Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç deklaroi se partia e kryesuar prej tij URA, nuk do të ketë kandidat për këtë post në qeverinë e re.
Deklaratën, Abazoviç e dha të mërkurën pas përfundimit të takimit me liderë të shumicës parlamentare, shkruan RTCG (Radio Televizioni Malazez).
“Karrigia e Dritanit nuk është pengesë. Kemi kërkesat tona në kuvend dhe jemi të vetmit që i kemi paraqitur me ndershmëri. Ne hoqëm dorë nga posti i kryeministrit”, u shpreh ai.
Abazoviç theksoi se URA po kërkon të mbulojë sektorin e sigurisë dhe se me PKSH e minoritetet të ketë më shumë se një ministri më shumë në qeverinë e Malit të Zi.
Kuvendi i Malit të Zi votoi në orët e para të mëngjesit të 20 gushtit mosbesimin ndaj qeverisë së Dritan Abazoviç.
Qeveria u rrëzua me 50 vota pro dhe një kundër. Pas këtij vendimi Abazoviç do të funksionojë në mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.