MENU
klinika

... në mëngjes të laj sytë kam frikë

Çdo mbrëmje kur bie të fle më ulesh në qerpik…

07.06.2020 - 06:53

Një nga poetët dhe autorët e këngëve më i njohur dhe i dashur deri më sot është Teodor Keko, njeriu i madh i letrave të vogla.

Ai lindi në Tiranë dhe prindërit e tij ishin dy nga regjizorët më të mirë të kinematografisë së kohës, Endri dhe Xhanfize Keko. Ai ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Në fillimet e tij punoi si gazetar në gazetën letrare “Drita”, dhe në gazetën e përditshme “Koha jonë”, më vonë ka punuar në gazetën “Aleanca” si redaktor.

Për një periudhë kohe mbahet mend si pjesëtar i parlamentit shqiptar, por që hoqi dorë pas tetë viteve për arsye se dinjiteti i tij nuk e lejonte më që të qëndronte në një ambient ku në vend që shqiptarët të bashkoheshin, ndaheshin.

Teodor Keko ka filluar publikimet e tij në vitin 1980 dhe është autor i 15 volumeve në: poezi, dramë, novelë si dhe veçanërisht i historive të shkurtra.

Poezia e tij ishte shumë e veçantë dhe mënyra sesi i transmetonte ndjesitë e tij mbetej po kaq e veçantë. Thuhet se ajo ishte e bukur, e thjeshtë, e ngrohtë dhe e mbushur plot dritë. Kur themi fjalët “e bukur” dhe “e thjeshtë”, e dimë se kemi mundësi që të flasim për gjithçka të prekshme të kësaj bote, që na tërheq pas vetes.

Kur përdorim fjalët “e ngrohtë” dhe “e mbushur plot dritë”, largohemi prej botës së pafrymë dhe hyjmë në shpirtin e njeriut dhe të gjithë gjallesave të tjera, gjerbërore, ku drita vjen me reflekse të shumëfishta dhe të ndryshme, ashtu si në poezinë e Teodor Kekos.

Mes për mes këtij kufiri shkrirës dhe reflekseve të ndërthyerjeve të ndriçimit njerëzor, është më lehtë t’i thuash lexuesit disa fjalë mbi poezinë e Teodor Kekos, të mbushur plot dritë dhe ngrohtësi vetjake, që nga poezitë e tij të para deri tek ato të fundit.

Kjo frymëmarrje ritmike poetike dhe e ngrohtë, e ndjek Teodor Kekon gjatë jetës së tij të mbyllur një herë e përgjithmonë para kohe, jo vetëm thjesht si një shteg i parë nisjeje, si ndodh rëndon me shumë shkrimtarë të tjerë.

Bota e tij e letrave, sot e përgjithmonë, bashkëjeton mes prozës dhe poezisë.

Sigurisht që gjithmonë ka një fillim dhe një shtysë, të cilën e mësojmë nëpërmjet prozës së tij, ku shpesh gjejmë të gjitha burimet e jetës personale.

Mjafton që të lexosh novelën e tij “Curriculum Vitae”, të shkruar me një frymë dhe me ngut, si për ta lënë para vdekjes bekimin dhe dashurinë e tij, ku Teodor Keko lë për të gjithë përshkrimin e shtratit të tij djaloshar ku mbetën të varura mbi kokë brilantet më të ngrohta, më me dritë, më të thjeshta dhe më të drejtpërdrejta të poezisë shqipe.

Poezia e Teodor Kekos ndërhyn me të madhe në këtë histori të gjatë të poezisë shqipe, ku “me kohën tonë lumenjtë nderojnë rrjedhën në rendjen drejt dashurisë”, si thotë poeti në poezinë “Sërish si djalë çapkën do fishkëllejë horizonti” dhe kur jetojmë në një vend ku “si ogur i keq, hollë vishen njerëzit dhe monumentet tmerrësisht trashë” te poezia “Shqipëria, dhjetor ’90 – janar ’91”.

Kështu për Teodor Kekon fillon një rrugë e gjatë poetike, që do ta renditë atë në radhën e poetëve më të dashur dhe më të drejtpërdrejtë shqiptarë, një poezi që përmban një mister të madh suksesi.

Kush lexon poezinë e Teodor Kekos që nga fillimet e veta deri në fund të jetës së tij të shkurtër, por të padorëzuar asnjëherë para vdekjes, ka të drejtë që ta konsiderojë kraharorin e unit të tij poetik si një truall prej nga lind dhe ndriçohet një vizion për të tjerët.

Kur nisem për te ty vetëtij dhe bubullij,

Bëhem trim i madh dhe më pushton një guxim i rrallë.

Para teje hesht. Nën heshtje zbardhem dhe ngrij.

Zbres në zemrën tënde lehtë, siç bie në rrugë borë e bardhë.

Zbres atje dhe dashurinë time ngroh,

Dhe pres të vijë pranvera e fara të çelet.

Kur të ndodhë kjo, kur të ndodhë kjo….

Trim i madh do të bëhem dhe do të bubullij patjetër.

Ka në këtë poezi mundësi dhe pamundësi për një ngrohtësi dhe dritë më të madhe që nuk gjendet dot pa praninë e njeriut tjetër, atij më të dashur.

Kështu, hap pas hapi fillon e ndihet në poezinë e Teodor Kekos prania e domosdoshme e të tjerëve, si një dialog i hapur pranimi, si një univers dashurie që krijon një botë të tërë të domosdoshme, një kërkesë që në subkoshiencën njerëzore, njeriu e pati kërkuar që në zgjimin e tij të parë. Por që nuk e dallojnë dot të gjithë.

