MENU
klinika

Dy pistat kryesore të hetimit

Atentati me snajper në Durrës/ Pse ngjarja u fsheh nga policia

14.09.2022 - 11:57

Një ish-anëtar i bandës së Durrësit, ishte në shënjestër e një atentati me snajper, nga i cili ka arritur të mbijetojë pa marrë asnjë plumb.

Ngjarja është regjistruar mesditën e së hënës në lagjen nr. 13 të qytetit në afërsi të vendit të njohur si “Rrota e Kuqe”. Pavarësisht se ngjarja është regjistruar të hënën, lajmi doli në media të martën dhe pas këtij momenti ka reaguar edhe policia lokale. Në momentin që ndaj tij u hap zjarr me snajper nga një furgon, Akil (Gentjan) Nerjaku ishte në shoqërinë e një miku të tij me iniciale H.K.

Fatmirësisht plumbi nuk e kapi dhe përfundoi në një makinë më targa të Maqedonisë së Veriut, e cila ishte e parkuar në anë të rrugës. Nerjaku dhe miku i tij pasi pikasën se u sulmuan u shmangën duke u futur në makinën e blinduar, duke i shpëtuar kështu atentatit. Ndërkohë, autorët u larguan në drejtim të Plepave ku edhe humbën gjurmët.

Në vendin e ngjarjes mbërritën disa grupe policie që nisën hetimet, ndërsa u ngritën postblloqe në disa kryqëzime brenda dhe jashtë qytetit në kërkim të autorëve. Hetuesit grumbulluan kamerat e sigurisë të bizneseve të zonës për t’i analizuar dhe identifikuar autorët, ndërsa janë marrë në pyetje dy të rinjtë për konfliktet e mundshme që ata mund të kenë. Ngjarja ndodhi në zonën e Plazhit në një kohë që zona është e mbipopulluar nga pushuesit, të cilët mbetën të shokuar nga mungesa e sigurisë.

HETIMET

Nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, Policia po kryen hetime për të zbardhur ngjarjen. Nerjaku është një person i njohur për blutë pasi është arrestuar disa vite më parë për armëmbajtje pa leje, si dhe njihet si pjesë e grupeve kriminale që veprojnë në qytetin bregdetar. Mësohet se Nerjaku lëvizte shpesh me makina të blinduara dhe i shoqëruar. Ende nuk dihet motivi i atentatit, por paraprakisht policia ka ngritur disa pista që nga prishja e pazareve të drogës deri tek larja e hesapeve. Burime nga grupi hetimit thanë për gazetën “Panorama” se objektivi nuk ka ndihmuar me deklaratën e tij, duke u shprehur se nuk ka konflikte të hapura më persona të tjerë. Mirëpo, hetuesit mendojnë se kemi të bëjmë larje hesapesh mes grupeve kriminale në qytet, që prej tre vitesh kanë nisur një luftë të ashpër me njëri-tjetrin, ku pasojat kanë qenë disa viktima.

Furgoni me targa të vjedhura, me kë shoqërohej 40-vjeçari

Në momentin e ngjarjes së rëndë, 40- vjeçari Nerjaku ishte i shoqëruar nga nipi i ish-deputetit dhe ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. Ata udhëtonin me një automjet luksoz tip “Mercedes Luksoz-FL”.

Mësohet se Nerjaku ishte si pasagjer në këtë automjet me ngjyrë të zezë, i drejtuar nga djali i vëllait të ish-ministrit, i cili aktualisht ndodhet prapa hekurave për aferën e inceneratorëve. Në bazë të pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë, ka qenë një furgon me ngjyrë të bardhë, nga i cili ka zbritur një persona, i cili dyshohet se të ketë pasur një armë të tipit Snajper. Ai ka qëlluar një herë të vetme dhe ka qenë ky moment kur Nerjaku dhe 26-vjeçari Koka, kanë hyrë brenda mjetit të blinduar. Pasi nuk kanë arritur qëllimin, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Mësohet gjithashtu, se autorët e kanë ndjekur automjetin me të cilin udhëtonte ish-anëtari i Bandës së Durrësit dhe sapo ka zbritur nga makina, kanë qëlluar një herë të vetme me armën me precizon të lartë. Pas këtij momenti, furgoni me ngjyrë të bardhë është larguar në drejtim të zonës së Plepave dhe prej andej kanë humbur gjurmët. Mjeti dyshohet të ketë qenë me targa të një automjeti tjetër, të cilat janë denoncuar të vjedhura disa muaj më parë.

MANIPULIMI I NGJARJES

Policia e Durrësit fillimisht ka tentuar ta mbajë të fshehtë ngjarjen dhe më pas e manipuluan atë. Policia ka treguar një tjetër version duke përfshirë një pushues nga Maqedonia e Veriut i cili në momentet që ndodhi ngjarja ndodhej në shezlong bashkë me familjen e tij. Fakti që plumbi përfundoi në makinën e tij të parkuar, ai është bërë pjesë e hetimit.

“Më datë 12.09.2022, rreth orës 12:00, në lagjen nr. 13, Durrës, në rrugën “Pavarësia”, është qëlluar një herë, me armë zjarri, në drejtim të një automjeti të parkuar, në pronësi të shtetasit B. A., 52 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale është bërë i mundur identifikimi i automjetit me të cilin ka lëvizur personi që ka qëlluar në drejtim të automjetit të parkuar. Vijon puna intensive për kapjen e autorit. Për arsye hetimi, nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera. Theksojmë se në momentin e të shtënës me armë, në automjet nuk ka qenë asnjë person. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha Policia në komunikatën për shtyp të cilën e shpërndau pas presionit mediatik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kush është personi ndaj të cilit u qëllua

Dështon atentati me snajper në Durrës