MENU
klinika

Impresionizmi. Si lindi?

Tabloja manifest nga Mone

19.08.2022 - 11:32

        “Impresion, lindja e diellit” është piktura e Klod Monesë (Claude Monet) e realizuar në vitin 1872. Edhe pse nuk është piktura e parë impresioniste, në të vërtetë impresionisti i parë ishte Eduard Mane, kjo vepër konsiderohet si manifesti i impresionizmit. Piktura u ekspozua për herë të parë në 1874, gjatë ekspozitës së parë të impresionistëve në studion e fotografit Gaspard-Félix Tournachon, i njohur ndryshe si Nadar, çka ndihmoi në njohjen e grupit të impresionistëve./Konica.al

Klod Mone pikturoi “Impresion, lindja e diellit” në 1872, siç dallohet edhe në pjesë e poshtme majtas të fotos. Megjithatë, për herë të parë tabloja u ekspozua në 1874, së bashku me pikturat e artistëve të tjerë, gjatë ekspozitës së parë impresioniste në studion e Nadarit. Ashtu si pikturat e artistëve të pranishëm në ekspozitë, edhe “Impresion, lindja e diellit” në fillim mori kritika të ashpra, në fakt termi impresionistë është marrë nga titulli i veprës dhe përdoret nga kritika në mënyrë nënçmuese.

Pavarësisht kritikave, artistët pranojnë përkufizimin e impresionistëve, i cili, sipas tyre përfaqëson më së mirë stilin. Pikërisht për këtë arsye lindja e impresionizmit i atribuohet pikturës së Monesë, por mbi të gjitha sepse ajo është një nga veprat e para në të cilën zhvillohen plotësisht të gjitha karakteristikat e rrymës artistike. Në “Impresion, lindja e diellit” përfaqësohet porti i “Le Havre” në agim. Në plan të parë dallohen tri varka peshkimi, të vendosura diagonalisht me njëra-tjetrën, ndërsa në plan të dytë, në sfond, shihen anijet dhe vinçat e mëdhenj. Në fund, majtas, ka edhe firmën e Monesë bashkë me datën e realizimit të pikturës. E gjithë skena është e mbuluar nga mjegullnaja, e ndërprerë ekskluzivisht nga rrethi portokalli i diellit që del nga uji dhe ngroh atmosferën, duke i dhënë qiellit hije të ngrohta dhe detit reflektime bojëportokalli./Konica.al

Piktura ndahet në dy pjesë: pjesa e poshtme mbizotëron uji dhe në pjesën e sipërme protagonist është qielli, në sfond me anijet të mbështjella me mjegull. Emri i pikturës është një lojë fjalësh. Në frëngjisht, impression është termi që përdoret për të treguar skicat e bëra në kanavacë para ekzekutimit të veprës aktuale, në të njëjtën kohë është sinonim i ndjesisë. Klod Mone e realizon veprën duke pikturuar jashtë, en plein air, pa krijuar më parë skica përgatitore. Ai pikturon me penelata të shpejta, të gjalla dhe me shkëlqim, në të cilat ngjyrat nuk përzihen, por thjesht kombinohen me njëra-tjetrën, aq sa është vetëm konteksti dhe vëzhgimi i veprës në një distancë të përshtatshme që të lejon ta njohësh pikturën në detaje që më vete, nuk do të njiheshin lehtësisht. Ngjyrat mbizotëruese në skenë, veçanërisht në pjesën e poshtme, janë bluja, e gjelbra dhe grija, ndërsa në pjesën e sipërme, si ngjyrë plotësuese e blusë, është portokallia, e përdorur për diellin, qiellin dhe reflektimet në ujë.

Si gjithë impresionistët, edhe Mone përdor ngjyra të kulluara dhe nuk përfshin përdorimin e ngjyrës së zezë. “Impresion, lindja e diellit”, nuk ka asnjë domethënie të fshehur, apo për ta deshifruar. Mone, nuk e krijoi për të përfaqësuar realitetin, por për të përcjellë tek shikuesi ndjenjat që provon vetë piktori duke admiruar lindjen e diellit, duke ngjallur një emocion edhe te shikuesi. Me punën e tij, Mone është i interesuar për perceptimin që syri i shikuesit ka për peizazhin e përfaqësuar. Piktura nuk është një vepër objektive, por subjektive, e cila përmes përdorimit mjeshtëror të ngjyrave dhe mjegullnajës së mëngjesit përfaqëson këndvështrimin e artistit dhe largohet nga përfaqësimi i thjesht realitetit. Në këtë mënyrë, Mone shndërron në protagonist jo peizazhin e pikturuar, por ndjesinë që peizazhi i jep artistit, të kombinuar dhe të pamundur për t’u mbyllur në kufij të përcaktuar. Piktura është ekspozuar gjithmonë në Muzeun “Marmottan” në Paris, deri në nëntor 1985, kur u vodh gjatë një grabitjeje të armatosur.

Së bashku me tablonë, u vodhën edhe tetë piktura të tjera, katër nga Klod Mone, dy nga August Renuar, një nga Bert Moriso dhe një nga Naruse, por duket se fokusi kryesor ishte “Impresion, lindja e diellit”. Pikturat u gjetën vetëm pas pesë vjetësh në Porto Vecchio të Korsikës, gjatë një negocimi shitjeje me një anëtar të Jakuzës japoneze dhe aktualisht ato janë ekspozuar sërish në Muzeun “Marmottan”./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vepra shfaqet pas 20 vjetësh

“Dora Maar” e dashur dhe muzë e Pikasos


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit