Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka dhënë sot masën e sigurisë “Arrest me burg” për Martina Pajollarin, e cila dyshohet si e përfshirë në vrasjen e Martin Çeços. Lidhur me këtë ngjarje më herët janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë.
‘Molla e sherrit’ Martina Pajollari, e njohur si Tina, u arrestua pasi konfirmoi para policisë se ka qenë e pranishme në vendin e krimit. E gjitha nisi me dëshirën e familjes së Martinit për ta fejuar djalin me Martina Pajollarin, që në zonë e njohin Tina.
Por, gjatë seancës së ditës së sotme për sigurim prove, Pajollari ka deklaruar para trupi gjykues se janë të pavërteta të gjitha dëshmitë që ajo ka thënë dhe firmosur përpara policisë. Martina Pajollari ka deklaruar se ka qenë në vendin e ngjarjes vetëm herën kur është shoqëruar nga policia drejt vendngjarjes.
Nga hetimet dhe marrja në pyetje e të akuzuarit Blenti Angjo dhe Martina Pajollarit del një fakt tjetër i ri që ka të bëj me dëshminë e tyre në të cilën të dyja herët, ajo më Korçë dhe ai në burgun e Peqinit, kanë deklaruar po të të njëjtat gjëra, çka hedh dyshimin për në vërtetësinë e implikimit në ngjarje të të akuzuarve.
Nga dëshminë e saj më herët, 18-vjeçarja kishte pranuar se ishte e pranishme në vendin e krimit, por më pas para mediave e ka mohuar duke thënë se është ndjerë nën presionin e policisë. Të dyshuar për vrasjen që tashmë ndodhen pas hekurave janë Valter Mollaj i mbështetur nga Edlir Mollaj dhe i shoqëruar nga bariu i tij Blenti Angjo.
Dëshmia e saj në polici se ka qenë në vendin e krimit (por që e kundërshtoi përsëri sot duke thënë se ka qenë vetëm kur është shoqëruar nga policia) ku u ekzekutua Martin Çeço dhe u inskenua si vetëvrasje është mbështetur dhe nga Blenti Angjo. Pista e hetimit lidhet vetëm me vrasjen për shkaqe xhelozie, pasi paraprakisht dyshohet se vajza ka pasur lidhje dashurie me 43 vjeçarin Valter Mollaj, i martuar. Fakti që të rinjtë flisnin shpesh me njëri tjetrin zemëroi Valter Mollajn, i cili planifikoi vrasjen e të 26 vjeçarit.
Në një intervistë për Report Tv, i ati i Martin Çeços zhvendos vëmendjen tek persona të tjerë, jo tek 4 të arrestuarit që prej qershorit ndodhen pas hekurave. Ai ngre dyshimet se ngjarja është kryer nga ish kunati i Martinës (burri i motrës), së bashku me të tjerë pasi i kanë kërkuar 2.5 milionë lekë të vjetra 26-vjeçarit për mblesërinë me Tinën.
Ish burri i motrës së Tinës, i quajtur Xhoni Potka, kishte takuar në byrektore të atin dhe Martinin, të cilit i kishte premtuar se do t’i bënte Tinën për nuse. Ndërkohë Nevzati ka treguar se ka takuar dhe motrën e Tinës, ish gruan e Xhoni Potkës para se të ndodhte biseda për mblesërinë sepse i kishte blerë një top djalit të Xhonit se po qante.
Për tu kthyer tek mblesëria e premtuar nga Xhoni, pas takimit në byrektore, ai i bllokoi numrin Martin Çeços dhe humbën komunikimin. Sipas të atit, e gjithë kjo situatë mërziti 26-vjeçarin. Në rrëfimin e tijai ka treguar detaje nga takimi me Xhonin deri tek komunikimi i të birit me Tinën. Nevzat Çeço përmend edhe një tjetër, Erzatin, kushëri të Tinës që i kishte thënë se do të hynte si mblesë, por më vonë hoqi dorë, ndonëse i kishte marrë para.
Ndërsa për natën kur dyshohet se u ekzekutua, i ati tha se Martin Çeço mori një telefonatë nga dikush i panjohur, dhe më pas 26-vjeçari doli nga banesa.
Ndonëse babai nxjerr emra të rinj për vrasjen, hetimet e thelluara treguan se 18 vjeçarja Martina Pajollari ka pasur rol në vrasjen e të riut, i cili donte të fejohej me të. Dyshimet e para thonë se Tina Pajollari, ka qenë personi që ka nxjerrë në pritë Martin Çeçon mbrëmjen që u ekzekutua.
Si ndodhi vrasja
Mbrëmjen e 12 qershorit, Valter Mollaj kishte njoftuar kushëririn e tij Edlir Mollaj dhe kishte marrë bariun Blenti Angjo për tu nisur nga fshati Marjan në një destinacion të panjohur. Pasi ata arritën në fshatin Kolanec, morën në vendin e parë të ndjerin dhe u drejtuan drejt rezervuarit 4 km larg fshatit në një terren të vështirë malor. Vetë Valter Mollaj i hodhi litarin në fyt të riut Martin Çeço dhe pasi u sigurua që ai humbi jetën, e hodhi në rezervuar duke lënë pandoflat jashtë, për ta inskenuar si vetëvrasje.
Mbetet mister kush e telefonoi Martin Çeçon, i cili doli nga banesa rreth orës 22:00 për të mos u kthyer më. Autorët e dyshuar Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj nuk kanë pranuar asnjë fakt përpara gjykatës mbi ngjarjen.