Do të ishte fare e pakuptimtë sikur në mes të radhës së gjatë të “të tjerëve”, çuditërisht dhe para kohe Teodor Keko të mos shihte edhe vdekjen si në poezinë “Larg. Afër”, ku ai thotë:

Dëgjoj trokitjen, puthjen ia ndiej,

Shprishje gjymtyrësh në trupin tim.

I dashuruar pas dashurisë. Mbeta

I veshur në qefin.

Sot s’është çudi në prag të jetë

Duke trokitur vetë dashuria.

Por unë s’e njoh. Kam frikë. Hap derën.

Drejt vdekjes shkoj, siç një jetë ika.

Që të arrish të zbulosh praninë e tjetrit, kaq thjesht, kaq butë dhe kaq poetikisht, Teodor Keko nuk ka nevojë të kapërcejë nëpër barriera.

Prania e tjetrit e hap botën, e zbërthen në mënyra-mënyra. Pikërisht nga kjo koshiencë e parë njerëzore, njeriu bëhet i ndërgjegjshëm për veten dhe për shoqërinë deri në atë masë sa krijon vizionin e atdheut dhe të njerëzve të kësaj bote.

Ta ndiesh apo ta shohësh botën bëhet pothuaj njësoj në një botë kaq të personalizuar të një njeriu të vetëm poezie, kaq të personalizuar prej një njeriu të vetëm.

Kështu poeti duket sikur e merr në duart e tij për ta treguar si fëmijë pyllin dhe heshtjen, vajzën që do dhe emrin e thjeshtë të një shoku, në një dialog gjithnjë më të hapur dhe më të domosdoshëm herë me atin, herë me birin, herë me fëmijën e vogël të porsalindur, pasi poeti vetë nuk jeton dot pa të tjerët.

Në këtë këndvështrim, mjetet poetike gjithashtu janë aq të buta, të brendshme dhe pothuaj të padukshme, pothuajse si lënda vetë, pasi për t’u parë është gjithmonë e nevojshme pasqyra e shpirtit të njeriut.

Janë shumë arsye të çuditshme që e rendisin poezinë e poetit pranë gëzimit, haresë dhe shpengimit emocional që jeton si pasojë e kësaj marrëdhënie me të tjerët, që nuk ka se si ta gjesh kaq hapur dhe në mënyrë kaq ngazëlluese në prozën e tij.

Por ajo që bashkon poetin me prozatorin është ky terren plot reflekse shoqërore. Me poezinë e tij, Teodor Keko të udhëheq drejt shtigjeve të një qytetërimi pothuaj personal dhe të domosdoshëm. Dhe, mbi të gjitha, ai kërkon praninë e dashurisë.

“Po forca?”, do të pyesë ndonjëri. E bukur, e thjeshtë, e ngrohtë, inteligjente është poezia e tij, ashtu si është kaq vrojtuese dhe kaq zbuluese për marrëdhënie pa fund të qenies njerëzore me të tjerët, derisa shtrihet përtej natës në pyllin e heshtur (“Natë në pyll”).

E kërkojmë këtë forcë njerëzore në poezinë e tij të qetë dhe njëkohësisht të trazuar, që pranon brenda edhe harresën, edhe trishtimin.

E thënë pa frikë, në poezinë e Teodor Kekos forca e tij e vetme mbetet gëzimi që mbisundon edhe vdekjen. Dhe për këtë forcë ai shkruan poezinë lapidare që zbërthen sekretin e forcës së tij poetike.

Hapi krahët!

Në gjoksin tënd Dajti

U struk si foshnjë.

Jo ti,

Natyra

Është foshnja jote.

Në njohjen dhe praninë e tjetrit ose tjetrës, poeti krijon pak nga pak botën e tij shoqërore. Dhe ai vetë, si thotë në poezi, mbetet natyra.

Në poezitë e tij të botuara në vëllime të ndryshme, gjendet megjithatë një vjershë e rrallë që i drejtohet vetvetes (“Teodorit të dashur”), e cila në asnjë çast dhe në kundërshtim me tezat e narcizmit njerëzor, megjithatë nuk flet aq për vetveten, sa për shndërrimin e njeriut, sado që te Keko nuk kalon dot në mutacion.

Nga jeta ime shtegtuan zogjtë,

Dhe njerëzimi e humbi seksin,

Tani unë flas për ç’do të lindë,

Pa parë turmat që po vdesin.

O miku im oportunizëm,

Ma hëngre kokën, ma bëre gropën,

Kujt t’i ankohem. Kë të mallkoj,

Më mirë po ik të plehëroj botën.

Gjoksi i tij poetik, sa herë që shfaqet, është aq i njerëzishëm, sa shndërrohet dalëngadalë në një reliev metaforik, për të rilevuar vetëm të tjerët.

Poezia dhe jeta e tij është aq bujare sa t’ua lërë vendin edhe të tjerëve. Kështu në poezinë e Teodor Kekos fillon të ndihet prirja e sinqertë e një largimi, si një dëshirë tjetër për të gjetur përmasat e lartësive, ose të thellësive.

Poetit i largohen shpesh dashuritë, si diçka na ishte që kurrë nuk ndodh (“Fatkeqësia”), largohen vitet, vijnë ndarjet derisa arrin dhe finalja e vërtetë e tij ekzistenciale (“Ftohtë”).

Askush s’kuptoi se gjithë ky ujë

Vajtimi im qe, madhështor.

TË DUA, thanë ujërat me zhurmë,

Po kush dëgjoi dhe kush dëgjon.

Teodor Keko vdiq në Selanik në duart e mikut të tij Stilian Buxheku, pasi ishte i sëmurë nga tumori në stomak .Ai vdiq në orën 15:30 të 22 gushtit të vitit 2002.