Autori i plagosjes së një 45-veçari në qytetin e Kuçovës është shpallur në kërkim nga policia. Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së shtunës, ku shtetasi Admir Bejo, me precedentë penalë, ka marrë disa plagë nga të shtënat me armë zjarri.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kuçovë, në vijim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në lagjen “1 Maji”, Kuçovë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi A.B, bënë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të ngjarjes, ku për arsye hetimi nuk bëjmë me dije gjeneralitetet e tij. Vijon puna nga ana e shërbimeve të Policisë, për kapjen e autorit”, sqaroi Policia e Beratit.
NGJARJA
Ka qenë ora rreth 19:30 minuta të mbrëmjes së të shtunës kur, kur 45-vjeçari Bejo është gjetur i plagosur me armë zjarri nga kalimtarë të rastit, të cilët e kanë transportuar për në Spitalin rajonal të Beratit për ndihmë mjekësore. Policia tha se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Fillimisht, ngjarja u mbulua me mister, por disa orë pas plagosjes, Policia identifikoi autorin dhe zbuloi edhe arsyet. Në vendin ku u gjet i plagosur 45- vjeçari, janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 7.62. Ndërsa ende nuk dihet identiteti i autorit për arsye hetimore, policia tha se ai është fqinj me viktimën dhe para ngjarjes ka pasur një konflikt midis tyre për motive të dobëta.
ZBARDHJA E NGJARJES
Ka qenë vëzhgimi i kamerave të sigurisë së bizneseve dhe banesave në rrugën kryesore të lagjes “1 Maji” të Kuçovës, ato që kanë ndihmuar hetuesit të zbardhin ngjarjen dhe për pasojë edhe të identifikojnë autorin. Pavarësisht se me precedentë penalë, ngjarja nuk ka lidhje me të shkuarën e të plagosurit. Ka qenë një konflikt i çastit midis autorit të dyshuar, shtetasit me iniciale E.R. lindur në vitin 1986, dhe Bejos që ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarrit. Autori banon rreth 200 metra larg vendit ku u gjet i plagosur 45-vjeçari. Konflikti është regjistruar në banesën e të dyshuarit për arsye të paqarta dhe më pas, ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë. Pasi është qëlluar brenda banesës, Bejo ka dalë në përpjekje për t’u larguar dhe më pas është qëlluar edhe me dy plumba në ambientet e jashtme të ndërtesës. Pasi ka ecur disa metra, 46-vjeçari ka rënë në tokë, pikërisht në vendin ku u gjet i shtrirë nga një kalimtar i cili njoftoi dhe policinë. I plagosuri është konsumator i rregullt i lëndëve narkotike dhe për këtë arsye merrte edhe para borxh, duke mos ua kthyer apo duke i mashtruar. Në të njëjtën kohë, 45-vjeçari ishte person konfliktual. Plagosja e Bejos nuk ka lidhje me larje hesapesh për ngjarjen e ndodhur në vitin 2007, kur ai dhe vëllai i tij Ilija Bejo plagosën me armë duke dalë nga hyrja e pallatit dy vëllezërit Kundja.