MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Edhe kur Vuçiq na ngre topin, ne shqiptarët dalim huq

25.09.2022 - 19:03

Ka një metaforë shumë interesante në sport, e cila e ka marrë jetën nga volejbolli. Ajo lidhet me lojtarin e gjashtë (pasuesin) në këtë sport, që me rregullat e reja është me bluzë ndryshe në fushë. Pak a shumë, pasuesi duhet të gjejë kohën e duhur të gjuajtësve (shuterëve) duke ua pasuar topin në perimetrin e plotë të rrjetës për të shmangur kundërshtarin dhe për të shënuar. Të ngresh topin do të thotë të pasosh në kohën dhe vendin e duhur për të shënuar.

Fatmirësisht, presidenti Vuçiq e ka bërë një gjë të tillë për shqiptarët me performancën e fundit në sesionin e OKB-së. Ai ka marrë goditje të mëdha dhe tashmë po futet me të drejta të plota tek autokratët e tipit Orban. Në mes të luftës së ashpër, mobilizimit të rezervistëve të ushtrisë ruse, që po kundërshtohet edhe nga vetë deputetët e saj, Ministria e Jashtme e Serbisë nënshkruan planin për bashkëpunimin në të ardhmen me Rusinë. Kaq ka mjaftuar që Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon t’i vendosë pikat mbi “i”. Përmes një cicërime në Twitter tha se është një skandal i rëndë dhe madje shkoi më tej duke i dhënë një mesazh BE-së për t’ia ngrirë Serbisë udhën e integrimit.

Por, kjo nuk duket ende ndonjë gjë, kur mendon se presidenti serb e përshfaqi veten në formën më të shëmtuar dhe aspak të mirë ditët e fundit, pasi e mori fjalën pas Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, si njëri prej pak aleatëve të mbetur dogmatikë rusë. Siç ndodh edhe tek ne, ndryshe folën mediat shtetërore serbe që i ngritën apoteozë dhe ndryshe opozita, që tashmë ka gjithnjë e më pak burime. Dhe, Vuçiç nuk zhgënjeu aspak, pasi i bëri një karshillëk mbarë botëror BE-së, kur Ukrainën e krahasoi me Kosovën, duke përcjellë gati një incident diplomatik dhe e dyta, zgjati karotën kur tha se: përkushtimi i Republikës së Serbisë është total ndaj BE-së! Me fjalët dhe performancën e tij, Serbët i dhuruan një asist shqiptarëve, sërish po marrim një simbolikë sportive, kur e duartrokitën për argumentet jashtë sensit presidentin e tyre në fund të fjalimit, referuar medias serbe. Vuçiq e përfundoi fjalimin triumfator me sloganin “Rroftë Serbia”!!! Mediat pro-shtetërore theksuan se fjalimi i Vuçiqit është shikuar në YouTube tre herë më shumë se fjalimi i Zelenskit, në raport me numrin e banorëve serbë!! Dhe se, sipas rrëfimit të tyre, vetëm adresa e Joe Biden ishte më superiore se ajo e Vuçiqit!! Në fakt, problemi më i madh i Serbisë veç deklaratave të tij ishte një element që kaloi pavërejtur, shumësia e karrigeve bosh në momentin, kur fliste pasardhësi i një presidence që angazhonte të Paangazhuarit.

Duke u kthyer në temën tonë, Vuçiq, ashtu si në Nju Jork, për ditë e më shumë po i ngre topin faktorit shqiptar për të treguar se Serbia institucionale nuk ndryshon dhe udha e saj në ditët tona është në anën e gabuar të konjukturave historike. Mbajtja e një këmbe te ëndrra e BE-së, që po e ndih gjithsesi në dialog me Kosovën dhe po i lejon hapjet e kapitujve të integrimit dhe tjetra me Rusinë, me të cilën mbush problemet ekonomike, por edhe që i garanton forcën, po bëhet e lodhshme por edhe disi hipokrite. Dhe, shqiptarët nuk po dinë ta shfrytëzojnë nga përçarja e frikshme mes tyre.

Nga ana tjetër, deklarimi zyrtar i Shqipërisë përmes Ramës, kryeministrit të saj ishte i duhuri, ashtu si nga çdo segment i shtetit shqiptar. Por, Kosova jo vetëm nuk reagoi dhe jo vetëm nuk përfiton por po e mbulon me heshtje. Nëse fjala e Kryeministrit në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara pro Kosovës dhe kërkesën për rrëzimin e raportit të Dick Marty për trafik organesh në Kosovë, si dhe miratimin e një raporti të ri në OKB, që sado pak do të zhbëjë ato dëme të shkaktuara nga raporti fiktiv i Dick Marty, pothuaj nuk u vlerësua, politika e Kosovës harxhon në raste të tjera slogane të tëra boshe ndaj Tiranës. Mbase ish-konsullja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, do ishte një zë sporadik, por u tregua kuptimplotë kur e kritikoi presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, dhe ministren e Jashtme dhe të Diasporës Donika Gërvalla-Schwarz, që dukshëm nuk po bashkëpunojnë si duhet me Shqipërinë por duket qartazi se po mbajnë një lloj karshillëku, që nuk i intereson askujt, sidomos në këtë kohë që po i sjell lajmet me shpejtësinë gati të Hermesit. Për fat të keq, shumë syresh, jo të duhurat. Dhe, më keq akoma, edhe kur serbët me Vuçiq na ngrenë topin ne dalim huq, sepse duam të mbajmë pushtetin e autokratëve, mbi nevojën e madhe që ka Kosova dhe Shqipëria të bashkëpunojnë shumë nga afër realisht. Edhe njëherë Rama, Kurti, Osmani janë të përkohshëm, Kosova është përtej kohës dhe po del disi huq, edhe kur Vuçiq ua ngre topin si në rastin e fundit në OKB.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN