MENU
klinika

Pas 5 muajsh

Atentati i dështuar me silenciator në Lushnjë, identifikohet autori!

28.09.2022 - 12:54

Kur kanë kaluar pesë muaj nga atentati i dështuar ndaj 44-vjeçarit Kujtim Meta në Lushnje, policia ka identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes.

Raportohet se autori i dyshuar është 29-vjeçari Dorian Shurdhi, banues në Lushnjë, i cili është shpallur në kërkim.

“Është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 20.04.2022, në lagjen “Skënder Libohova”, Lushnjë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. M., 44 vjeç. Si rezultat i hetimeve të thelluara dhe provave të grumbulluara në lidhje me këtë ngjarje, u bë identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit D. Sh., 29 vjeç, banues në Lushnjë, i cili u shpall në kërkim”, njoftoi policia.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, ngjarja e ndodhur më datë 20.04.2022, në Lushnjë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. M.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.

Pas një pune të mirëfilltë hetimore, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 20.04.2022, në lagjen “Skënder Libohova”, Lushnjë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. M., 44 vjeç.

Si rezultat i hetimeve të thelluara dhe provave të grumbulluara në lidhje me këtë ngjarje, u bë identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit D. Sh., 29 vjeç, banues në Lushnjë, i cili u shpall në kërkim.

Për 29-vjeçarin, pas identifikimit nga ana e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e siguruara, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Vijon puna për kapjen e shtetasit D. Sh. dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë penale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Si ndodhi atentati i dështuar

Kujtim Meta po konsumonte kafe në një lokal në zonën e quajtur Stacioni i Trenit, kur një person i maskuar me syze të errëta e me kapuç në kokë, pasi ka hyrë brenda e ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë. atentatori ka përdorur armë tip silenciator dhe pasi e ka qëlluar është larguar nga vendi i ngjarjes.

Dëshmitarët okularë bënë me dije se autori i ngjarjes ishte i shoqëruar me një person tjetër në momentin kur kreu atentatin.

Ata thanë gjithashtu se nuk e kishin kuptuar se çfarë po ndodhte pasi kishin besuar se personi i maskuar i kishte dhënë diçka 44-vjeçarit, por gjithçka është bërë e qartë kur ai është rrëzuar nga tavolina e lokalit ku konsumonte kafe dhe ka përfunduar në tokë si pasojë e plumbave të marrë në trup.

Kujtim Meta ishte i vetëm në tavolinë dhe pranë tij nuk kishte persona të tjerë, megjithëse atentatori duket se e ka pasur të qartë shënjestrën e tij. Personi i dytë që shoqëronte atentatorin, e ka ndihmuar atë të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

44-vjeçari mori dy plumbave në pjesën e barkut, duke përfunduar në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.

Pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Lushnjës, ai u dërgua me urgjencë për në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar.