MENU
klinika

Plani i Kongresit Amerikan

Investime dhe demokratizim i Ballkanit Perëndimor

30.09.2022 - 12:21

Nga Valbona Zeneli & Joseph Vann “National Interest” / Në muajin gusht, një grup senatorësh amerikanë, të udhëhequr nga senatori Jeanne Shaheen, prezantoi një projektligj të ri në Kongresin e SHBA-së. Synimi i tij kryesor është të rrisë volumin tregtar dhe investimet midis Shteteve të Bashkuara dhe 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe të promovojë përparimin e demokracisë në këtë rajon.

Senatorët amerikanë e kuptojnë shumë qartë rëndësinë strategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Vlen të përmendet qartësia e mendimit në të gjithë projektligjin e propozuar.

Ai përshkruan në mënyrë të shkëlqyer një formulë për promovimin e rëndësisë së sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë, dhe të krijimit të institucioneve të forta për të harmonizuar mundësitë e investimeve.

Këto reforma do të adresojnë dobësitë e shumta që ka aktualisht rajoni. Më e rëndësishmja:ky projektligj i propozuar, nuk i shmanget theksimit të efekteve paralizuese që kanë korrupsioni dhe qeverisja e paqartë. Në të pëdoret një gjuhë e qartë, e cila do të ndihmojë në zhvillimin e strategjive kombëtare kundër korrupsionit.

Ai përbën një këmbanë paralajmëruese për politikanët shumë të njohur, që kanë përfituar deri tani nga kultura e pandëshkueshmërisë. Koha e tyre po mbaron. I pasur me shumë detaje që flasin mbi mundësitë e investimeve, zhvillimin e infrastrukturës, migrimin e jashtëm dhe rolin jetik të grave në shoqëri, ai promovon rëndësinë e integrimit në BE dhe NATO për vendet që dëshirojnë këtë.

Pra është një punë e jashtëzakonshme. Nëse miratohet ky projektligj dhe financohet në mënyrën e duhur, ai do sigurojë mbështetjen e nevojshme për ta futur rajonin në një rrugë që do përmbushë vetë emrin që mban drafti:Akti i Demokracisë dhe Prosperitetit të Ballkanit Perëndimor.

Duket se Amerika i është kthyer sërish rolit të një “inkubatori ekonomik” për këtë rajon të varfër dhe të lënë pas dore të Evropës. Distanca gjeografike e saj mund të jetë një bekim. Roli i Shteteve të Bashkuara, ka qenë jetik në dhënien fund të konflikteve të përgjakshme të rajonit në vitet 1990.

Por paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor nuk mund të ndodhë pa krijimin e terrenit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe demokratik. Sfidat e vërteta të sigurisë në rajon, burojnë nga premtimet iluzionare të pafundme të tranzicionit.

Sërish i kthehemi kombinimit toksik të lidershipit të korruptuar, i cili vazhdon të ushqejë varfërinë, anshmërisë në sundimin e ligjit, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përveç këtyre, në sfond janë edhe efektet e shtuara destabilizuese të aktorëve të ndryshëm dashakeqë: Rusia, Kina dhe së fundmi Irani me sulmet e tij kibernetike në rajon.

Ndikimi rus dhe ai kinez në rajon, po ringjall një epokë të re të konkurrencës strategjike, dhe ilustron më së miri se Ballkani Perëndimor shihet si pika më e dobët e shfrytëzueshme e Evropës. Fushatat e pandërprera keqinformuese ruse dhe kineze, janë vetëm një nga aspektet e përpjekjeve të tyre për të destabilizuar rajonin.

Përdorimi si një armë i furnizimeve me energji nga Rusia, dhe diplomacia e ‘kurthit të borxheve’ e Kinës, kanë pasur një efekt shumë negativ në rajon. Disa vende kyçe të Ballkanit Perëndimor varen ekskluzivisht nga energjia ruse, gjë që i jep Moskës një ndikim të jashtëzakonshëm si në rastin e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje Hercegovinës.

Strategjia e Kremlinit, është të pengojë çdo integrim në NATO dhe BE të këtij rajoni. Moska do të vazhdojë të përdorë mjetet e saj të luftës hibride për të shfrytëzuar institucionet e dobëta, politikanët e korruptuar dhe për t’i politizuar tensionet etnike dhe fetare.

Kina po përdor një taktikë të ndryshme, duke iu qasur rajonit si një portë tregtare për të çuar përpara nismën e saj “Një Brez, Një Rrugë”. Ballkani Perëndimor është një portë kyçe drejt Evropës Perëndimore. Infrastruktura e dobët e rajonit, mungesa e kapitalit, rregullat e dobëta të prokurimit publik, të punës, dhe rehatia e lidershipit me praktikat korruptive, e bëjnë atë një hapësirë ideale për kreditë e lehta që jep Kina, së bashku me sërë metodash të tjera të fuqisë së saj të butë për të fituar ndikim.

Aktualisht në rajon ka rreth 122 projekte kineze, me një vlerë prej rreth 31 miliardë dollarë, ku më shumë se 70 për qind janë dhnë në formën e huadhënies me koncesion. Kjo përbën gati 40 për qind të stokut total të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) në 5 vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës, e cila nuk njihet si shtet nga Pekini.

Vlerësimi i aktivitetit të investimeve kineze nuk është i lehtë, pasi Kina kërkon zakonisht klauzola të rrepta konfidenciale në marrëveshjet e saj të investimeve, të cila e kufizojnë transparencën dhe mbështesin korrupsionin. Ndaj volumi i aktivitetit kinez është shqetësues.

