MENU
klinika

Dita e parë e shkollës

Për të tretin vit radhazi mësimi do të bëhet me turne

12.09.2022 - 12:47

Mes emocioneve dhe entuziazmit të nxënësve, mësuesve dhe prindërve ka nisur viti i ri shkollor edhe në Durrës, ku mësimi me turne mbetet ende një sfidë.

“Çdo vit ka emocionet e veta. I uroj të gjithë nxënësve dhe kolegëve të mi në Durrës e kudo në Shqipëri suksese dhe vit të mbarë shkollor. Shkolla është me kushte shumë të mira. Çdo gjë e rregullt dhe klasat janë përgatitur që nxënësit të ndjehen mirë.”

“I uroj fëmijëve suksese dhe si prindër ndjehemi me ato kënaqësitë tona, me sfidat që na presin përpara e që presim t’i kalojmë bashkë me fëmijët tanë.”

Për të tretin vit radhazi disa mijëra nxënës do ta zhvillojnë mësimin në turnin e pasdites pasi ende një pjesë e shkollave të dëmtuara nga tërmeti janë të shembura dhe disa në proces rindërtimi. Të tjera që janë rindërtuar i kanë hapur dyert për nxënësit e mësuesit e tyre.

Rreth 29 mijë nxënës nisin shkollën në arsimin parauniversitar, ndërsa 1515 nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Amarilda Thërrmija, drejtore e ZVA Durrës siguron se pavarësisht vështirësive, cilësia e mësimdhënies nuk do të cenohet, ndërsa do të vijojnë dhe këtë vit, edhe pse më të lehtësuara protokollet anti-Covid.

“Durrësi ka një specifikë të veçantë pasi vijmë nga 3 vite dëmtime nga tërmeti. Megjithatë kemi 14 shkolla të rindërtuara dhe 12 të tjera në proces rindërtimi. Kemi marrë të gjitha masat në mënyrë që të mos cenohet mbarëvajtja e procesit mësimor.”

Për nxënësit që janë në zona të largëta është mundësuar transporti me autobuzë në shkollat pritëse, ndërsa edhe këtë vit të ri shkollor vijon të jetë i pranishëm fenomeni i uljes së numrit të nxënësve. Sipas specialistëve të arsimit janë disa faktorë që kanë ndikuar në këtë ulje që është më e lartë në arsimin e mesëm se atë 9-vjeçar.

Jo vetëm emigrimi, por edhe faktorë që lidhen me planifikimin familjar kanë krijuar një tendencë për një numër më të reduktuar të nxënësve në institucionet arsimore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN