MENU
klinika

Në 4 vitet e para u dhanë vetëm 57 vendime

Si dështoi nisma e Fatmir Xhafës për procesin e vetingut në Polici

12.09.2022 - 12:26

Do të jetë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ajo që do të drejtojë procesin e ngecur “rrugëve” të vetingut në Polici.

Madje, pretendohet se ka qenë ky edhe shkaku që në krye të kësaj strukture është sjellë ish-kryepolici i vendit, Ardi Veliu, i cili u largua një vit më parë nga detyra për shkak të nevojës për të qëndruar pranë familjes së vet!

Vetingu i punonjësve të Policisë që u nis me bujë të madhe, me inicimin e ishministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, u ndërpre, për shkak se u tha zyrtarisht se kërkohej ndërhyrje në ligjin për Policinë e Shtetit e për pasojë duhej të ndryshohej edhe projektligji për procesin e vetingut të tyre. Përkundër deklaratave zyrtare të njëpasnjëshme të kohës, kur edhe u proklamua nisja e këtij procesi në Polici, duke bërë publik faktin joshës se Policia do të pastrohej nga elementët e inkriminuar, në fakt procesi eci me ritme të ngadalta.

Ndërkohë që ish-ministri që mori përsipër themelimin e këtij procesi pretendonte se gjithçka do të mbaronte brenda dy vitesh, pasohej nga zëvendësministri që dilte nga njëherë në 6 muaj dhe thoshte të njëjtën gjë, vetingu i punonjësve të Policisë u ndalua pikërisht në fazën e grumbullimit të dokumentacionit, pasi ishte e pamundur që të kryhej në kohën e duhur. Por sipas të dhënave, pati edhe probleme të tjera infrastrukture, bashkëngjitur këtu edhe frikën e ikjes me dhjetëra efektivë, të cilët ishin të vetëdijshëm për problemet në kriterin e figurës dhe atë të pasurisë. Megjithatë, sipas të dhënave policore bëhet me dije se një pjesë e madhe e strukturës policore tashmë e ka përfunduar mbledhjen e dokumentacionit, duke depozituat dosjet në komisariatet apo drejtoritë, të cilave iu përkisnin momentin e dorëzimit. Ky fakt do të thotë që Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e ka më të lehtë nisjen dhe ecurinë në proces pasi dosjet e secilit funksionar dhe efektiv janë të gatshme, vetëm me nis me shqyrtimin e tyre.

DËSHTIMI SIPAS ISH-MINISTRIT

Rreth një vit më parë ishministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka komentuar publikisht procesin e Vettingut në Polici. Në një intervistë për “A2CNN”, ishministri bëri një deklaratë të fortë duke u shprehur se për finalizimin e vetingut ka pasur mungesë vullneti politik, duke futur në “rreth” edhe njerëz brenda mazhorancës. Po ashtu, ai tha publikisht se disa elementë brenda Policisë së Shtetit kanë lidhje me bandat kriminale, ndaj me dështimin e vetingut, është cenuar edhe besueshmëria e Policisë. Konkretisht ai tha: “Vetingu në Polici është diçka e zakonshme në çdo polici, dhe ne nuk e kishim.

Nuk ka polici në vendet e konsoliduara që nuk i nënshtrohet vlerësimit periodik. Nuk kishte lidhje fare me vetingut e gjyqësorit, sidomos për policët e thjeshtë, do largoheshin ata që ishin dukshëm të papajtueshëm me atë rol. Vetingu në polici është mungesë vullneti politik, njerëz të caktuar brenda mazhorancës nuk kanë dashur. Ky proces do të vendoste një standard tjetër, dhe jam i keq ardhur që kjo u keqinterpretua dhe më pas u përfol në mënyrë të qëllimshme”.

Kjo deklaratë e ish-ministrit, i cili që nga 2017, kohë kur edhe u hodh në letër dhe për konsum publik procesi, ishte paraprirë nga një deklaratë e tij i cili pretendonte se gjithë ky proces do të përmbyllej brenda dy viteve, duke lënë pikërisht këtë afat kohor në dispozicion të kontrollit dhe verifikimit të çdo efektivi policie në këtë organizatë.

Në fakt deri në marsin e këtij viti, pra kur kishin kaluar katër vite që nga nisja e procesit janë dhënë vetëm 57 vendime, kryesisht në rangje drejtuesish drejtorish dhe shefash komisariatesh që kanë qenë deri në momentin e listës së shpallur. Po ashtu, janë vetëlarguar një numër i vogël ndërkohë që tashmë, në nisjen e fazës së re, pritet ecuri më e shpejtë dhe edhe ndëshkime më të shumta.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pasuria e policëve do të bëhet nga ILDKPI

Rikthehet vetingu, drejtues e policë në duart e Ardi Veliut!