MENU
klinika

Pranvera e hidhur e poetit

E Të Tjera, E Të Tjera… sheh dritën e botimit

18.09.2022 - 09:35

        E shkruar në vitin 1997, botohet e plotë dhe me pjesën e dytë, poema satirike e Teodor Kekos: “E të tjera, e të tjera”. Për shkrimtarin dhe politikanin, 20 vjet pas ndarjes nga jeta, bashkëshortja Xhuli, thotë se kërkon të sjellë për publikun, një kolanë me vepra të zgjedhura, si dhe publicistikën e plotë.

Oborri i ministrisë së Kulturës mblodhi miqtë dhe dashamirësit e krijimtarisë së Teodor Kekos, ndërsa në vend të poetit nënshkruan Xhuli…

Poema e tij satirike, botuar e plotë, “E të tjera, e të tjera” vjen me parathënie nga Dritëro Agolli.

“Është hera e parë që poema po botohet në formën e saj integrale, sepse për herë të parë, Dori ka botuar pjesën e parë të poemës, në vitin 1997. Pjesën e dytë e la të hapur, sepse kishte shumë dëshirë që të gjithë miqtë e tij të kontribuonin”, – thotë Xhuli Keko, bashkëshorte e shkrimtarit.

25 vite pas, poema, bashkë me pjesën e dytë të pabotuar, që Keko shkroi në vjeshtën e vitit 1997, shkon e plotë tek publiku edhe për të dhënë perceptimin e shkrimtarit, për atë ç’ka po ndodhte në këtë vit të kobshëm.

“Poema ka marrë spunto nga poezia ‘Diskotekë Albania ‘94”, që është botuar në librin “Unë të kam dashur, por…” Të gjithë miqtë e pëlqyen, ishte koha që ne po gëzonim fajdet. Shqiptarët po gëzoheshin me mashtrimin e fajdeve dhe Dori, që në atë moment e parashikoi se çdo të ndodhte”, – thotë ajo, më tej.

Përmes këtij botimi vjen edhe një pjesë e jetës së Kekos si deputet, kur në radhët e parlamentit, jetësonte momente e portrete në grafika.

Publicistika e Dorit, – siç rrëfen bashkëshortja – pritet të botohet e plotë, ndërkaq mbetet ende nga shkëmbimet e tyre të letrave për t’u zbuluar.

“Të tjera dorëshkrime, nuk ka. Unë bashkë me Ilirin, vëllain e Dorit, kemi grumbulluar të gjithë publicistikën e Dorit dhe po mendojmë që ta botojmë. Është libri që unë po shkruaj, me letra, që ia dërgoj Dorit dhe kam disa letra që m’i ka dërguar Dori dhe nuk i kam publikuar asnjëherë. Dhe kolana me vepra të përzgjedhura është projekti im final”.

Pas përkthimit në Hollandë dhe Amerikë, Teodor Keko pritet të prezantohet edhe para lexuesit francez, me “Lajmëtarja e vdekjeve”.

Teodor Keko, lindur më 2 shtator të vitit 1958, ishte shkrimtar dhe publicist shqiptar. Ai lindi në Tiranë dhe ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në degën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Në fillimet e tij punoi si gazetar, në gazetën letrare “Drita” dhe në të përditshmen “Koha jonë”, ndërsa më vonë, ka punuar në gazetën “Aleanca”, si redaktor. Për një periudhë kohe, ishte anëtar i Parlamentit shqiptar. Në vitin 1996, i zhgënjyer, ai largohet përfundimisht nga politika dhe vendos të kontribuojë në demokratizimin e jetës si intelektual përmes fjalës në shtypin e shkruar. Teodor Keko i filloi publikimet në vitin 1980 dhe është autor i 15 volumeve poezi, dramë, novelë dhe tregime të shkurtra.

Mes të tjerash, disa prej publikimeve të tij, titullohen:

“Loja” 1990

“Lajmëtarja e vdekjeve”, 1991

“Pretenca”, 1994

“Shënimet e një gruaje”, 1995

“12 Shejtore nje profet dhe disa njerez”, 1997

“Prostituta”, 1997

“Made in Albania”, 1998

“Hollësira fatale”, 2001

“Poezi”, 2013

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


... në mëngjes të laj sytë kam frikë

Çdo mbrëmje kur bie të fle më ulesh në qerpik…

Dashuritë... në Kafe FLORA

Historia e panjohur e një rruge emblemë!