MENU
klinika

Hajnrih Bël - shkrimtari kundër!

“Ambasadori” i përjashtuar i Gjermanisë, letërsia fshikulluese

13.10.2022 - 11:40

      S’ka dyshim, që tërë krijimtaria e Hajnrih Bëlit, nga novela më e shkurtër tek apelimi më i vogël, janë të pandashme nga rrugëtimi i jetës, nga ngjarjet që jetoi, të cilat e lënduan. Thuajse të gjithë personazhet janë katolikë si edhe ai./Konica.al

Ky borgjez nuk ishte i magjepsur vetëm nga vepra e autorëve të njohur si Tomas Mani, përkundrazi ai ushqeu dashuri të vërtetë për pakicën, të përulurit, të dobëtit, të pazëtë e shoqërisë moderne. Të gjithë, si vetë ai, duhet të përballojnë historinë dhe kujtesën e tyre, të mësojnë të jetojnë. Ai nuk do t’i harrojë kurrë përplasjet në rrugë, paradat e këmishëkafeve, vizionet e shprishura të Gjermanisë, tmerrin e nazistëve. Kjo është ajo që do ta shtyjë të nxjerrë në pah paralajmërimet, maturitë, të luajë, në nivelin e një populli, një kulture, një letërsie, rolin e një ndërgjegjeje.

Hajnrih Bël nënshkroi shumë protesta, shumë apele. Jo ngaqë kujtonte se shkrimtari gëzonte ndonjë fuqi reale, porse nuk mund të heshtte. Ishte besnikëria e tij ndaj Gjermanisë, ndaj traditës, ndaj gjuhës së saj, që e shtyu drejt këtij zotimi. Nuk është çudi nëse çmimi “Nobel”, pas atyre që iu akorduan Herman Heses, një i dëbuar prej vitit 1914 dhe Nelly Sachs, i cili vdiq në kampe, kurorëzoi atë që, më shumë se çdo tjetër, i kishte kthyer letërsisë gjermane letrat e madhështisë, duke e bërë atë përsëri popullore.

L’écrivain Heinrich Böll dans sa propriété le 11 octobre 1983 à Cologne, Allemagne. (Photo by Alain MINGAM/Gamma-Rapho via Getty Images)

I kritikuar shpesh nga shtypi i vendit, ai ishte edhe ambasadori i tij: pavarësisht nëse udhëtoi në Nju Jork, Jerusalem, Oslo, Kopenhagë, Moskë apo Varshavë, ai u prit me të njëjtin respekt. Publiku për romanet e tij është në vetvete një fakt interesant sociologjik. Proza e tij nuk ka atë bukurinë disi të akullt të Ernst Jungerit. Ai nuk kërkoi të rilidhej me një stil të caktuar epik si Gunter Grasi. I huaj për kërkimet formale, avangardë, ai është një nga autorët e rrallë gjermanë që nuk humbasin shumë, kur kalojnë nga një gjuhë në tjetrën. Heronjtë e saj, nuk janë personazhe të jashtëzakonshme. Qeniet e përditshme, gjermanët, pre e së tashmes, e së shkuarës, duke luftuar në një parehati që prek identitetin e tyre, aftësinë e tyre për të projektuar veten në botën përreth tyre ose për të pasur ende ëndrra. S’ka rëndësi se në ç’vend, në Lindje apo Perëndim, mund të identifikohesh lehtësisht me personazhet e tij. Kjo ndjesi e të pazakonshmes në lidhje me ekzistencën, i ka dhënë një kuptim universal. Dëshmitar i rrënojave, i barbarisë, depozitues i kujtesës kolektive, duke besuar më shumë te morali, se sa te politika, në gjithë veprën e tij ai diti të cekë një krizë të caktuar që prek çdo individ. Madje, edhe ata që nuk qenë asnjëherë entuziastë për stilin e tij, nuk do të mund të mos jenë të ndjeshëm ndaj dimensionit sociologjik të veprës së tij, aq më tepër që ndërhyrjet politike, pavarësisht nëse ndajmë qëllimet e tyre apo jo, do ta bëjnë atë, pa dyshim, një lloj zëdhënësi të ndërgjegjes universale. Ky entuziazëm, kjo mirësi e përzier me trishtimin, që prekte gjithkënd që i afrohej, janë të pandashme nga imazhi i tij. Hajnrih Bël, me gjithë esetë jo shumë të mirëpritura, nuk kishte gjeni epike dramatike. Shpesh është në përshkrimet më të thjeshta, në tregimet e shkurtra, në novelat, që lakonizmi, sinqeriteti i tij të prekin më shumë. Ka një sens të kujdesshëm detajesh, një realizëm poetik, një humor therës shpeshherë të admirueshëm. Hajnrih Bël ishte i aftë për parime morale pa qenë moralizues. Ndoshta kjo është arsyeja pse zhanri i romanit të shkurtër i shkonte kaq shumë. Admirues i Dostojevskit, i Kleistit, i Hebbelit, ai ndikohej thellësisht edhe nga letërsia amerikane. Nuk pati kurrë frikë të bëhej popullor. Një poezi, një tregim i shkurtër, një ese: të gjitha këto ishin mënyra që ai të kuptonte veten. Kur lexon “Aventurat e një çante shpine”, mendja na shkon tek ushtari trim Shvejk  i Jaroslav Hasek, madje edhe për heronjtë e Kafkës. Mirëpo, te Bëli, krahas kësaj ndjeshmërie të përkeqësuar, këtij humori, kësaj tërheqjeje për format popullore, ka edhe një ndjenjë që del nga tërë fotografitë: një përzierje e ëmbëlsisë me trishtimin e frikshëm. Prandaj, nuk është për t’u habitur që Hajnrih Bëli mbetet një nga shkrimtarët më të vlerësuar në Republikën Federale të Gjermanisë, por edhe një nga shkrimtarët gjermanë më të lexuar në mbarë botën. Ky njeri i thjeshtë, bujar, trishtimi i të cilit ngjallet shpesh, pavarësisht nga fama e tij, ishte më shumë se zëdhënësi i brezit që u zgjua mes rrënoja në 1945. Në mënyrë paradoksale, për një shkrimtar kaq të famshëm, ishin gjithmonë qëndrimet e tij politike ato që zgjonin më shumë polemika dhe pasion. Ndërkohë që romanet ishin përkthyer në të gjitha gjuhët, kritikët prireshin përherë t’i neglizhonin në raport me angazhimin politik, paralajmërimet e tij, qoftë Adenauer, kisha katolike, shtypi skandaloz apo vota e tij në favor të të Gjelbërve…/Konica.al

