Nëse Leo Messi e bëri të veçantë festën duke iu drejtuar qiellit me të dyja duart në kujtim të gjyshes së tij Celia, e cila ishte ajo që e shoqëronte në të gjitha seancat stërvitore si fëmijë, edhe Robert Lewandowski ka festimin e tij të veçantë pas çdo goli.
Sulmuesi polak, një idhull i ri në “Camp Nou”, e ka zakon t’i festojë golat e tij duke shtrënguar të dy grushtat dhe i bashkuar pas “shpimit” të portës kundërshtare. Kjo mënyrë festimi e tij daton në një anekdotë familjare. Vajza e tij e madhe, tashmë 5 vjeçe, ishte burimi i tij i frymëzimit.
Kur Klara, siç e quajnë (e vogla është Laura), ishte dy vjeçe, Lewandowski filloi të imitonte gjestet e vajzës së tij gjatë një takimi me miqtë dhe njëri prej tyre ishte që të bashkonte të dy grushtat. Si rezultat, nga atje, tri vite më parë, Lewandowski përsërit veprimin pas çdo goli që shënon. Fillimisht te Bayerni dhe tani te Barça.
Përtej futbollit, familja është gjithçka për Lewandowski-n, prandaj e mban shumë të pranishëm në çdo veprim të tij pasi shënon gol. Përveç kësaj, kur nuk ka stërvitje apo ndeshje, polaku ia kushton gjithë kohën gruas dhe vajzave të tij. Është e zakonshme ta shohësh atë pranë plazhit të Gava, duke ecur me to.