MENU
klinika

“Strehohej në një kompleks luksoz në Himarë”

VOA për arrestimin e turkut: Si mashtroi i riu mijëra persona përmes kriptovalutës

30.08.2022 - 16:29

Përfundoi sot në Shqipëri, pas më shumë se një viti, arratia e 28-vjeçarit turk Faruk Ozer, themelues i një platforme online për këmbimin e kriptovalutave, Thodex, i cili mbylli papritur aktivitetin, në prill të vitit të kaluar, pasi kishte grumbulluar një shumë prej 2 miliard dollarësh nga 391 mijë investitorë.

Policia njoftoi se Ozer, është arrestuar në zonën e Himarës. Ai mësohet se kishte marrë një vilë me qira, në një nga komplekset luksoze në brigjet e Jonit.

Ozer ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, ndërsa Gjykata e Lartë e Stambollit kishte lëshuar ndaj tij urdhër arresti në vitin 2021, për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

I riu turk, kishte mbërritur në Shqipëri më 20 prill 2021, përpara se autoritetet e vendit të tij të viheshin në lëvizje. Një ditë më pas, në platformën Thodex, investitorët lexuan një njoftim të pazakontë për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit “për shkak të një investimi të rëndësishëm”. Ky njoftim, i vuri ata në alarm, pasi nuk u mundësohej më qasja në portofolet e tyre. Më 23 prill 2021, autoritetet turke arrestuan 62 persona të lidhur me Thodex, dhe disa të tjerë u shpallën në kërkim.

Kamerat e sigurisë në aeroportin e Stambollit, kishin fiksuar 28-vjeçarin, ndërsa po linte vendin, duke marrë avionin e linjës drejt Tiranës. Autoritetet turke kërkuan menjëherë ndihmën e homologëve në Shqipëri.

Ministri i Brendshëm turk bisedoi personalisht në telefon me homologun shqiptar Bledi Çuci. Policia shqiptare arriti të zbulonte hotelin ku Ozer kishte qëndruar, pas mbërritjes në Tiranë, por ndërkohë ai ishte larguar. Edhe disa operacione të organizuara nga policia, jo vetëm në kryeqytet, dështuan pa rezultat.

Përpara se të shkonte në zonën bregdetare të Himarës, i riu turk, mësohet se ka jetuar në një shtëpi me qera në zonën e Elbasanit. Policia kishte së paku dy javë që kishte rënë në gjurmët e tij. Ajo sot ka shoqëruar dhe dy shqiptarë, banues në Durrës, për të sqaruar lidhjet e tyre me Faruk Ozerin.

I riu turk, kishte mundur të tërhiqte interesin e dhjetra mijëra personave, falë një fushate masive publicitare për blerjen e kriptovalute Dogecoin me rreth një të katërtën e e çmimit, duke premtuar ndër të tjera bonuse të ndryshme mes të tjerash dhe autovetura luksoze.

Shumë prej investitorëve duket se ishin joshur dhe nga mundësia për të investuar në monedhën vendase, “lira”, e cila ishte zhvlerësuar në minimumin historik ndaj euros dhe dollarit./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shkaktoi vjedhjen më të bujshme në historinë e Turqisë!

Kush është Faruk Fatih Ozer ‘mjeshtri’ që zhduku 2 miliardë USD