MENU
klinika

Kundërshtia e BE-së për amnistinë fiskale

Rama takim me ambasadorët e vendeve të huaja në Shqipëri

29.09.2022 - 09:47

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të enjte një takim me ambasadorët e vendeve të huaja në Tiranë. Takimi po mbahet pa kamera dhe mësohet temë e diskutimit është ligji për amnistinë fiskale.

Kujtojmë se vendet e Bashkimit Evropian kanë shprehur një qëndrim të prerë kundër ligjit të amnistisë fiskale për shkak se mund të kthehet në një lavatriçe të pastrimit të parave të organizatave kriminale. Nga ana tjetër kryeministri Rama është shprehur i vendosur se maxhoranca socialiste do ta ndërmarrë këtë nismë.

QËNDRIMET KUNDËR

Pas prezantimit të draftit, Komisioni Europian ka shprehur shqetësime serioze, duke e konsideruar atë një rrezik thelbësor për reputacionin e Shqipërisë. I ashpër ka qenë edhe qëndrimi i Dhomës Amerikane të Tregtisë, sipas së cilës nisma nuk ofron garanci se përmes saj nuk do të vërshojnë para që burimin e kanë nga aktivitetet kriminale. Vënia në zbatim e amnistisë do të sjellë konkurrencë të pandershme në treg duke favorizuar individë me aktivitete të shkuara të paligjshme. Me institucionet ndërkombëtare kundër, kjo iniciativë, sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, do të dëmtonte reputacionin e vendit dhe do të ulte për pasojë mundësinë për të tërhequr investimet e huaja në vend. Kundër draftit të qeverisë ka dalë edhe Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë. Përmes një deklarate për mediat, vihet në dukje se nisma do të sillte pasoja në aspektin afatgjatë, pasi do të nxiste bizneset formale për të kaluar në informalitet me shpresën e një amnistie të dytë fiskale. Në projektligjin e amnistisë fiskale parashikohet deklarimi vullnetar i pasurisë përkundrejt një detyrimi tatimor modest që varion nga 5 deri në 10 për qind. Kjo, sipas DIHA-s, është një politikë e padrejtë në raport me ato sipërmarrje, të cilat kanë përmbushur të gjitha detyrimet në mënyrë të rregullt.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Mos qani hallin e BE dhe SHBA, i kanë punët në rregull”

BE kundër, Rama i prerë: Amnistia fiskale do të bëhet!