MENU
klinika

Prej 8 ditësh rezulton i zhdukur

Familja e biznesmenit shqiptar beson se ai është gjallë

05.09.2022 - 13:52

Rezulton ende i zhdukur shqiptari në Greqi, ndërkohë që policia vijon kërkimet. Mësohet se Xhani Topalli rezulton i zhdukur prej 8 ditësh, ndërkohë që familja mendon se ai është rrëmbyer. 46-vjeçari, baba i tre fëmijëve, jeton në Rodos prej më shumë se dy dekadash.

Dyshimet e para bien mbi personat që kanë pasur lidhje biznesi me të zhdukurin, ku edhe flitet për një rrëmbim të mundshëm të tij ditën e 28 gushtit. Ndërkohë, policia ka marrë dëshmi dhe pamje filmike pak para momenteve që të zhdukej biznesmeni shqiptar. Ndërkohë, mjeti i tij u gjet i braktisur, i hapur dhe me xhama të ulur dhe pa çelësa në të, çka lë të kuptohet që Topalli ose të ketë dalë vetë nga makina, për ndonjë punë të shpejtë, ose rrëmbyesit të kenë realizuar planin duke u fshehur pas një mekanizmi që lë të kuptohet që ia mund të jetë edhe larguar vetë.

Po ashtu mediat greke raportojnë se telefoni i tij ka dalë i fikur vetëm pak minuta pasi kamerat e kanë fiksuar duke lëvizur në rrugë. Sipas informacioneve, 46-vjeçari është parë pasditen e së dielës me një grup shokësh dhe në mbrëmjen e së njëjtës ditë do të takohej me një klient në një njësi hoteliere. Policia mendon se të gjitha portat e daljes nga ishulli janë kontrolluar, por pa asnjë rezultat, ndërkohë që po kontrollohen personat që kanë pasur marrëdhënie financiare dhe profesionale me babanë 46-vjeçar. Gazeta ‘Dimokratiki i Rodos’ shkroi se duke qenë se për shkak të punës së tij kishte llogari të hapura dhe po përpiqej të mblidhte detyrimet, është për t’u habitur që ai nuk iu përgjigj një takimi që kishte të hënën në mëngjes me një hotelier, i cilit do t’i paguante 30.000 euro 46-vjeçarit për punën që kishte bërë.

Një natë më parë i zhdukuri dyshohet se ka pasur një takim me një tjetër hotelier, me të cilin kanë rënë dakord për shlyerjen e borxheve nga një projekt tjetër, i cili ka njoftuar autoritetet se takimi i tyre ishte anuluar.