MENU
klinika

Firmoset kontrata 6 milionë dollarë

“Albania 1” e “Albania 2” , në hapësirë nga “SpaceX” e Elon Musk

30.09.2022 - 09:51

Shqipëria do të ketë shumë shpejt në hapësirë dy satelitë që do të monitorojnë të gjithë territorin e vendit. Këta dy satelitë do të nisen nga kompleksi “Cape Canaveral” në Florida.

Vlera e kontratës së nënshkruar me kompaninë “Satellogic US” kap vlerën e 6 milionë dollarë.

Marrëveshja u firmos dje në Kryeministri ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe operatorit “Saterllogic USA Inc”. Pritet që javën e parë e dhjetorit Kryeministrin Edi Rama dhe themeluesi i “SpaxeX”, Elon Mask, do të shtypin butonin për t’i dhënë start nisjes në hapësirë të dy satelitëve “Albania 1” dhe “Albania 2”.

Kryeministri Rama i pranishëm dje në prezantimin e planit të shërbimit satelitor vuri në dukje se tanimë do të kemi “një kryeinspektoriat në qiell”, i cili ka një sy që i sheh të gjitha. Në këtë mënyrë, theksoi Rama nuk do të ketë më mundësi që të ndërtohen kate pa leje pasi satelitët do të shohin çdo gjë.

Por, ai deklaroi se identifikimi i kateve pa leje dhe abuzimet nga ndërtuesit nuk është detyrë e tij për t’i parë, duke iu përgjigjur kështu kritikëve që ngrenë pyetjen përse tani është marrë vendimi nga qeveria për konfiskimin e tyre.

“Me ketë vendim, ne i kemi vënë me shpatulla pas murit të gjithë. Zgjidhja që vjen nga kjo kontratë e sotme, e cila i jep përgjigje përfundimtare pyetjes ‘po si nuk i pa?’. Nuk është detyra ime të shoh kate, edhe pse të gjithë jemi mësuar që t’i ndjekim këto procese, është e pamundur që në ketë avancojmë, nëse mbetemi pre e boshllëqeve të një procesi. Për të gjithë ata që na kanë përqeshur për satelitët, sot lajmi është se do të kemi një kryeinspektoriat në qiell, i cili që nuk ka emër të përveçëm, i cili nuk ka parti, i cili ka një sy që i sheh të gjitha.

Me satelitët nuk do të ketë më mundësi që të ndërtohen kate pa leje pa u vënë re në momentin kur sapo nisin sepse satelitët kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur në sipërfaqen e tokës, me një saktësi që mblidhet në një perimetër prej 70 cm”, theksoi z. Rama.

Ai përmendi se në një zinxhir përgjegjësish, ku hallka kryesore është ajo e drejtësisë, me gjyqtarë dhe prokurorë që kanë marrë ryshfet për të lejuar ndërtimet pa leje, përgjegjësi kanë edhe punonjësit e institucioneve që kanë marrë para gjithashtu për të mbyllur sytë para kullave që shkelin lejen e ndërtimit.

“Në terren kemi një problematikë që edhe pse sot është më e lehtë, vijon të rëndojë e shqetësojë biznese, qytetarë. Emrat e përveçëm në raport me qytetarin e biznesin që përkthehet në një mundësi për të bërë presion e për të marrë ryshfet. E këto ngrehina, janë rezultat pikërisht i mos funksionimit si duhet të një zinxhiri kontrolli, që hallkën e vet kryesore ka drejtësinë dhe që funksionon me të dobëtit por nuk funksionon me të fortit”, theksoi Rama.

Por, ai njoftoi se pas satelitëve, do të vijnë dronë të armatosur nga Turqia, të cilët Shqipëria do t’i përdorë gjithashtu për monitorim të territorit.

“Satelitët shumë shpejt do pasohen nga dronët. Dronët, të cilët me zhvillimet e reja ne e kemi vendosur t’i kompletojmë dhe t’i marrim dronë të armatosur.

Natyrisht dronët e armatosur janë për rast ekstrem kundër terrorizmit apo një armiku potencial, por dronët kanë një tërësi funksionesh në komplementaritet në përputhje me satelitët duke qenë në dinamikë të vazhdueshme dhe duke bërë rakordime apo thellime të të dhënave”, u shpreh Edi Rama.

Qeveria në dhjetor ngre dy satelitë

Kryeministri Edi Rama së bashku me Elon Musk do shtypë butonin e nisjes në hapësirë, të dy satelitëve të parë me flamur shqiptar. Ky moment pritet të ndodhë javën e parë të dhjetorit.

Ndryshe nga Lasgushi dhe Naimi, emrat e avionëve të “Air Albania”-s, Qeveria ka zgjedhur emra më të thjeshtë për satelitët e saj.

Nga “Cape Canaveral” drejt përjetësisë, do nisen “Albania 1” dhe “Albania 2”. Një fabul që vetëm seriali “Simpsons” mund ta parashikonte.

Nevojën e këtyre dy satelitëve Kryeministri Edi Rama e shikon të lidhur me situatën e dështimit të përpjekjeve për të eliminuar ndërtimet pa leje. Tani satelitët do bëjnë punën, që sipas tij nuk duhet ta bënte qeveria, por ne të tjerët.

Syri nga 150 km do zbulojë shkelje si për shembull katër katet e syrit të Tiranës, që sipas Ramës u kishin shpëtuar të gjithëve, por jo qeverisë.