Armando Broja ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes së Kombëtares kundër Izraelit, e vlefshme për Ligën e Kombeve. Sulmuesi i kuqezinjve që po kalon një formë të mirë është shndërruar në pikë referimi për Shqipërinë.
Ai është pjesë e Chelsea-it në Premier League duke qenë në qendër të vëmendjes së medieve botërore. Në fjalën e tij para gazetarëve, 21-vjeçari nga Malësia e Shkodrës tha:
“Mendimi im është se këto ndeshje janë të rëndësishme dhe duhen 6 pikë. Trajneri e bën ekipin, siç e tha Laçi, ai ka ka bërë disa skema për të fituar ndeshjen. Inshallah fitojmë 3 pikë. Më e rëndësishme është të marrim 3 pikë.
Titullar? S’e di, po shohim. I bën trajneri zgjedhjet. Nëse më fut, do të jap maksimumin. Shpresojmë me 3 pikë.
Izraeli? E dimë që do të jetë ndeshje e vështirë. Këtu na mposhtën 2-1. Na duhet fitore dhe shpresojmë të marrim më të mirën. Për mua s’ka shumë presion se po luajmë për qej, për fitore. Kam luajtur që 3 vjeç futboll. Dua të ndihmoj skuadrën.
Mungesa e minutave? Gjithmonë jam në formë. Po bëj stërvitje çdo ditë. Ne e dijmë që është e vështirë të futesh te Chelsea se sa te Southampton. Jam fizikisht mirë. Po vazhdojmë të stërvitemi mirë si skuadër. Vetëm fitore dhe 3 pikë duam”, tha ai.