MENU
klinika

Kinostudio "Shqipëria e Re"

Filmat! T’i fshijmë a jo, kjo është çështja!!!

15.09.2022 - 17:23

       Në Shqipërinë e vogël, aq sa të varfër (plot pasuri natyrore) gjallojnë debate të zjarrta, nga temat më jetësore e deri tek ato më elitaret. Dhe nëse nuk ka zgjidhje të merituar – ky, një problem me shumë panjohura, – gjithçka ka një “zgjidhje”: zhdukjen!.. Zhduken nga politika, se i paskësh bërë politika! Ndërsa, vetë artistët shprehen se kanë bërë art dhe brenda kornizave dhe po sot, dalin “korniza të reja”… 

Për aktorin Nikolla Llambro, “Shpërthimi” prodhim i ish-Kinostudios i vitit 1974, është filmi i parë, për të vijuar me dhjetëra role të tjera, ndër vite. Me regji nga Muharrem Fejzo, ky do të ishte i pari rol për të. Aktori vlerëson punën që është bërë ato vite në ish-Kinostudio dhe thotë, se nuk duhet të ndalohen filmat, që janë prodhime para viteve ’90, duke kundërshtuar dhe kërkesën e bërë, për ndalimin e tyre.

“Filmat e prodhuara nga ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”, duhet të ndalohen me ligj, si pjesë e propagandës komuniste”, kjo kërkesë është pjesë e nismës së depozituar në Kuvend, nga një grup deputetësh demokratë, në kuadër të dekomunistizimit.

Por, aktori e quan një sulm monstruoz këtë që po bëhet për filmat shqiptarë, prodhime para viteve ’90 në vendin tonë. Ai thotë se dhe po të bëhet referendum, 70 për qind e popullsisë do të duan që filmi shqiptar të mos preket.

“Larg duart, nga filmat!

Jam kundër këtij sulmi monstruoz, që i bëhet denigrimit të një pune titanike shumëvjeçare, në kushte shumë të vështira të filmit. Propozoj të bëhet referendum popullor për këtë, se jam i bindur që më shumë se 70 për qind e popullit, do të jenë që filmi mos preket. Në se ndodh kjo masakër, unë personalisht do të shpërndaj me qindra, ndoshta mijëra kopje të filmit, miqësisht”, – shprehet aktori që sot jeton dhe zhvillon aktivitetin artistik në shtetin fqinj, Greqi.

Pasuria kombëtare, nuk preket…

Aktori Nikolla Llambro, thotë se nëse bëhet një seleksionim i filmavetë prodhuar në ish-Kinostudio, i bie që të mos mbetet asnjë film.

“Me sa jam informuar përciptazi nga “studimet e vyera” të këtyre myteberëve dhe nëse bëjnë këtë seleksionim të prodhimtarisë së filmave në 30 vjetët e atëhershme, i bie që të mos mbetet asnjë film i gjallë!

Nuk korrigjohet veprimtaria politike as e njërës palë, as e palës tjetër duke masakruar atë që vërtetë është pasuri kombëtare.

Po si në shumë aspekte të tjera të jetës së kaluar të këtij populli martir, që e masakruan e po masakrojnë, tani i erdhi radha filmit.

Larg duart nga kjo pasuri kombëtare, se në fund, nuk do të mbetet asgjë historike.

Shumë drejtë ajo që tha miku im Mevlan Shanaj, që populli di të zgjedhë dhe të seleksionojë”, vijon më tej, aktori. Aktivitetin në kinematografi

Nikolla Llambro e fillon në vitin 1974 me rolin e Mitaqit, në filmin “Shpërthimi”, regjia Muharrem Fejzo, vijon më pas në 1975, me rolin e Aleksit në filmin “Në fillim të verës”, me regji nga Gëzim Erebara. Më 1978 vjen “Koncert në vitin 1936”, me regji nga Saimir Kumbaro, roli i shoferit Qemal; në vitin 1979 roli i Zeman Mashkullorës, në filmin “Liri e vdekje”, me regji të Ibrahim Muçajt; në vitin 1984, me “Nata e Parë e Lirisë”, regjia nga Esat Musliu, roli i Gaqos, më 1985 vjen me rolin e Gogos, në filmin “Gurët e shtëpisë sime”, nën regjinë e Dhimitër Anagnostit, etj.

Kinostudio “Shqipëria e Re” u themelua më 10 korrik të vitit 1952. Realizimi i parë përfaqësohet me bashkëprodhimin shqiptaro-rus “Skënderbeu”.

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Si "përkthehet" shoqëria e konsumit?

”Qytetërim konsumi” ose qytetërim diktatorial…