MENU
klinika

Të martën votohet në Kuvend qeveria e re

Betohet Meloni, kryeministrja e parë grua në historinë e Italisë!

22.10.2022 - 10:52

Qeveria e re e Italisë me në krye Giorgia Meloni është betuar këtë të shtunë para presidentit të Italisë, Sergio Mattarella. Qeveria e koalicionit të djathtë, që mori shumicën e votave në zgjedhjet e zhvilluara një muaj më parë, është gati të nisë punën dhe të martën pritet të votëbesohet në Parlamentin e Italisë.

Në ceremoninë e zhvilluar në pallatin presidencial ishin dhe familjarët e ministrave. Meloni do të jetë e para kryeministër grua e Italisë. Pas kësaj ceremonie, qeveria do të kërkoj besimin e parlamentit të martën.

Ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër do të jetë euro-politikani Antonio Tajani nga partia konservatore Forza Italia (FI). Ministër i Ekonomisë do të jetë Giancarlo Giorgetti nga partia e së djathtës nacoinale Lega. Giorgetti ishte gjithashtu edhe në qeverinë e paraardhësit të Melonit, Mario Draghi. Giorgetti konsiderohet si i moderuar dhe përfaqësues pro europian i Legas. Kryetari i Legas Matteo Salvini do të jetë ministër i Infrastrukturës dhe zëvendëskryeministër ashtu si edhe Tajani.