Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka bërë me dije se pas sulmit kibernetik që goditi vendin tonë sistemi TIMS është rikthyer në 6 pika duke përfshirë këtu edhe aeroportin e Rinasit.
Çuçi shprehet se po punohet për të rikthyer shërbimin edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar ndërsa po merren masa për të mos pasur më ndërprerje.
Ai shton se partnerët amerikanë po bëjnë çdo përpjekje që Shqipëria të jetë sa më e sigurt në mënyrë që të garantohet paprekshmëria e të dhënave.
“Përgëzime ekipit të IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për punën pa ndërprerje që nga minuta e parë e sulmit kibernetik, për të rivënë në funksionim sistemet tona dhe veçanërisht atë TIMS. Gjithashtu falënderoj partnerët amerikanë që kanë qenë pranë edhe në këtë rast e po bëjnë çdo përpjekje për ta bërë Shqipërinë sa më të sigurt.
Prej mesnatës sistemi TIMS është rikthyer në funksion të plotë në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas. Po kështu është rivënë në punë edhe në pikat e tjera kufitare të vendit: Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë, dhe Kakavijë.
Aktualisht ekspertët tanë po vijojnë punën e pandërprerë për rikthimin e sistemit TIMS në Pikat e tjera të Kalimit Kufitar si dhe po marrin masat nevojshme për të mos pasur më ndërprerje. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve që janë ndeshur me vonesa. Ne kemi punuar prej momentit të parë kur u detektua sulmi kibernetik, për të garantuar mbi të gjitha paprekshmërinë e të dhënave dhe më pas për rikthimin në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme”, shkruan ai.