MENU
klinika

Ati im, Bekim Fehmiu!

Dy Yje të Shekullit XX

07.09.2022 - 16:08

       Uliks Fehmiu, në një tekst të botuar në “Filozofskimagazin”, rrëfen shkurt dhe bukur historinë e të atit, aktorit të madh, Bekim Fehmiu.

Për të folur për atin tim, Bekim Fehmiun, më duhet së pari, të flas pak për gjyshin tim. Ibrahimin. I lindur në vitin 1892, në Gjakovë, në një familje tregtarësh dhe intelektualësh, ka përfunduar shkollën për mësues dhe medresenë në Shkup. Biografia e gjyshit tim, më shkurt mund të rrëfehet në shembujt e emrave të fëmijëve të tij, të cilët i kishte emëruar personalisht, duke u munduar që këta emra të jenë shqiptarë (në vend të emrave turqisht dhe arabisht, që ishin të zakonshëm), emra që në mënyrë simbolike flasin për idealet që kishte ndjekur.

E bija më e madhe, Besa – fjalë e nderuar, betim dhe një lloj shenje mbrojtëse te shqiptarët; Shpresa – shpresa për ditë më të mira për popullin shqiptar; Bashkim – i biri i parë – bashkimi i popullit shqiptar; Arsim – edukimi i popullit; Fatmir – fati i mirë, për popullin; im atë Bekim – bekim për popullin; Afërdita – mëngjesi është afër popullit shqiptar; Luljeta – lulja e jetës.

Me libër dhe me pushkë në dorë, ka qenë dora e djathtë e Bajram Currit, udhëheqësit të kryengritjes se shqiptarëve kundër turkut, në vitin 1912. Si njeri ndër mësuesit e parë shqiptarë, i dedikohet edukimit të popullit dhe hapjes se shkollave si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Për këtë, pushteti serbo – malazez e dënon me vdekje. Në kohën e Mbretërisë se Jugosllavisë, e ndjekin si mbështetës i Bajram Currit dhe i Fan Stilian Nolit. Gjyshin e ndjek edhe kryetari i Shqipërisë Ahmet Zogu, kërkon peng për kokën e tij mijëra dukatë. Në vitin 1929 është arrestuar dhe izoluar në Valevë. Për këtë kohë, familja e tij jeton në Gjakovë, për t’u depërtuar të gjithë së bashku në Sarajevë, në vitin 1931, ku përveç tre fëmijëve të lindur, vijnë në jetë djemtë: Arsimi, Fatmiri dhe, në vitin 1936, i ati im Bekimi.

Në vitin 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga italianet, kalojnë në Shkodër, ku gjyshi bëhet drejtor didaktik i shkollave fillore, ku edhe i lind e bija, Afërdita. Pas rënies se Mbretërisë se Jugosllavisë në vitin 1941, familja kthehet në Kosovë, në Prizren, ku ai vazhdon punën edukative dhe patriotike. E arrestojnë edhe gjermanët. As në kohën e re të Jugosllavisë Socialiste, nuk ndalet rrethi i golgotës ndaj familjes Fehmiu. Gjyshin e arrestojnë dhe pas një procesi të montuar, dënohet. Pas lirimit nga burgu, vdes shpejt, në vitin 1951.

Gjyshja ime Hedija, e lindur në Gjakovë në vitin 1908, ka ndjekur rrugën e gjyshit dhe të gjitha problemet. Ati im, mendon se nuk ka gjetur mjaft fjalë adekuate për të përshkruar e gjithë atë që ka duruar dhe ka bërë nëna e tij. Gjenerata e babait tim, Bekimit, është gjenerata e parë në historinë e Prizrenit, që tërë shkollimin e ka kryer në gjuhën shqipe – nga shkolla fillore deri te gjimnazi. Pas gjimnazit, babai bëhët anëtar i dramës shqipe në teatrin kombëtar rajonal – teatri i vetëm profesional në Prishtinë (përkatësisht në Kosovë). Akademinë e Teatrit në Beograd, e regjistron në vitin 1956, në klasën e profesorit dhe drejtorit të njohur, Mate Milosheviç. Kalon provimin dhe pranohet me kushtin që të mësojë gjuhën serbo-kroate. Teatri i Prishtinës i ndan bursë, por mallkimi të cilin e kanë shënuar “zotat” politikë në familjen Fehmiu, e ka kapluar edhe babanë tim. Pas dy muajve, ia ndërpresin bursën. Falë rektorit të Akademisë, Dushan Matiç, fiton shkollimin deri në fund të studimeve.

Shpejt e mëson gjuhën serbo-kroate, që në vitin 1960 të bëhet anëtari i rregullt i teatrit më të mirë – i teatrit të dramës jugosllave. Edhe në ditët e sotme, profesorët në akademinë e teatrit (Fakulteti i artit dramatik) e përmendin babanë tim, si shembull i talentit të jashtëzakonshëm dhe pas gjithash, student i çmuar dhe unë si student i po të njëjtit fakultet, i kam dëgjuar këto. Deri në vitin 1967, kur jep dorëheqje në teatrin e dramës jugosllave, për shkak të trajtimit të keq, bëhët artist i lirë, ka luajtur më shumë se 40 episode, role dytësore dhe disa kryesore, duke përfshirë edhe rolet në “Atelje 212”. Dy herë ka qenë asistent i regjisë, me profesorin Milosheviç, në “Rikardi III” dhe “Otkriću Dobrice Ćosića”. Xhiron edhe filmat: “Roj”, “Put”, “Tople godine”, “Protest”, “Deps”, “Pavle Pavloviq” etj.

