Nga: Aurenc Bebja
“Stamboul” ka botuar, të martën e 28 prillit 1914, në ballinë, deklaratat e ministrit të Financave Filip Noga, për “La Tribuna”, gjatë vizitës në Kostandinopojë, në lidhje asokohe me zhvillimin e Shqipërisë, që Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e sjell për publikun shqiptar:
Deklaratat e z. Filip Noga
Romë, 27 prill.
“La Tribuna” publikon disa deklarata të ministrit të ri shqiptar të financave, z. Filip Noga, gjatë vizitës së tij në Kostandinopojë.
Ministri i ri është sinqerisht optimist për të ardhmen e Shqipërisë.
Ai beson se, si vështirësitë mes Greqisë dhe Shqipërisë, ashtu edhe ato mes Shqipërisë dhe Serbisë, mund të zgjidhen, pa shumë vështirësi. Zoti Noga pohoi, se popullariteti i Princ Vidit po rritet çdo ditë e më shumë në të gjithë Shqipërinë, vend që dëshiron vetëm paqe dhe punë.
Ai shtoi se një program i tërë i gjerë punimesh për rritjen e principatës së re, do të kryhet së shpejti nën kujdesin e princit, i cili, është i përfshirë aktivisht në gjithçka që mund të kontribuojë në përparimin dhe mirëqenien e vendit.
Ai vuri në dukje se tashmë, në Shqipëri kanë filluar të shfaqen shtëpi bankare dhe tregtare, të drejtuara nga vetë shqiptarët, gjë që dëshmon besimin në të ardhmen e atdheut të tyre, me mjetin më të mirë: Punën. – (Ag. It.)