Një ditë pas protestës para inceneratorit të kryeqytetit, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, iu përgjigj deklaratave të kreut të SPAK, i cili u shpreh se në lidhje me këtë çështje janë në hetim ministra dhe deputetë.
Për kreun e PL, kjo deklaratë nuk është e mjaftueshme, pasi sipas tij Shqipërisë i duhet një drejtësi e shpejtë pasi qeveria mund të konsumojë afera të tjera. “Ata mund të qëndrojnë në hetim dhe 100 vite. Këtu për 100 vite bëhen dhe 10 afera të tilla. Duhet drejtësi që vepron në kohë kur kemi të bëjmë me fakte. Nëse drejtësia vonon, mungon, këta marrin kurajë për të bërë afera të tjera në dëm të popullit shqiptar. 26 vende ka humbur Shqipëria në 6 vite. Njerëzit që kanë pushtet, firmosin për tenderë, koncesione, licenca, prona publike, nuk kanë frikë nga drejtësia e re se e ndiejnë që e kanë atë në kontroll. Nuk po them se kanë qenë gjërat perfekte, por flasim për t’i përmirësuar”, tha Meta në një intervistë për “RTV ORA”.
Ndërkohë, i pyetur nëse ky është një presion që po ushtrojnë ndaj drejtësisë, Meta thotë se opozita po e ndihmon të dalë nga kapja e Edi Ramës.
“Ne nuk i bëjmë presion drejtësisë, e kemi ndihmuar. Është presion t’i çosh letrat? Presion është të bësh një deklaratë politike, por jo t’i çosh letra përditë, fakte, shkresa, dokumente. A e kanë kontratën e inceneratorit, kur duhet të ishte bërë, me lekët e kujt? Është bërë, nuk është bërë, pse jepet ky shërbim? Unë nuk kam ndonjë instrument për t’i bërë presion, përveç komunikim it me publikun. Ai (Edi Rama) ka gjithë shtetin. Kontrollon gjithë procesin e vetingut, i merr gjyqtarët kur nuk i pëlqejnë. Gjithë prokurorët e SPAK kanë kaluar vetingun dhe vetingun e ka kontrolluar Edi Rama, e dimë të gjithë. Prokurori i Përgjithshëm u zgjodh me 69 vota, në mënyrë antikushtetuese kur Kushtetuta thoshte me 84. Prokurori u përdor për të krijuar KLP, KLP zgjodhi SPAK dhe gjithë hetuesinë. Ai thotë SPAK është krijesa jonë. Me çmenduri, procedura, mashtrime kanë kapur sistemin e drejtësisë. Kjo nuk do të thotë që ne të mos i ndihmojmë ata që duan të bëjnë punën e tyre që të dalin nga kjo kapje, por ky nuk është presion”, vijoi ish-Presidenti.
AKUZA
Ndërkohë, përsëriti akuzën ndaj Kryeministrit Rama se qëndron në krye të aferës së inceneratorëve. “Rama është në krye të një organizate kriminale, sepse është vullneti i tij që janë bërë 14 vendime brenda ditës që i kanë hapur rrugën këtij procesi dhe janë kundërshtuar nga një ish-ministër Financash. Sa i takon aferës së Tiranës, kemi një firmë në kundërshtim me ligjin nga kryetari i bashkisë që ka rrëmbyer kompetencat e Këshillit Bashkiak. Me një firmë ai ka futur në borxh qytetarët e Tiranës për 30 vite, kur atje nuk ekziston inceneratori. Shërbimet dhe investimet atje nuk ekzistojnë dhe paratë janë marrë nëpër banka duke vënë koletaral pronat e shtetit”, u shpreh Meta. Sakaq, justifikoi mungesën e Berishës në protestë me formatin e tubimit. Ai tha se protesta ishte për mesazh dhe jo për masivitet.