Më 4 shtator 2004 Kombëtarja shqiptare regjistroi një nga sukseset më të bukura të historisë së futbollit. Shqipëria do të startonte fushatën kualifikuese të Botërorit “Gjermani 2006” ku në stadiumin e tejmbushur “Qemal Stafa” do të priste Greqinë.
Përfaqësuesja greke sapo ishte shpallur kampione të Europës në “EURO 2004” në Portugali, duke mposhtur pikërisht këta të fundit. Kuqezinjtë tanë atë natë korrën një sukses të paharruar, ku gjunjëzuan që në ndeshjen e parë Greqinë, që pasi mori petkun e kampiones së Europës.
Shqipëria e drejtuar asokohe nga Hans Peter Brigel triumfoi me rezultatin 2-1 me golat e Muratit në minutën e tretë dhe me një eurogol të Aliajt nga goditja e dënimit. Goli i helenëve me Janakopulosin vetëm sa ngushtoi diferencat.
Menjëherë pas vërshëllimës së trefishtë, shqiptarët ishin në dëlir dhe të papëmbajtshëm teksa festimet e tyre i çuan përtej stadiumit, duke mbushur rrugët dhe sheshet e kryeqytetit.
Në Shqipëri kjo ndeshje nuk pati incidente, por në vendin grek një shtetas shqiptar me emrin Gramoz Palushi gjeti vdekjen e menjëhershme në ishullin Zakinthos teksa u sulmua nga një greko-amerikan me një thikë. Kjo për shkak se tifozi shqiptar po festonte fitoren historike të Kombëtares kuqezi ndaj Greqisë.