MENU
klinika

“Çfarë është letërsia?”

Liria. Pafajësia. Realizmi. Ne i nënshtrohemi kapitalizmit

19.09.2022 - 12:54

       Edhe një herë, Zhan-Pol Sartrë shkruan “Çfarë është letërsia?”, për të mbrojtur veten, duke argumentuar, nga gjykimi e militantizmit. Ose më saktë, nga akuza për të besuar vetëm në letërsinë e përkushtuar. Për më tepër, të besosh në prozën e përkushtuar (pasi poezia, sipas tij, i përgjigjet një logjike tjetër: “refuzon të përdorë gjuhën” dhe “i përdor fjalët si sende dhe jo si shenja”)./Konica.al

Përse Sartri detyrohet të mbrojë këtë ide të letërsisë, të mbrojë vlerën e letërsisë së përkushtuar? Sepse “funksioni i shkrimtarit është të sigurojë, që askush të mos mund ta injorojë botën ose të jetë i pafajshëm karshi saj”. Dhe sepse, sipas tij, shkrimtari nuk duhet të synojë stilin, por ta ketë medoemos atë, më tepër të përpiqet ta harrojë dhe të bëjë të harrohet:

“Stili, pa dyshim, i jep vlerë prozës, por duhet të kalojë pa u vënë re”. Përkundrazi, kërkesa për liri nuk duhet të kalojë pa u vënë re, domethënë bashkëfajësia që krijohet mes shkrimtarit dhe lexuesit, në mënyrë që liria e lexuesit ta gjallërojë veprën e shkrimtarit. Liria është termi kyç për të kuptuar atë vepër dhe në përgjithësi, idenë e letërsisë militante.

Pyetja kryesore është: ne, si qenie njerëzore, a duhet t’i përkushtohemi botës, të përdorim lirinë tonë për të na bërë protagonistë dhe “përmirësues”, apo ne, si qenie njerëzore, si shkrimtarë, duhet ta lëmë atë të vazhdojë sipas dëshirës së saj, ku ne jemi efektet dhe jo përcaktuesit e lirë? Pyetja e nënkuptuar që Sartri u shtron bashkohësve të vet ka vazhduar të bërbëlisë në ndërgjegjet tona për dekada me radhë, madje në ditët e sotme ka një vlerë thelbësore, pasi fatalizmi dhe zhgënjimi që shoqërojnë epokën tonë të “nënshtrimit” ndoshta nuk kanë precedent tek askush të kohëve të mëparshme. Në të vërtetë, sot mbizotëron një ndjenjë konformiteti (në kuptimin social dhe borgjez, por edhe në atë filozofik e moral) që konfigurohet si një lloj detyrimi për të ekzistuar. Ku të jesh, do të thotë të angazhohesh për të sfiduar ekzistuesen, etika mbizotëruese parapëlqen, dukshëm gjithnjë e më shumë, të jesh aty në shpengimin më të plotë për të përfituar nga ajo dukshmëri, nga ai gëzim dhe nga ajo ndjenjë përkatësie dhe radhitjeje që sot mund ta sigurojë përkatësia në sistem.

Sartri e pohon atë, pa diskutim: “Sa më shumë të kënaqeni duke ndryshuar botën, aq më shumë gjallëri do t’i jepni”. Dhe ai shton, në polemikë me realizmin dhe në veçanti me realizmin socialist: “Gabimi i realizmit ishte të besosh, se realja zbulohet në soditje”./Konica.al

Nëse do të dëshironim të përditësojmë termat e fjalimit të tij, duke zëvendësuar fjalën realizëm me fjalën kapitalizëm, do të zbulonim se mendimi i Sartrit ruan një aktualitet të habitshëm. Sot realizmi më i dëmshëm është t’i përmbahesh ideologjisë kapitaliste me një frymë soditëse, sikur asgjë më kritike kundër afirmimit të saj përfundimtar. Angazhimi, të qenit kundër kapitalizmit, thjesht asgjësohet nga vetë sistemi i kapitalizmit, i cili pretendon një qenie soditëse, domethënë t’i përmbahet pa asnjë angazhim kontestues, në fakt sanksionon triumfin e atij pasiviteti dhe atë nënshtrim, që në gjuhën e Sartit mund të ishte refuzuar si “nënshtrim” dhe, sipas termit gramshian, si “indiferencë”.

Ja pse, “Çfarë është letërsia?” vazhdon të na dërgojë dritën e saj. Sepse në thellësinë më intime të denoncimit të tij të indiferencës, ai lëshon një paralajmërim për të gjithë, veçanërisht për atë plejadë të pafund shkrimtarësh që, larg propozimit të një diskursi lirie dhe shpengimi, përkushtimi dhe kontestimi, veprojnë në thelb për konsensus, ose më saktë për ruajtjen dhe konformizmin. Sikur, në fakt, ashtu siç mendonin përkrahësit e socializmit sovjetik me realizmin e tyre socialist, nuk mund të ketë botë më të mira se ajo kapitaliste. Ose të paktën, nuk ka arsye, apo kufij, që bota kapitaliste të jetë vërtet, domethënë me angazhim të plotë letrar, e kritikuar, apo edhe e çliruar nga zgjedhat e saj./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Tundimi i postrealitetit

Grimaldi – realiteti i padukshëm