Në një sondazh elektronik që prezantova në emisioni Top Story të Sokol Ballës (me një kampion të ripeshuar statistikisht në rang kombëtar e me interval gabimi statistikor nga 0% deri në +/-3%), i pyeta të anketuarit se ç’opinion kanë për qeverinë aktuale në përgjithësi dhe se për kë nga politikanët kryesorë kanë opinionin më pozitiv. Përgjigjet e tyre përbëjnë lajm jo të mirë për të dyja palët…
Vetëm 18% e të anketuarve u shprehën se kanë opinion pozitiv për qeverinë në përgjithësi, ndërsa pjesa tjetër kanë ose opinion asnjëanës, ose negativ (shihni Grafikun 1).
Meqë vetëm pak shqiptarë janë të kënaqur me punën e qeverisë aktuale, është e natyrshme të pyetet se tek cili nga liderët politikë shohin shpresë shqiptarët. Këtu na vijnë në ndihmë përgjigjet e pyetjes së dytë të sondazhit.
Plot 38% e të anketuarve u shprehën se s’kanë opinion pozitiv për asnjërin nga politikanët kryesorë të sotëm (shihni Tabelën 1).
Sondazh: Kuota të ulta për qeverinë dhe për politikanët kryesorë
Ndër të tre, Edi Rama ka kuotën më të lartë të simpatizantëve (37%), por kjo përkrahje ndaj tij është e brishtë statistikisht. Duke kryqëzuar përgjigjet e kësaj pyetje me ato të pyetjes paraadhëse, rezulton se vetëm gjysma e simpatizantëve të Ramës kanë opinion pozitiv për qeverinë e tij. Pra mund të thuhet në mënyrë metaforike se edhe aq sa ka, përkrahja ndaj Ramës është me gjysmë zemre…
Shënim statistikor: Në një sondazh që zhvillova vjet në shtator, kuota pozitive e qeverisë ishte dyfish më e lartë, krahasuar me sot (shihni Grafikun 2). Gjithashtu, kuota e simpatizantëve të Ramës ishte 5 pikë më lart, ndërsa Basha ishte atëherë baraz me Berishën… (shihni Tabelën 2).