqet me partnerin e saj, më të lumtur se kurrë, por duket se fëmija që do të vijë në jetë do t’ia ndryshojë planet të dyve. Ndonëse aktualisht po vijojnë të jetojnë mes Prishtinës dhe Tiranës, duket se çifti i ka idetë e qarta tashmë për të jetuar në Tiranë.
Para se të vijë në jetë fëmija i tyre, Dagz do të shpërngulet përfundimisht në kryeqytetin tonë, por natyrisht duke mos i lënë pas edhe vizitat e shpeshta që do të ketë në Prishtinë për familjen, por edhe për punën e tij. Nga ana tjetër, planet e Einxhel për televizion do të duhet të presin edhe pak, pasi tashmë një tjetër përgjegjësi e pret atë. Natyrisht që edhe martesa është në planet e kësaj dysheje që treguan se lidhja e tyre ishte më shumë se lojë.
E nëse ndodh që çifti të celebrohet, Dagzi do të marrë pasaportën shqiptare, një dëshirë që ai kishte shprehur që brenda “Big Brother”.
Pas lajmit të shtatzënisë, shumë është përfolur nga mediat edhe raporti që Einxhel ka me familjen e të dashurit të saj. Mediat kosovare shkruan se lajmi u mbajt gjatë privat, për faktin se familjarët e Dj nuk ishin dakord, për kohën e shkurtër që kishin si çift, por edhe për faktin që Einxhel është disa vite më e madhe se DAGZ. Por duket se nuk është kështu, moderatorja gëzon raporte të shkëlqyera me familjen e partnerit të saj, aq sa ka publikuar edhe bisedat me kunatën e saj.
Dyshja kanë folur së fundmi në një intervistë ekskluzive për “Pushime On Top” se si e kanë pritur lajmin e shtatzënisë dhe reagimi i prindërve të çiftit kur morën vesh se do të bëhen gjyshër.
Dagz ka treguar se familjarët e tij kanë “fluturuar” nga gëzimi, ndërsa Einxhel tha se më të vështirë e kishte t’ia thoshte këtë lajm babait të saj, i cili nuk e priste një gjë të tillë të ndodhte kaq shpejt.
“Kur e morën vesh prindërit kanë fluturuar nga gëzimi. Unë kam kohë që i them motrës kur do e bësh një fëmijë”, u shpreh Dagz.
“Për momentin, duke qenë se Dagzi është gjatë gjithë kohës në lëvizje në udhëtime pune, unë kam jetuar në Tiranë, ndërsa Dagzi vjen shumë shpesh, unë kam shkuar më radhë në Kosovë”, shtoi Einxhel.
“Isha pak e ndrojtur, sepse asnjëherë babi nuk ka kërkuar nga unë që të jem vajza që martohet e bën fëmijë. Ai nuk e ka konceptuar që do të bëhem me fëmijë kaq shpejt. Ishte një emocion shumë i veçantë ndarja e këtij lajmi me të dhe ishte personi më i vështirë që mund t’ia thosha”, përfundoi ajo. Kur Einxhel iu desh një kohë e gjatë ta pranonte publikisht këtë lajm, Monika Lubonja e ka “nxjerrë zbuluar” duke bërë me dije gjininë e fëmijës.
“Jam e bindur që po vjen princesha juaj”, ka shkruar aktorja krahas videos së Einxhel dhe Dagz.
Megjithatë, vetë Einxhel reagoi, duke bërë me dije se e vetmja që e dinte gjininë ishte motra e Dagz. Për sa i përket gjinisë së fëmijës, Einxhel tha se kanë dëshirë që gjininë e fëmijës ta zbulojnë në një festë me të afërmit e tyre.
“Gjininë nuk e dimë, do ta ndajmë me gjithë njerëzit e afërt, të bëjmë një festë. Për pushimet po presim sa të lirohet Dagzi nga puna, i kemi bërë disa pushime, por do të ketë sërish”. Për sa i përket çiftit ata treguan se e morën me sportivitet situatën dhe nuk janë shqetësuar aspak, madje bënin shaka me njëri-tjetrin.
Einxhel tregoi se fansat duket se ia kanë manifestuar këtë gjë pasi të gjithë i shkruanin që të bënin një fëmijë dhe kjo gjë dukej e pamundur për dyshen.
Ata treguan se edhe brenda shtëpisë së BBV e kishin diskutuar një gjë të tillë dhe Dagz i kishte thënë Einxhelit se do të bënte një tatuazh për të kur ta bënte baba.
“Unë me llogaritë e mia e di se kur ndodhi, por le të mbetet private kjo gjë. Gjithë kohës kemi qenë bashkë, nëse ka një person që e kam ndarë më së shumti këtë gjendje është Dagz. I kam thënë që dyshoj që ‘jemi’ shtatzënë”, tha moderatorja.
“Si ndjenjë është shumë e veçantë, unë prapë nuk e kisha shumë të besueshme derisa e dëgjova rrahjen e zemrës”, tregoi artisti.
“Është shumë interesante se ne jemi të dy njerëz sportivë, i marrim gjërat me sportivitet. Kur isha në Kosovë nuk isha mirë nga ana shëndetësore dhe motrës së Dagzit i thashë më duket se po të bëj hallë. Por testin e bëra shumë vonë. Njerëzve të afërt ua kemi thënë. Ka qenë shumë e çuditshme kur fansat na shkruanin kur do bëni fëmijë dhe unë e shihja shumë të pamundur dhe i thosha Dagzit ‘ca thonë këta’. Megjithatë, që në BBV ne e kemi folur si gjë dhe Dagz më ka thënë që në BBV do të bëj një tatuazh kur të më bësh baba”, u shpreh Einxhel.