MENU
klinika

Analiza

Çfarë e pret Italinë me Melonin kryeministre?

20.09.2022 - 16:11

 

Në fillim të këtij muaji, Alessio Di Giulio, një këshilltar i partisë populiste të së djathtës ekstreme LEGA në Firence, postoi në rrjetet sociale një video 17-sekondëshe, e cila për mendimin tim, shënoi pikën më të ulët të asaj që ka qenë një nga fushatat më groteske zgjedhore italiane në historinë e kohëve të fundit.

Në klip, Di Giulio shëtit nëpër qendrën historike të kryeqytetit toskan, kur ndeshet me një grua që duket se është me origjinë rome. Duke u ndalur, kandidati kthehej nga kamera dhe i lutet audiencës të “votojë LEGA-n që të mos e shohë më kurrë atë”, një frazë të cilën ai e përsërit 3 herë për efekt retorik.

Shumica e italianëve u tmerruan, dhe kjo video u bë virale në rrjet. Sigurisht, këtë gjë shpresonte të arrinte edhe vetë Di Giulio. Mund ta shihni edhe nga buzëqeshja në fytyrën e tij. Ai ishte me siguri i vetëdijshëm kur e postoi atë video, se nuk kishte mundësi që votuesit në zonën e tij elektorale me prirje kryesisht të majta, të ndryshonin mbështetjen e tyre.

Gjesti i tij ishte thjesht teatral, një kujtesë e heshtur për simpatizantët politikë në mbarë vendin se nëse Vëllezërit Italianë të Giorgia Melonit fitojnë në zgjedhjet e kësaj jave, siç pritet, shumë shpejt njerëz si ai do të kenë mundësi të diktojnë axhendën e politikës.

Meloni është e aftë si për t’u atashuar, ashtu edhe për t’u distancuar nga ekstremistë të tillë sa herë që kjo i leverdis. Në fillim të kësaj vere, gjatë një vizite në Spanjë, ajo mbajti një fjalim para mbështetësve të partisë së ekstremit të djathtë Vox, ku vlerësoi “patriotët” dhe si “familjen natyrale” ndërsa sulmoi “lobin e LGBT” dhe “armiqtë e qytetërimit”.

Ajo ka postuar kohët e fundit video me mace për të kultivuar një imazh të butë, me synim joshjen e të moderuarve. Po ashtu është befasuese që ndryshe nga aleatët si Matteo Salvini, i cili është sinonim i ligjeve të tij të ashpra në fushën e sigurisë, apo Silvio Berlusconi, që kërkon prej vitesh një taksë të sheshtë pro të pasurve, Meloni nuk ka asnjë politikë qëndrore. Deri më tani, lëvizja më e bujshme e partisë së saj në fushatë ka qenë një bojkot i propozuar i filmit vizatimor për fëmijë “Peppa Pig”, me akuzën se një episod i ri që përfshin prindër të të njëjtit seks përbën “indoktrinim gjinor”.

Por “Peppa Pig” nuk i mbush dot sheshet. Në fakt, elementi më shqetësues në këto zgjedhje është padukshmëria thuajse totale e mbështetësve të Melonit. Disa ditë më parë, mora pjesë në një tubim të kësaj partie në një zonë në periferi të Firences.

Disa vullnetarë shpërndanin fletëpalosje, por askush prej tyre nuk dukej se e dinte se çfarë përfaqësonte partia, përtej vlerave të saj konservatore dhe pro-familjes tradicionale. Kur u kërkova të përmendnin një politikë të vetme, një i ri më dha në duar një broshurë të vogël me fjalëkryqe dhe lojëra labirintesh, që e sfidonin lexuesin të shqiptonte emrat e “Tradhtarëve të Italisë” të ndryshëm që janë pro BE-së.

