MENU
klinika

Dinamika e atentatit mafioz

Si u vranë dy persona në Vlorë?

19.08.2022 - 11:33

Një atentat i stilit mafioz shkaktoi dy të vrarë gjatë ditës së djeshme në zonën e Vlorës.

Një automjet tip “Benz” që udhëtonte nga Vlora në drejtim të Fierit, ra pritë e një breshërie plumbash, duke vrarë në vendin e ngjarjes dy personat që ishin brenda tij.

ATENTATI

Ka qenë ora 09:50 minuta, kur automjeti me të cilin udhëtonin Geno alias Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, u përballën me breshërinë e plumbave të kallashnikovit. Autorët, të cilët dyshohet se kanë qenë të paktën tre, pritën viktimat në dalje të fshatit Panaja, në aksin nacional Vlorë-Fier, duke qëlluar fillimisht me armë zjarri në drejtim të shoferit dhe më pas nga ana e xhamit të përparmë.

Nga breshëria e plumbave, 37 dhe 34-vjeçari ndërruan jetë në vendin e ngjarjes. Dhe kjo bëri që automjet tip “Benz” të përfundonte jashtë rruge në një kanal, i bërë shoshë nga plumbat. Nga hetimet, e gjithë ngjarja ka zgjatur rreth 120 sekonda, ndërsa automjeti është qëlluar për disa metra në lëvizje dhe i mbetur pa kontroll ka përfunduar në kanal. Të paktën tre persona dyshohet të kenë marrë pjesë në atentatin e mirorganizuar që rikthen ngjarjet kriminale në vend. Kjo bazohet te numri i armëve të përdorura në vrasjen e dyfishtë. Armët automatike u gjetën më pas në automjetin e djegur nga ana e autorëve të krimit të rëndë.

DJEGIA E MAKINËS

Ashtu sikurse edhe në ngjarjet e tjera kriminale, edhe gjatë ditës së djeshme, autorët që dyshohet të jenë vrasës me pagesë, përdorën të njëjtën skemë për të humbur gjurmët. Pasi derdhën dhjetëra plumba në drejtim të mjetit tip “Benz”, ata ndoqën aksin rrugor Levan-Tepelenë, për të humbur më pas gjurmët. Në fshatin Çervan, në një zonë me bimësi të dendur dhe sigurisht pa kamera sigurie, ata i kanë vënë zjarrin automjeti tip “BMW”, me të cilën janë larguar nga vendi i atentatit. Brenda automjetit, Policia tha se janë gjetur të djegura tri armë automatike, të cilat dyshohet të jenë përdorur në atentatin pranë fshatit Panaja. Një element tjetër që kanë zbuluar hetuesit është që automjeti i gjetur rezulton pa targa, ndërsa dyshohet të jetë i vjedhur. “Gjatë krehjes së zonës, në fshatin Çerven, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur tip ‘BMW’, pa targa, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes. Nga këqyrja paraprake e automjetit dallohen në brendësi të tij, 3 armë zjarri automatike”, sqaroi Policia

SHOQËRIMET

Të paktën tetë persona janë shoqëruar gjatë ditës së djeshme nga ana e Policisë së Vlorës pas atentatit me armë zjarri. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dëshmi domethënëse që mund të çojë në zbulimin e autorëve të ngjarjes. Në orët e pasdites, Policia dhe FNSH kanë zhvilluar kontrolle në disa banesa në qytetin e Vlorës.

Me veshje dhe ushqime, për ku ishin nisur viktimat e atentatit

Hakim Xhezo dhe Shpati Lena ishin nisur mëngjesin e djeshëm në drejtim të Lushnjës duke shfrytëzuar aksin nacional Vlorë-Fier. Xhezo ishte nisur për të vizituar në burgun e Lushnjës, vëllanë e tij, Eduart Xhezo, i dënuar me 15 vite burg për vrasje pak vite më parë. Kjo bazohet edhe në faktin se brenda automjetit të bërë shoshë nga plumbat janë gjetur rroba dhe ushqime që do të shkonin për Eduart Xhezo, i cili po kryen dënimin e dhënë nga gjykata. Duke qenë se ata kanë ndjekur edhe më herët këtë itinerar, kanë shfrytëzuar këtë moment për të vënë në veprim planin e tyre të eliminimit të dyshes me precedentë penalë. Atentatorët jo vetëm që kanë ditur itinerarin, por kanë përzgjedhur edhe zonën e duhur për të kryer porosinë, atë në një zonë të hapura, të pabanuar dhe sigurisht pa kamera sigurie.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN