Kapiteni Elseid Hysaj dhe sulmuesi Armando Broja pritet ta nisin nga stoli ndeshjen e sotme ndaj Islandës, që do të luhet në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania” dhe është e fundit për këtë edicion në Ligën e Kombeve.
Trajneri Edi Reja ka pasur në dispozicion vetëm dy ditë kohë për të përgatitur këtë takim dhe në krahasim me sfidën ndaj Izraelit, ndryshimet janë të mëdha, jo vetëm në emra apo pozicione, por gjithashtu sa i përket variantit taktik.
Shqipëria do ta nisë me skemën 3-5-2, ku risia në qendër të mbrojtjes është Klaus Gjasula, i cili për herë të parë luajti në këtë pozicion me fanellën kuqezi në pjesën e dytë të ndeshjes në Izrael.
Por cilat janë pesë ndryshimet nga Izraeli tek Islanda?
Arlind Ajeti, i rikthyer si titullar në Kombëtare, do të mungojë sot për shkak se ka pasur probleme shëndetësore në dy ditët e fundit. Reja ka provuar në stërvitje një formacion pa Hysajn dhe Brojën, por gjithashtu ka ulur në stol edhe Asllanin e Laçin.
Kësisoj, vendin e këtyre pesë lojtarëve do ta marrin në formacionin kuqezi ndaj Islandës Veseli në mbrojtje, Ramadani, Bajrami dhe Lenjani në mesfushë, si dhe Uzuni në sulm.
TITULLARËT – Reja ka konfirmuar Strakoshën në portë, edhe pse Berisha është i gatshëm, pasi e ka kaluar plotësisht dëmtimin që pësoi disa javë më parë. Në skemën me 3 mbrojtës të lirë do të luajnë Ismajli, Gjasula dhe Veseli.
Nga krahët e mesfushës që përbëhet nga pesë lojtarë do të pozicionohen Balliu në të djathtë dhe Lenjani në të majtë, me këtë të fundit që nuk luajti asnjë minutë në Izrael.
Në qendër ka fituar një fanellë titullar Ramadani, ndërsa afër tij do të jetë Abrashi dhe gjithashtu i spostuar pak më majtas Nedim Bajrami. Dyshja e sulmit përbëhet nga Uzuni dhe Cikalleshi, teksa kavajasi pritet të mbajë edhe shiritin e kapitenit.