Sipas ekspertit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir, kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të duhej ta shtynte afatin për targat ashtu siç kishin kërkuar aleatët.
Ben-Meir ka thënë se shtyrja mund të çojë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ndërsa ka përmendur se një situatë e tillë, e cila ekziston tash e 14 vjet në veri në lidhje me targat, 10 muaj tjerë nuk do të kishin efekt negativ për Kosovën.
“Nëse shtyrja potencialisht mund të çojë në një marrëveshje më gjithëpërfshirëse me Serbinë, pse të mos shtyhet? Kurti nuk duhet të ketë një mbyllje të tillë për sovranitetin e Kosovës. Situata aktuale ekziston për më shumë se 14 vjet; 10 muaj të tjerë, nuk do të kishin ndonjë efekt negativ në Kosovë”, ka thënë Ben-Meiri.
Sipas ekspertit amerikan, Kurti ka vënë krenarinë përpara interesave kombëtare.
“E vetmja gjë që pengon është krenaria e Kurtit, të cilën ai e ka vënë përpara interesit kombëtar. Fatkeqësisht, ai e futi veten në këtë pozicion. Megjithatë, ai tani mund të demonstrojë ende lidership, duke punuar me BE-në dhe SHBA-në dhe të pajtohet me shtyrjen në emër të solidaritetit me partnerët e tij më të rëndësishëm, të cilët i nevojiten për të realizuar aspiratat e Kosovës për të qenë një vend anëtar i BE-së dhe NATO-s”, tha Ben-Meir
Ai shtoi se shtyrja e afatit për targat në asnjë mënyrë nuk do të cenonte pavarësinë e Kosovës, ajo thjesht do t’i jepte kohë shtesë për të arritur një marrëveshje më gjithëpërfshirëse me Serbinë drejt njohjes së Kosovës.