Partizani vuajti shumë në sfidën e parë të kampionatit, por në fund fitoi 2-1 me përmbysje ndaj Egnatias. Sukses që erdhi në minutat shtesë të ndeshjes.
Ndeshja nisi me vrull, ku Partizani ishte më kërkues. Por në minutën e 32-të të kuqtë ndëshkohen. Menish gabon kthimin e një topi mbrapa, Rexhepi nuk shkelmon topin dhe Camaj e ka të lehtë të çojë sferën në rrjetë. 0-1 për Egnatian. Me këtë rezultat përfundon pjesa e parë.
Partizani rrit shumë ritmin në pjesën e dytë dhe shpërblehet në minutën e 56-të. Aksion nga e majta e sulmit për Partizanin, Hoti gjuan e më pas sfera devijohet me dorë nga Atanda. Gjyqtari i drejtohet VAR dhe pasi shikon pamjet, bën shenjë nga pika e bardhë e penalltisë. Hoti gjuan saktë nga pika e bardhë dhe 1-1.
Të kuqtë morën zemër dhe vijuan aksionet deri në fund për golin e fitores. Për fat, erdhi në minutën e shtatë shtesë. Skuka shënon një supergol me një gjuajtje nga jashtë zonës duke mposhtur Sherrin.