Pas suksesit të madh të filmit ‘Skupljači perja’ (“Mbledhësi i puplave”). me regji të Aleksandër Petroviçit, ku luan rolin kryesor – Beli Bor (filmi është lauruar me dy çmime, në festivalin e Kanës, në vitin 1967 dhe është nominuar për “Oscar” në vitin 1968.), fillon karriera e tij ndërkombëtare dhe bëhet ylli i parë botëror nga ky rajon, duke nënshkruar marrëveshjen shumëvjeçare me producentin italian, Dino de Laurentis. Bëhët krenaria e ish-Jugosllavisë. Kryesisht xhiron në Evropë, SHBA, Amerikën Jugore, Afrikë dhe Azi. Ka luajtur në gjuhën shqipe, serbo-kroatisht, maqedonisht, gjuhën rome, turqisht, spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe në gjuhën italiane.

Edhe sot shikohen filmat e njohur dhe serialet televizive ku ka luajtur, siç janë “Odiseja” dhe “Homeri” me Irena Papas, “Avanturistët” me Candice Bergen dhe Olivia de Havilland, ku ka luajtur rolin kryesor – pleibojin, Porfirija Rubiros, “Dezerter” me John Huston, me Richard Crenn, Chuck Connorsom; “Licenca për të vrarë”, me Ava Gardner, Dirko Bogard, Timothyje Dalton… “Java e zezë e John Frankenheimera”, me Martheo Keller, “Libera, dashuria ime”, me Claudio Cardinale, “Salon Kitty” me Ingrid Thulin, Helmut Berger… dhe shumë tjerë.

Për të fituar rolin kryesor në produksionin e filmit multibuxhetor të “Paramountoves”,  “Avanturierët” (“The Adventurers”, 1969), me regji të Lewis Gilbert, i është dashur të mësojë gjuhën angleze, për 10 javë. Rolin e ka fituar në vitin 1968, kur kam lindur unë. Në nder të babait tim, është organizuar pritje e madhe në hotelin “Pierre” në New York, ku është ai, në shoqërinë e yjeve tjerë të filmit “Avanturierët” (me Olivia de Havilland, Candice Bergen, Anna Moffo, Ernest Borgine, Ferndando Reyom, Rossano Brazzije, Charles Aznavouro…), me ftesa të veçanta, të zgjedhura, është prezantuar si ylli i ri i filmit. Në këtë rast, babai im ka mbajtur të stilizuar, kostumin kombëtar shqiptar.

Ka xhiruar më shumë se pesëdhjetë filma, në shumicën prej tyre ka luajtur rolet kryesore. Në shenjë proteste për shkak të propagandës antishqiptare dhe përhapjen e urrejtjes ndaj popullit shqiptar, babai im, në vitin 1987, demonstrativisht lëshon shfaqjen në Beograd, “Madam Kollontaj” (Agnete Pleijel), ku demonstron rolin e Leninit dhe Stalinit, dhe përshëndetët publikisht me aktivitetet artistike në ish= Jugosllavi.

Roli i fundit, që e ka luajtur për televizionin italian, ka qenë Josipi i shenjtë, në filmin “Djali me emrin Jezus” (“Un bambino di nome Gesù”, 1987.) me regji nga Franco Rossi, film që është shfaqur edhe në televizionin amerikan. Skenaristi dhe producenti Francesco Saardamagli, ka thënë: “Bekim Fehmiu është i vetmi aktor internacional, nga vendet komuniste lindore, i cili, ka xhiruar në perëndim, përreth 20 vite, duke gdhendur perden e hekurt, deri te shfaqja e Gorbaçovit dhe rënia e murit të Berlinit.”

Filmi i fundit që ka xhiruar është “Gjingis Kan” (“Gengis Khan”, 1992.) me regji nga Kena Annakin, ku  ka luajtur edhe Charlton Heston.

Pas Aleksandër Moisiut, aktorit nga gjysma e parë e shekullit XX, babai im është aktori i parë internacional shqiptar, në gjysmën e dytë të shek XX.

Shpërbërja e Jugosllavisë, luftë e tmerrshme vëllavrasëse, shkatërrimi i Vukovarit, bombardimi i Dubrovnikut, rrethimi disavjeçar i Sarajevës, lufta në Kosovë, bombardimi i Republikës Federale të Jugosllavisë, kanë bërë më shumë që babai im të tërhiqet. Është tërhequr nga skena, çka për aktorin është agjenti më i fuqishëm dhe më i bukur. Është tërhequr në heshtje – në protestë, Hamleti kishte thënë “… ka mbetur heshtja”.

 

Nga: Uliks Fehmiu, përktheu: Saranda Rugova

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale