MENU
klinika

Thirrja e Dua Lipas

“Rinia e Kosovës meriton të drejtën e liberalizimit të vizave”

06.08.2022 - 19:11

Dua Lipa, këngëtarja me famë botërore ka bërë sërish thirrje për liberalizimin e vizave të Kosovës. Ashtu si në konferencën për shtyp të së enjtes këngëtarja këtë herë përforcoi apelin e saj përmes një postimi në Instagram.

Thirrja për liberalizim është moto për edicionin e këtij viti të “Sunny Hill Festival”, që organizohet në Prishtinë nga familja Lipa. Një ditë më parë presidentja Vjosa Osmani i dha titullin “Ambasadore Nderi” Dua Lipas, në ceremoninë ku morën pjesë edhe bashkëshorti dhe dy vajzat e presidentes. Pas marrjes së titullit, Dua Lipa tha se është nder dhe privilegj ta përfaqësojë Kosovën në të gjithë botën.

Në Instagramin e saj ajo ka shkruar: “Dje pasdite mora titullin Ambasadore Nderi e Kosovës nga presidentja jonë Vjosa Osmani. Është nder dhe privilegj të jem në gjendje të përfaqësoj vendin tim në të gjithë botën dhe të vazhdoj punën dhe përpjekjet e mia globalisht për të lënë shenjë dhe të bëjmë një ndryshim. Rinia e Kosovës meriton të drejtën e liberalizimit të vizave, lirinë për të udhëtuar dhe për të ëndërruar të mëdha”.