Fakulteti i Drejtësisë në Tiranë vazhdon të mbetet ndër më të kërkuarit, duke ofruar këtë vit të ri akademik 640 kuota gjithsej.
Reforma në Drejtësi, një proces që nisi në 2018-tën, është një arsye tjetër e fortë që i nxit maturantët të nisin studimet pranë këtij fakulteti.
“Ne kemi pasur 4429 aplikime për 640 kuota gjithsej dhe aplikanti i fundit ka një mesatare prej 9.12 pikë. Pra një në 7 aplikantë fiton të drejtën të studiojë në këtë fakultet. Kjo do të thotë se ky institucion i arsimit të lartë ka ruajtur trendin dhe mbi të gjitha standardin e lartë. Ne jemi shkëputur tashmë nga sistemi i vjetër i Bolonjës 3+2 dhe aktualisht ndjekim ciklin e integruar të nivelit të dytë që njihet si Master i Shkencave në Drejtësi. Është një cikël 5 vjeçar dhe sigurisht që i ka dhënë frutet e saj edhe pse është viti i 4 i aplikimit.
Ciklet që ne ofrojmë, jo vetëm që kanë programe kurrikulash shumë të mira, por nga tjetër kanë gjetur mbështetjen dhe vëmendjen e ndërkombëtarëve. Unë mund të përmend Masterin Ekzekutiv në Kriminalogji që është një program i ciklit të tretë, në bashkëpunim edhe me Fakultetin e Shkencave Sociale.
Në këtë program me 25 kuota, ne kemi gjetur mbështetje shumë të madhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë ofruar gati gjysmë milionë dollarë, vetëm për këtë cikël studimi, në mënyrë që t’i jepet hov kërkimit shkencor dhe sigurisht edhe mësimdhënies.
Reforma në Drejtësi, për shkak të kontrollit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe duke qenë se një pjesë shumë e madhe e tyre nuk e kanë kaluar, kjo do të thotë se ka shumë vende vakante dhe sigurisht që numri i fituesve në konkursin e magjistratëve është rritur. Kjo do të thotë se janë mundësi shumë më të mëdha, që një studenti që zgjedh të studiojë Drejtësi, i ofrohen më shumë mundësi për të qenë prokuror apo gjyqtar në të ardhmen”- shprehet Dorina Hoxha, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë, Tiranë.
39 universitetet publike dhe private në vend I kanë shpallur tashmë listat e aplikantëve fitues. Regjistrimi I tyre nis në 2 shtator dhe procesi kryhet në 7 faza 48 orëshe duke u mbyllur në 15 shtator.
“Degët inxhinierike, përfshirë edhe Teknologjinë e Informacionit dhe Informatikës përbëjnë numrin më të madh të kërkesave të maturantëve me formularin A2, me rreth 25.2%. Me 23.8 % në vend të dytë renditen degët e Shkencave Mjekësore, plus Infermierinë. Në vend të tretë janë programet Ekonomike, në të 4 është Mësuesia, kurse në 5 renditen Programet Profesionale 2-vjeçare, një shenjë e mirë kjo që do të thotë se maturantët po fokusohen drejt atyre programeve dhe gjitëh ata maturantë që kanë mesatare poshtë 6.5 sërish kanë një shanc shumë të mirë për të ndjekur studimet universitare”- shprehet Arjan Xhelaj nga Rrjeti Akademik Shqiptar.