MENU
klinika

Konferenca e Londrës

Shqipëria u copëtua

13.12.2020 - 17:19

           …kur Ambasadori shqiptar hyri në sallë. I kërkoi atij vetëm të fliste, duke ndenjur gjithmonë me shpinë dhe duke ndjekur lëvizjet në rrugë. Një njohës i vjetër i Londrës dhe mik i disa prej Lordëve më të fuqishëm në vend, Konica nuk përmendi asgjë për kufijtë. Me një zë të shtruar, i tregoi Ministrit që qëndronte me kurriz, se në Shqipëri ishte zbuluar një miniere e pasur floriri dhe se Qeveria shqiptare e Ismail Qemalit, kërkonte që Mbretëria Britanike të merrte koncesionin e saj. Grei u kthye dhe me mjaft delikatesë e ftoi të uleshin së bashku, në tavolinë. Një minutë më vonë, me po kaq elegancë, Mehmet Konica, i shpjegoi se kjo nuk ishte aspak e vërtetë, porse ai kishte dashur të shihte, sesi do të ndryshonin interesat e Britanisë në një rast të tillë.

Mehmet Konica
(Konferenca e Londrës 1912-1913)

       108 vjet më parë, do të fillonte punimet Konferenca e Londrës, konferencë që disa muaj më vonë, vendosi përgjysmimin e trojeve shqiptare dhe fatin e Shqipërisë.

Konferenca e Ambasadorëve i filloi punimet në dhjetor të 1912-s, duke vazhduar deri më 29 korrik 1913. Mori atë emër, pasi në të merrnin pjesë ambasadorë të shteteve të fuqishme. Vetëm Anglia, përfaqësohej me ministrin e Jashtëm, i cili, kryesonte dhe konferencën.

Konferenca e Ambasadorëve të Londrës u mblodh në 17 dhjetor të vitit 1912, në një nga sallat e ministrisë së Jashtme. Ndërkohë, një ditë më parë, në një tjetër ndërtesë kishte filluar mbledhja e të ashtuquajturës Konferenca e Paqes, që duhej të nënshkruante paqen midis shteteve ballkanike, fituese të luftës dhe perandorisë osmane.

Ajo mund të ketë qenë përcaktuese e të ardhmes së Shqipërisë mbi pavarësinë e vendit, por siç dihet, nga ajo konferencë Shqipëria doli e përgjysmuar në kufijtë e saj. Konferencë u diktua prej shpërthimit të luftës së parë ballkanike.

Morën pjesë fuqitë e mëdha të Evropës, përfaqësuesi i perandorisë osmane dhe përfaqësues të fuqive ballkanike, me përjashtim të Shqipërisë (që nuk njihej) dhe të Greqisë (që nuk e kishte nënshkruar armëpushimin).

Konferenca doli me Traktatin e Londrës, mbi ndarjen e territoreve që dolën jashtë perandorisë osmane, prej fuqive të mëdha dhe aleatëve të tyre. Ky Traktat, mbeti i fshehtë deri në Konferencën e Versajës (1918). Të gjitha fuqitë e mëdha, paraqitën versionin e tyre të hartës së Shqipërisë.

Harta më e favorshme për shqiptarët, ishte ajo e propozuar nga Austro-Hungaria. Në këtë konferencë, Shqipëria u njoh si principatë, që do të thoshte se forma e qeverisjes do të ishte monarkike, pushteti i trashëgueshëm, ndërsa pavarësia e kushtëzuar, sepse principata nuk arrin deri tek e drejta e shtetësisë.