Sipas AidData, rreth 2 miliardë dollarë ndihmë kineze për zhvillim janë shpenzuar në rajon që nga viti 2000, duke i dhënë Kinës një terren të pamohueshëm. Projektet kineze janë të mirë-synuara. Ato përfshijnë grantet për administratën publike, donacionet për modernizimin e bujqësisë, shkollat, faljen e borxheve dhe Institutet Konfuci.

Krijimi i mundësive për të rinjtë, është një parakusht për të ngadalësuar migrimin masiv të jashtëm dhe ikjen e më të arsimuarve nga rajoni. Kjo e fundit nxitet nga dëshpërimi ekonomik dhe institucional. Në vitin 2021, të ardhurat mesatare për frymë të 6 vendeve të Ballkanit ishin rreth 7.000 dollarë. Pra as sa 15 për qind e të ardhurave mesatare të BE-së,

dhe pak më shumë se 10 për qind të të ardhurave për frymë në SHBA. Konvergjenca e shumë0dëshiruar ekonomike me Perëndimin nuk ka ndodhur.

Tregtia midis Shteteve të Bashkuara dhe Ballkanit Perëndimor është minimale. Sipas OKB Comtrade, ajo ishte më pak se 1.5 miliardë dollarë në vitin 2021. Ndërkohë po vitin e kaluar nivelet e tregtisë midis Shteteve të Bashkuara dhe BE-së arritën në 760 miliardë dollarë. Marrëveshjet e mundshme të tregtisë së lirë të SHBA-së me Ballkanin Perëndimor, do të shërbenin si një shtytës për rritjen e niveleve të tregtisë dhe investimeve, dhe do të lehtësonin integrimin e rajonit në tregun e përbashkët evropian.

Një treg shumë i zhvilluar me 18 milionë konsumatorë, me një PBB prej 132 miliardë dollarësh, Ballkani Perëndimor ka potencialin të bëhet një rajon i ekonomive me rritje të shpejtë, që mund të lidhet lehtësisht me tregun e përbashkët të BE prej 17 trilion dollarësh.

Megjithatë, sipas Konferencës së OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin, 6 vendet e marra së bashku kanë tërhequr më pak se 0.2 për qind të stokut të investimeve të huaja direkte globale Po ashtu, sipas Byrosë së Analizave Ekonomike të SHBA-së, stoku total i investimeve të huaja direkte të SHBA-së në rajon është vetëm 900 milionë dollarë, krahasuar me rreth 4 trilion dollarë në ekonomitë e Bashkimit Evropian. Gjithsesi, rajoni është shumë dinamik në aftësinë e tij për të reaguar shpejt, siç shihet në rastin e Shqipërisë.

Në vitin 2021, Shqipëria përjetoi një rritje prej 70 për qind të intimeve të huaja direkete IHD nga SHBA (nga 99 në 168 milionë dollarë) falë investimeve të reja në sektorin e energjisë. Me shënjestrimin e duhur të investimeve, Ballkani Perëndimor mund të bëhet një qendër kritike për “Ally-shoring”, duke stimuluar prodhimin e mallrave jetike brenda ekonomisë transatlantike. Kjo mund të jetë një mënyrë e zgjuar për të krijuar tepricë në sektorët kryesorë të sigurisë kombëtare, dhe për të eliminuar varësitë nga Kina dhe Rusia.

Investimet në energji, automatizim, robotikë dhe inteligjencë artificiale, do të ishin me kosto efektive në një periudhë afatgjatë dhe do krijonin kapacitete brenda komunitetit transatlantik. Investimet në këta sektorë, do të nisnin projektet e nevojshme të infrastrukturës dhe do të krijonin mundësi të reja punësimi.

Në analizë përfundimtare, ndihma për vendet e Ballkanit Perëndimor është në interesin kolektiv të sigurisë kombëtare të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara. Rëndësia gjeostrategjike e Ballkanit Perëndimor u theksua qartë gjatë stërvitjes ushtarake “Defender-Europe 21” të udhëhequr nga SHBA, që tregoi rolin jetik që luajnë vendet e NATO-s dhe aspirantët në mbështetjen e aleancës transatlantike.

Rëndësia e tij u bë edhe më e madhe pas pushtimit rus të Ukrainës. Rikthimi i konfliktit në Evropë, bën që vizioni i një Evrope të lirë, në paqe dhe i aftë të përparojë, duhet të mbetet objektivi ynë i përbashkët. Nëse të kundër, si pasojë e mosveprimi, rajoni do të bjerë nën ndikimin e fortë të aktorëve të këqij si brenda ashtu edhe jashtë tij.

Ndryshimi i situatës në rajon nuk do të jetë i lehtë. Do të jetë një mision i vështirë. Por sapo të nisë të përmbyset qeverisja e keqe, dhe investimet të drejtohen për të nxitur rritjen ekonomike, do të fillojë të ndodhë edhe ndryshimi i madh.

Shënim:Valbona Zeneli, profesore e studimeve të sigurisë kombëtare dhe drejtuese e Departamentit të Iniciativave Strategjike në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë George C.Marshall. Joseph Vann, profesor i studimeve të sigurisë kombëtare në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë George C.Marshall.

Ka dhënë kontribut të çmuar për Kombëtaren

Ish lojtari i Kombëtares kandidon për deputet

Vuçiç mungoi në hapjen e Notre Dame

Pse presidenti kishte frikë të shkonte në Paris

“Privilegj i madh të shërbej si ambasador në Kosovë”

Hovenier vlerësohet me urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”

Dy liderët flasin dhe për marrëdhëniet Prishtinë-Beograd!

Vuçiç takohet me Scholz, diskutojnë për nxjerrjen e litiumit në Serbi!

“Nuk do largohem nga Serbia siç veproi Assad në Siri”

Vuçiç akuza shërbimeve të huaja inteligjente: Duan të më rrëzojnë, por unë…