Tridhjetë e pesë për qind e votuesve italianë pritet të abstenojnë. Liberalët, Partia e Veprimit dhe Italia Viva e Matteo Renzit, kanë hequr dorë nga përpjekjet për të bindur elektorain gri të dalë në votime ditën e djelë. Në vend të kësaj, ata po marrin mbështetetës nga partia demokratike e qendrës së majtë.

Lëvizja Pesë Yjet, e cila deri në vitin 2011, ishte e aftë të nxirrte në sheshe dhjetëra mijëra mbështetës, është dëmtuar shumë nga përçarjet e brendshme dhe e ka humbur tërheqjen e shtresave më të margjinalizuara. E majta dhe të Gjelbrit nuk kanë arritur të dalin nga dhomat e tyre të jehonës, për të shfrytëzuar energjinë gjithëpërfshirëse antifashiste që frymëzoi lëvizjen e tyre vetëm dy vjet më parë. Ndërsa Vëllezërit Italianë kanë pak mbështetje klasore, manipulimi strategjik i një game të gjerë votuesish konservatorë duket se do ta ngjitë atë në pushtet.

Pasojat janë shqetësuese. Disa analistë e kanë interpretuar imazhin e ri, paksa më të butë të Melonit si dëshmi se ajo do të jetë një kryeministre e moderuar. Por përvoja e partisë së saj në pushtetin vendor sugjeron të kundërtën. Në rajonin Marche, të cilin Vëllezërit Italianë e qeverisin që nga viti 2020, administrata ka kufizuar ndërprerjen e shtatzanive deri në 7 javët e para.

Ndërsa Meloni pretendon se nuk ka plane që ta nxjerrë jashtë ligjit abortin, ajo ka lidhje të ngushta me grupet lobuese kundër abortit si “ProVita & Famiglia”. Dhe në një vend ku rreth 64 për qind e gjinekologëve janë tashmë kundërshtarë të abortit, ajo do të përballet me pak pengesa për të kufizuar më tej të drejtat riprodhuese të grave.

Pastaj është edhe kërcënimi ndaj shoqërisë civile. Nëse koalicioni i Melonit fiton më shumë se 44 për qind të votave, ai mund të marrë dy të tretat e vendeve si në dhomën e deputetëve po ashtu edhe në senat. Kjo jo vetëm që do t’i jepte të djathtës ekstreme një super-shumicë për herë të parë në historinë e Republikës.

Por ajo mund të kryejë ndryshime në kushtetutë, pa pasur nevojë për konfirmimin e referendumin popullor. Dhe kjo është veçanërisht shqetësuese, duke pasur parasysh marrëdhëniet e ngushta të partisë së saj me kryeministrin hungarez, Viktor Orbán.

Në fakt, grupimet e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar prej kohësh se ajo shpreson të imponojë një regjim të ngjashëm autoritar në Itali. Sigurisht, asnjëra nga këto nuk do të ndodhë brenda natës. Meloni, Salvini dhe Berlusconi ndajnë mendime të kundërta mbi çështje të ngutshme si lufta në Ukrainë, kriza energjetike dhe si duhet trajtuar inflacioni.

Dhe ka shumë shanse që koalicioni i tyre të prishet edhe më shpejt sesa mesatarja 13-mujore e jetëgjatësisë së një qeverie në Itali. Por, kjo vështirë se është ngushëlluese. Sado jetëshkurtër, pasojat ekonomike dhe sociale të një administrate të Melonit do të ishin ndoshta të tmerrshme.

Dhe ndërsa politikanët e qendrës dhe ata të majtë mund ta ngushëllojnë veten me shpresën se pranvera e vitit 2023, mund ta spastrojë sistemin politik nga populistët e zhurmshëm, kjo do të ishte tepër vonë. Është e vërtetë, demokracia italiane ka pasur probleme për dekada të tëra. Por forcimi i pritshëm i një qeverie të ekstremit të djathtë, shënon një tjetër nivel të ulët.

Jamie Mackay, shkrimtar dhe përkthyes me banim në qytetin italian të Firences.

Burimi:  “The Guardian”