MENU
klinika

Analiza

Trashëgimia e Gorbaçovit vazhdon pavarësisht përpjekjeve të Putinit

03.09.2022 - 09:30

Të vëzhgosh marrëdhëniet perëndimore-ruse dhe gjendjen e brendshme të Rusisë sot do të thotë të vlerësosh pafundësinë e arritjeve të Mikhail Gorbaçovit.

Udhëheqësi i fundit i Bashkimit Sovjetik, i cili vdiq të martën, dha një kontribut vendimtar për t’i dhënë fund luftës së ftohtë, e cila ndau Evropën për katër dekada dhe mbajti tensionet të larta në epokën e armëve bërthamore.

Ai gjithashtu lehtësoi shtypjen e brendshme politike dhe kryesoi një farë lirie individuale që nuk është parë në Rusi që nga vitet 1920, nëse jo më herët ende.

Tani, nën Vladimir Putin, Rusia ka nisur një luftë me Ukrainën që ka rritur tensionet me vendet perëndimore, në një nivel që kujton momentet më të rrezikshme të luftës së ftohtë. Shtypja e pamëshirshme e Putinit ndaj kritikëve, duke i konsideruar si tradhtarë, evokojnë kapituj të errët të së kaluarës sovjetike.

Manipulimi zyrtar i historisë është një tradhti e turpshme ndaj glasnostit të Gorbaçovit.

Russian politicians offer mixed view of Gorbachev's legacy | AM 1300 The ANSWER - Seattle, WA

Për sa kohë që Putini mbetet në pushtet, duket e pabesueshme ose që pluralizmi politik të rifitojë një bazë në Rusi ose që besimi të kthehet në marrëdhëniet e Kremlinit me perëndimin.

Përmirësimet mund të vonohen, sepse nuk ka garanci që lideri i ardhshëm në Moskë do të përqafojë reformën.

Shpresat për një Rusi më të lirë dhe një botë më të sigurt që mishëroi Gorbaçovi duket se janë në gërmadha.

Megjithatë, është e ekzagjeruar të thuhet se sundimi i Gorbaçovit 1985-91 nuk la asnjë trashëgimi pozitive. Pa vendosmërinë e tij për të mos përdorur dhunën për të mbajtur perandorinë sovjetike në Evropën Lindore, është e pamundur të imagjinohet që diktaturat njëpartiake të rajonit të binin pothuajse tërësisht pa gjakderdhje në 1989 dhe bashkimin e Gjermanisë në 1990.

Vërtetë, Kremlini përdori forcë herë pas here në shtetet baltike dhe Gjeorgji, ndërsa ata luftuan për t’u çliruar nga sundimi sovjetik, por faji qëndron më shumë tek komunistët e vijës së ashpër në Moskë sesa tek Gorbaçovi.

Aversioni i tij ndaj dhunës e bëri Gorbaçovin vërtet të ndryshëm, si si komunist – një emërtim që bëhej gjithnjë e më i parëndësishëm ndërsa reformat e tij vazhdonin – ashtu edhe si udhëheqës rus.

On Jews and Israel, Gorbachev's legacy is under threat | The Times of Israel

Në kontrast të plotë me Gorbaçovin, i cili tërhoqi forcat sovjetike nga Afganistani, si dhe mbështeti vetëçlirimin e Evropës Lindore, Putin beson se forca dhe krijimi i sferave të ndikimit, në të vërtetë aneksimet e drejtpërdrejta të territorit, janë njësi matëse të madhështisë së Rusisë.

Megjithatë, politikat e brendshme të Gorbaçovit lanë një trashëgimi gjithashtu. Nëse ai dështoi si një reformator ekonomik, kjo ishte në një masë të madhe sepse sistemi sovjetik i mbicentralizuar ishte thjesht i pareformueshëm. Reformat e tij politike janë një çështje tjetër.

Ashtu si brezi i tij u frymëzua nga liberalizimi i pjesshëm i sundimit post-Stalin të Nikita Hrushovit, kështu një ditë – edhe nëse jo së shpejti – një brez i ri rusësh me siguri do të përpiqet të rivendosë liritë e epokave të Gorbaçovit dhe Boris Jelcinit.

Një Rusi më demokratike nga ana tjetër do të ofronte shpresë për një marrëdhënie të përmirësuar me fqinjët evropianë të Moskës dhe SHBA. Vendet perëndimore duhet t’i rezistojnë me vendosmëri agresioneve të Putinit.

Por ata duhet të kujtojnë gjithashtu se dikur dukej e paimagjinueshme që një udhëheqës human dhe largpamës si Gorbaçovi të vinte në pushtet në Moskë. Ai e bëri, për të mirën e botës.

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al