Ata ishin Edward Grey (kryetar), më vonë minister i Jashtëm i Anglisë; Konti Albert von Mensdorff–Pouilly–Dietrichstein, amabasadori austrohungarez në Britaninë e Madhe; Pierre Paul Cambon, diplomat francez; Aleksandër Benckendorff, ambasador i Perandorisë ruse në Londër; Karl Max Lichnowsky, ambasador gjerman në Londër; Konti Guglielmo Imperiali, përfaqësues i shtetit italian

Delegatët shqiptarë në Londër, ishin: Rasih Abedin Dino, ishte djali i Abedin pashë Dinos, nga Çamëria, Mehmet bej Konica, Sotir Kolea, Filip Noga, Faik Konica, Fan Noli, përfaqësues i ortodoksisë shqiptare të Amerikës; Ismail Qemali, kryetar i Qeverisë së Vlorës, Luigj Gurakuqi dhe Isa Boletini do të mbërrinin pak më vonë, për shkak të bllokimit të rrugëve.

Konferenca e Londrës institucionalizoi krimin ballkanik kundër Shqipërisë dhe shkëputi nga trualli mëmë krahina të tëra, qytete e fshatra, fusha e kodrina, pjesë të deteve dhe liqeneve, që kishin qenë tradicionalisht shqiptare, qysh prej shumë shekujsh. Kasaphana ndërkombëtare u zyrtarizua në Kongresin e Berlinit. Ndërsa fqinjët ballkanikë përvetësuan territore të mëdha nga kufijtë shqiptarë.

Serbia përfitoi rajonet e Pirotit, Vrajës, Nishit e Toplicës. Meqë nuk u mbështet nga Rusia, serbët u detyruan të tërhiqeshin nga Prishtina dhe Gjilani, duke mos mundur të merrnin gjithë Kosovën dhe luginën e Vardarit. Ndërsa Mali i Zi, i cili fitoi për herë të parë dhe pavarësinë, përfitoi krahinat e Nikshiqit, Kollashinit, Spuzhit, Podgoricën, Zhabjakun, Tivarin, Plavën dhe Gucinë. Pas rezistencës së madhe shqiptare, në vend të Plavës dhe Gucisë, Berlini do t’i jepte Malit të Zi gjithë trevën e Ulqinit. Kjo padrejtësi historike nxori jashtë hartës së Shqipërisë, Prishtinën, Gjakovën, Prizrenin dhe krejt Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit, Ulqinin, një pjesë të zonave të Vermoshit, Plavën e Gucinë, Shkupin, Tetovën, Janinën, Prevezën, Çamërinë, një pjesë të Liqenit të Pogradecit, një pjesë të Liqenit të Shkodrës, e kështu me radhë.

Ka 100 vjet që kombi shqiptar lëngon pasojat e kësaj pabesie, duke u përpjekur vazhdimisht të ndreqë diçka nga vendimet tinzare të asaj masakre. Në vitin 1999, Kosova fitoi Pavarësinë, duke krijuar shtetin e vet të ri. Me dhjetëra dhe qindra krahina të tjera kanë mbetur jashtë kufijve tanë, në veri dhe jug, ku politikat shtetërore të fqinjëve kanë tentuar vazhdimisht asimilimin e shqiptarëve.

Gjatë gjithë punimeve të saj lidhur me kufijtë e Shqipërisë, Konferenca e Ambasadorëve nuk i përfilli asnjëherë aspiratat dhe interesat e popullit shqiptar. Tokat shqiptare u përdorën nga Fuqitë e Mëdha, si monedhë këmbimi për të fashitur kontradiktat e tyre në këtë zonë dhe për të kënaqur pretendimet e shteteve ballkanike. Me kufijtë që u caktuan në Londër, brenda Shqipërisë u përfshi afërsisht gjysma e trojeve dhe e popullsisë shqiptare.

Shqiptarët, me vendimet antishqiptare të Kongresit të Berlinit (1878), të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913) dhe të Konferencës së Paqes në Paris (1919) u bënë i vetmi popull në rruzullin tokësor që kufizohet me vetveten, përkatësisht që ka për fqinj vetveten.

 

* Fotografia kryesore: Delegacioni shqiptar, rrugës për në Konferencën e Londrës – Vlorë, 1912 –  Fototeka Marubi