MENU
klinika

Bijë e peotes!

Nëna ime, shumë e çuditshme… Aspak si nënë

01.09.2022 - 22:46

        Dita e më e dashur e saj, është ajo e Lajmërimit. Ajo është melankolike, e shpejtë, e do poezinë dhe muzikën. Është e durueshme, duron përherë më shumë se ç’duhet. Ajo zemërohet dhe dashuron. Gjithmonë duke nxituar për diku. Zemra e saj, është tejet e madhe. Zë të ëmbël. Hapin e shpejtë./Konica.al

Marina, gjatë natës lexon. Thuajse gjithmonë e sheh me sytë qesëndisës. Nuk i pëlqen ta mundojnë me pyetje idiote, kështu që zemërohet shumë. Nganjëherë sillet rrotull e përhumbur, por befas duket se vjen në vete dhe fillon të flasë, më pas sërish të krijohet përshtypja se po largohet kushedi se ku.

Për punën, ishte e aftë të shtynte çfarëdo gjëje tjetër. Këmbëngul: çfarëdo qoftë. Mbushte një filxhan kafeje të nxehtë dhe e vendoste mbi tryezën e punës, ku ulej çdo ditë të jetës së saj, si punëtori në makineri: me të njëjtën ndjenjë përgjegjësie, pashmangshmërie, pamundësie për të bërë ndryshe. Shtynte mënjanë gjithçka që nuk i duhej në tavolinë në atë moment, duke bërë vend, me një gjest mekanik, për fletoret dhe bërrylat. Mbështeste ballin mbi njërën dorë, me gishtat që i lëvizte nëpër flokë dhe përqendrohej aty për aty. Ishte e verbër dhe e shurdhër ndaj gjithçkaje që nuk ishte dorëshkrim, në të cilin ajo godiste vërtet me majën e stilolapsit dhe mprehtësinë e mendimit. Letrave iu përgjigjej pa vonesë. Nëse merrte ndonjë letër nga posta e mëngjesit, e shënonte menjëherë përgjigjen, në fletore, sikur ta fuste në rrjedhën krijuese të ditës. U rezervonte letrave të njëjtin qëndrim krijues dhe thuajse të njëjtin kujdes, që përdorte kur krijonte.

Ariadna Efron, vajza e madhe e Marina Cvetajevës, i kushton nënës faqe plot dashuri dhe admirim të pakufishëm për qenien e pakapshme dhe të egër që ishte poetja më e madhe ruse e epokës së saj./Konica.al

Prej saj, ajo tregon se ka mësuar gjithçka: të jetojë me imagjinatë momente të vështira, të shijojë dhuratën e poezisë dhe miqësisë, të vlerësojë kënaqësitë e thjeshta të përditshme edhe në momentet më të errëta të ekzistencës së tyre. “Fakti që kisha gjithsej dy fustane, nuk më shtynte të ëndërroja një të tretë”, – kujton Ariadna, duke kujtuar fëmijërinë e kaluar në mërgim në Pragë, më pas në Paris, ku Marina dhe bashkëshorti i saj, Sergej e përballuan me guxim, dinjitet, madje dhe me humor varfëri dhe vështirësi të të gjitha llojeve.  Me pjesëmarrje dhe aftësi të pazakonta të të shkruarit, Ariadna përshkruan përqendrimin absolut me të cilin, Marina abstenonte ndaj gjithçkaje, për të mbushur fletoret e saj me poezi, jetën e mërgimit, miqësitë e forta krijuar gjatë takimeve dhe korrespondencave të çmuara me bashkohësit e saj të mëdhenj: Majakovskin, Pasternakun, Ahmatovën, Rilken.

E palëkundur është edhe nostalgjia për atdheun, edhe pse tashmë ndryshe dhe e humbur. Pasi u kthye në Rusi, edhe Ariadna, njëlloj si i ati, Efron, i konsideruar armik i popullit, i arrestuar dhe i pushkatuar, njohur deportimin në gulag dhe kujtimet i ngrijnë para gjestit të dëshpëruar të së ëmës – vetëvrasja, sepse ndihej e vetme dhe e braktisur nga të gjithë. Dëshmia e saj therëse na jep një portret të gjallë dhe drithërues të madhështisë së Marinës, të aftësisë së saj për të qëndruar në ekuilibër mes abiseve dhe majave të ndjenjave të saj, të origjinalitetit të shikimit të qashtër dhe të përvuajtur që dukej se vinte nga një tjetër planet.

 

(“Nostalgji për atdheun: një thirrje fatale” nga Marietta Cudakova. (“La Tartaruga”)./Konica.al

 

 

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit