Në konferencën e radhës për shtyp nga radhët e Kombëtares shqiptare folën Sokol Cikalleshi dhe Frederik Veseli. Të dy futbollistët u shprehën se grupi shkon gjithë besim për t’u ndeshur me Izraelin.
SOKOL CIKALLESHI
Golat e munguar – Po punojmë shumë këtë javë edhe në këtë aspect. Po bëjmë më të mirën edhe pse grupi nuk është i plotë. Shpresojmë të bëjmë ndeshjen që duam, duke shkuar te pikët. Besoj se do luajmë me dy sulmues, kështu kemi luajtur. Harmonia në grup, kjo do na çojë te suksesi.
Reflektim nga ndeshja e shkuar me Izraelin – Kemi bërë gabime që mund të evitoheshin, kemi bërë edhe analiza me video që kemi parë gabimet. Do i përmirësojmë. Kemi një kundërshtar të vështirë, me grup më të vështirë. Të arrijmë të shënojmë për të marrë tri pikët, kjo na hyn në punë.
Kalimi në Arabi – Jam pak larg, kam kontratë një vjeçare. Po tentoj një aventurë të re, pas këtij viti mund të kthehem te Konya. Në momentin që trajneri e mendon se mund të shërbej si brenda dhe jashtë fushe, jam gati. Kampionati në Arabi nuk është si ai turk. Nëse shënoj besoj se edhe ftesa nuk do mungojë. Nëse nuk do jem në formë, edhe Kombëtaren nuk do e ndihmoj. Do ia lëmë kohës.
Strategjia – Ndeshja është e vështirë, në sfidat e shkuara kemi fituar edhe në Izrael. Po shohim të gjitha mundësitë, ndoshta trajneri ndryshon edhe skemën për të luajtur më shumë në sulm. Ndoshta do ketë edhe ndryshime taktike. Jam i sigurt se trajneri do bëjë më të mirën me këtë pjesë.
Eljon Toçi, “Cikalleshi i ri”? Është një ogur i mirë, është një lojtar me potencial. Ka kohë për t’u përmirësuar. Të bëjë më të mirën te ekipi i tij dhe do meritojë vendin në Kombëtare. Të bëhet shumë herë më i mirë se Cikalleshi, të mos e krahasojnë me mua” – tha Cikalleshi.