MENU
klinika

‘Shi diamantesh’ në botët e largëta

Shkencëtarët zbulojnë fenomenin e çuditshëm

06.09.2022 - 09:42

Mund të jetë duke rënë shi me diamante në planetet në Univers, kështu janë shprehur shkencëtarët të cilët përdorën plastikë të zakonshme për të rikrijuar reshjet e çuditshme që besohet se krijohen brenda Uranit dhe Neptunit.

Më përpara shkencëtarët kishin hedhur teorinë se presioni dhe temperatura jashtëzakonisht e lartë, e kthejnë hidrogjenin dhe karbonin në diamante të ngurtë mijëra kilometra nën sipërfaqen e akujve gjigand.

Sipas studimit të publikuar në Science Alert, shkencëtarët futën edhe oksigjen duke zbuluar kështu se ‘shiu i diamanteve’ mund të jetë më i zakonshëm sesa mendohet.

Gjigandët prej akulli si Neptuni dhe Urani mendohet të jenë forma më e zakonshme e planetëve jashtë sistemit tonë Diellor, kjo nënkupton se ‘shiu i diamanteve’ mund të ndodhë në të gjithë Universin.


Një nga autorët e këtij studimi, Dominik Kraus, u shpreh se reshjet e diamantit ishin krejtësisht ndryshe nga shiu në planetin Tokë.

Sipas tij, nën sipërfaqen e planetëve mendohet të jetë një lëng i nxehtë dhe i dëndur, aty diamantet formohen e më pas zhyten ngadalë në bërthamat shkëmbore,më shumë se 10.000 kilometra poshtë, të cilat kanë pak a shumë madhësinë e Tokës.

Këto diamante mund të mos jenë të shndritshëm dhe të prerë si një perlë e bukur në një unaze, u shpreh fizikanti, teksa shtoi se ata janë formuar nga forca të ngjashme si në Tokë.

Ekipi hulumtues synuan ta përsërisnin procesin, ata gjetën përzierjen e nevojshme të karbonit, hidrogjenit dhe oksigjenit në një burim që është lehtësisht i gjetshëm, plastika PET, e cila përdoret për paketimin e përditshëm të ushqimit dhe shishet.

“Oksigjeni që është i pranishëm në sasi të mëdha në ato planete ndihmon në thithjen e atomeve të hidrogjenit nga karboni, kështu që është më e lehtë që diamantet të formohen”, tha fizikanti duke shtuar se dritat me rreze shumë të shkurtra X, me shkëlqim të jashtëzakonshëm i lejuan ata të shikonin procesin e nanodiamateve (diamantë tepër të vegjël për t’u parë me sy të lirë), teksa formoheshin.

Gjithashtu shkencëtarët po përpiqen të zbulojnë mënyra të reja për të prodhuar nanodiamante. E megjithatë, i gjithë hulumtimi i shiut të diamantit mbetet hipotetik sepse për Uranin dhe për Neptunin, të cilët janë planetet më të largët në Sistemin tonë Diellor, dihet shumë pak.