Nëse Tomas Mani ishte këngëtari i borgjezisë në perëndim, Hajnrih Bël hartoi raportin moral dhe politik të dy falimentimeve: atë të po kësaj borgjezie gjermane, që mund ta sillte Hitlerin në pushtet dhe në të cilin ai kishte pak besim për të krijuar një gjermani të Re dhe vetë falimentimi i nacionalsocializmit. Një shkrimtar i përkushtuar, në termin sartrian, i krishterë i majtë, ai kishte zgjedhur të mbetej më pak shkrimtari i fajësisë dhe i rrënojave, sesa i një ndërgjegjeje kritike gjithnjë në gatishmëri, mbrojtëse e një koncepti të caktuar të moralit. Zëri i tij vazhdon të sfidojë: “Gjëja më e vështirë për një gjerman është të pranojë veten si të tillë”, – pohon. Këtë parehati karshi Gjermanisë, që predominon në gjithë krijimtarinë e tij, e ka ndjerë që në rini. I lindur në zemër të Rheinlandit, në Këln, në vitin 1917, ai vinte nga borgjezia katolike. Megjithatë, pa mohuar besimin, ai nuk do t’i kursejë kritikat ndaj kishës, e cila nënshkroi marrëveshjen me Hitlerin dhe aq shpesh e lejoi veten të verbohej nga pushteti, duke iu afruar asaj. Logjika e temave të tij letrare ndjek nga afër takimin e tij me historinë.

Prominent West German writer Heinrich Boll speaking to reporters a Greens party pre-election press conference. (Photo by Sahm Doherty/Getty Images)

Ashtu si Sartri, ai donte të ishte një tokësor, mes të ngjashmëve, duke ndarë ankthet, revoltën, fatkeqësinë dhe hidhërimin e tyre. Ai nuk e njihte luftën e vitit 1914, por rininë e kaloi në Gjermaninë naziste. Shumë prej romaneve të tij i kanë rrënjët në peizazhet e apokalipsit material dhe moral të vitit 1945, traumat e bombardimeve dhe zbulimet për mizoritë e kampeve. Gjithashtu, shumë nga personazhet enden si fantazma mes rrënojave. Kjo është tema që bashkon “Ku ishe ti, Adam?”,  “Portret në grup me zonjën” etj. Që në fillim, ai e kuptoi se këto rrënoja nuk ishin vetëm ato të Hamburgut, Drezdenit dhe Berlinit, por që të gjithë duhet t’i mbanin brenda vetes, edhe kur ishin zhdukur. Ndërkohë që shkrimtarë të shumtë gjermanë mërguan në vitin 1933, sepse, siç shkruan Klaus Man, nën Rajhun e Tretë ajri ishte i ndenjur dhe një intelektual liridashës e kishte vështirë të mbushej me frymë. Sigurisht, Hitleri kishte vdekur, sistemi ishte shembur. Por çfarë mbeti nga morali, liria, guximi dhe gjuha? Ndërsa shkrimtarët e rinj, të bashkuar rreth “Grupi 47” dhe “Hans-Werner Richter”, u përpoqën ta ringjallnin letërsinë nga hiri i saj, Hajnrih Bël u përpoq të shpëtonte gjuhën e saj. Si shumë të tjerë të brezit të tij, heronjtë e tij janë të huaj në botë, që nuk e njohin më veten në ekzistencën e tyre.

Për shumë njerëz, është vetëm një çështje të mësojnë të jetojnë përsëri; për të, të shkruajë përsëri në gjermanisht, për të pastruar një gjuhë të ngopur me materialin e përgjakshëm të zhargonit nazist. Dhe si Holderlin, ai e konsideronte gjuhën si më të rrezikshmen nga të gjitha të mirat. Kësaj nisme morali, ai i qëndroi besnik në të gjithë krijimtarinë, qoftë me qëndrimet politike apo fetare. Dëshmi e gjallë është romani “Nderi i humbur i Katerina Blumit”. Duke e mirëpritur Solzhenicinin në shtëpinë e tij, më 13 shkurt 1974, duke u pozicionuar për “terrorizmin”, duke votuar për Të Gjelbrit, ai s’do bënte tjetër veçse do tjetërsonte simpatinë. Të shumtë janë ata që do të shohin në besnikërinë e tij ndaj një koncepti të caktuar të moralit individual ose qytetar, veçse një naivitet të madh./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Gjermania është Gëtja!"

Një gjerman si Tomas Man!


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit