MENU
klinika

Mrekullia: kur Kolh takoi Gorbaçovin

“Gjermania u bashkua sepse kishim një BE dhe një NATO”

03.10.2022 - 14:31

          Nga: Bashkim Zeneli: Bashkimi i dy Gjermanive

Në paraditen e 14 korrikut, para nisjes për në Moskë, Kancelari bisedoi me ministrin Gensher, për pikat kryesore që do të diskutoheshin me Gorbaçovin: së pari, Kancelari do të bënte një pasqyrë të ecurive të deriatëhershme, në kuadër të procesit 2+4 dhe do të kërkonte përfundimisht dakordësinë, për problemet që ishin ende të papërcaktuara në qëndrimet me sovjetikët; së dyti, Kohl-i do të bisedonte me Gorbaçovin për një intensifikim rrënjësor të marrëdhënieve midis Gjermanisë së bashkuar dhe Bashkimit Sovjetik.

Ai gjykonte se këtu duhej folur konkretisht, për bashkëpunimin në fushat kryesore. Edhe për Bashkimin Sovjetik, kishte shumë rëndësi që të njihte më tej qëndrimin e Gjermanisë së bashkuar, për të ardhmen e marrëdhënieve; së treti, krahas vazhdimit të dhënies së ndihmës ekonomike dhe financiare nga Gjermania e Bashkuar. Kohl-i gjykonte se Gorbaçovi kishte nevojë të ndihmohej edhe nga Perëndimi, shumë më shumë se deri atëherë. Kancelari gjerman do t’i propozonte Gorbaçovit përgatitjen e një mbledhjeje ndërkombëtare për këtë qellim.

Në fund të këtij takimi me ministrin Gensher, Kohl-i i thotë se do t’i paraqiste Gorbaçovit edhe një tjetër vendim; qeveria gjermane do të merrte përsipër të shlyente të gjitha detyrimet e RD Gjermane, që lidheshin me prezencën e ushtrisë sovjetike. Ajo do të vinte në dispozicion si fillim 1.5 miliardë DM për këtë qëllim. Po kështu, ushtarakët sovjetik që kishin monedhën e vjetër të RDGJ-së, do të kishin një bankë të posaçme për të bërë shkëmbimin dhe për të kryer çdo veprim financiar. Për çështjen e trajtimit në një, të aspekteve të jashtme me ato të brendshme të bashkimit, si dhe për anëtarësinë në NATO të Gjermanisë së bashkuar, Moska, muajt e fundit kishte pasur qëndrime të lëkundura, por përherë e më shumë kishte ecur drejt kompromisit.

Ndaj, Kancelari kishte besim se, sidomos mbas samitit të Londrës, Moska do të pranonte pa diskutime të mëtejshme një Gjermanie të bashkuar në NATO. Kohl-i vlerësonte se ky do të ishte udhëtimi i tij më i rëndësishëm jashtë vendit. “Në vizitën time në Bashkimin Sovjetik nga datë 14-16 korrik”, do të shkruante Kohl, “isha i pari shef qeverie, që do të kisha mundësinë të vija në dijeni drejtpërdrejt Gorbaçovin, për suksesin e tre samiteve që sapo kishim mbyllur”.

1 Në mbrëmjen e 14 korrikut, delegacioni gjerman mbërrin në Moskë. Në aeroport atë e priti ministri i Jashtëm Shevarnadze. Në rezidencën qeveritare, ai e vuri në dijeni për problemet e vështira që kishin përballuar në kongresin e Partisë, por e rëndësishme kishte qenë triumfi i vijës së reformave të Gorbaçovit. Shevarnadze, i tha Kancelarit Kohl, se të gjithë ata prisnin dhe dëshironin një vizitë të suksesshme.

Më tej, Shevarnadze bisedoi veças me ministrin Gensher, duke i thënë me të qeshur se deklaratën e kishin të gatshme për mirëkuptimin e plotë që do të kishin. “Ne mund të fillojmë të festojmë së bashku Bashkimin Gjerman, ashtu siç dëshironi ju”… Gensheri entuziazmohet nga kjo deklaratë dhe i thotë homologut të tij, se “dy janë kërkesat tona: së pari, nuk duhej lënë asnjë çështje e hapur dhe, së dyti, nuk do të kishte asnjë kufizim të sovranitetit të Gjermanisë së bashkuar në emër të ‘periudhës kalimtare’. Këtu do të pranohej si e tillë, vetëm periudha e tërheqjes së trupave sovjetikë nga territori i RDGJ-së”.

2 Shervenadze i tha, se “këto janë çështje ku do të gjejnë plotësisht mirëkuptim dhe i tregoi: “E dini cilat kanë qenë dy pyetjet më të shumta që më janë bërë në kongres? Përse ju lejuat humbjen e vendeve Socialiste të Lindjes dhe përse lejuat ju bashkimin e një vendi, që në të ardhmen do të integrohet në NATO”.

3 Të nesërmen, para fillimit të bisedimeve, Gorbaçovi priti shumë miqësisht Kancelarin, me të cilin zhvilluan një bisedë vetëm me praninë e përkthyesve. Gorbaçovi e falënderoi Kancelarin gjerman për gjithçka kishte bërë… Kohl-i e informoi për tre samitet e fundit dhe qëndrimet mbështetëse e kooperuese që u shprehën atje, ndaj Bashkimit Sovjetik. Më tej, Kohl-i e vuri në dijeni të situatës së përkeqësuar ekonomike, sociale dhe institucionale në RDGJ. Kancelari në fund i tha udhëheqësit sovjetik, se “kam ardhur këtu dhe dua të gjej mirëkuptim të plotë për të zgjidhur së bashku tre çështje, në kuadër të bisedimeve 2+4 dhe të samitit të KSBE-së: tërheqja e trupave sovjetikë nga RDGJ-ja; anëtarësia e Gjermanisë së bashkuar në NATO dhe, së fundi, kufiri maksimal i trupave ushtarake gjermane. Në fund të bisedimeve 2+4, Gjermania e bashkuar duhet të fitonte sovranitet të plotë për të arritur në ditën formale të bashkimit”.

4 Dhe Gorbaçovi do t’i përgjigjej, se qëllimet e mëdha arriheshin me vështirësi të mëdha dhe andaj duhej të ndihmonin njëri-tjetrin. Gorbaçovi vlerësoi, se “deklarata e samitit të NATO-s ishte një hap i drejtë, në drejtimin e duhur, ndërsa ngarkesat e së kaluarës kishin qenë të mëdha.

5 Ai i propozoi Kohl-it formulimin e një koncepti, për përmbajtjen e re të një traktati të partneritetit dhe bashkëpunimit midis BRSSsë dhe Gjermanisë. Kohl-i pranoi, duke i shfaqur mendimin e tij. Marrëdhëniet midis tyre kishin arritur në një mirëbesim të lartë. Më pas, vazhduan bisedimet midis dy delegacioneve. Gorbaçovi në tavolinë, me shumë qetësi, shtroi dy çështje: “Gjermania do të ishte plotësisht sovrane, pa qenë aspak nevoja e një periudhe kalimtare dhe se Gjermania e bashkuar, e tëra, duhej t’i përkiste NATO-s.

6 Kjo ishte një deklaratë krejtësisht e papritur për delegacionin gjerman. Kohl-i dhe Gensheri nuk po u besonin veshëve. Kohl-i i kërkoi Gorbaçovit që ta përsërisë edhe një herë, dhe ai e përsëriti! Të gjithë, do të shkruante Kohl-i më vonë, shikonin përkthyesin, nëse kishte përkthyer saktë.

Më tej, Gorbaçovi bëri surprizën tjetër: ai tha, se dokumenti përfundimtar i mbledhjes 2+4 do të përfshijë qartë, se menjëherë do të bien poshtë, me të gjitha trajtesat, të drejtat e 4 fuqive dhe përgjegjësitë e këtyre ndaj Gjermanisë. Gorbaçovi kishte bërë një kapërcim të jashtëzakonshëm dhe kishte plotësuar vetëm në pak minuta bisedime kokë më kokë, tre kërkesat që i kishte parashtruar Kancelari Kohl. Udhëheqësi sovjetik, ashtu siç kishin propozuar edhe gjermanët, do të shprehej i gatshëm për një marrëveshje dypalëshe, për tërheqjen e trupave sovjetik nga RDGJja, në një afat kohor 3-4 vjet. Edhe këtu, Kohl-i i lutet Gorbaçovit të përsërisë deklaratën për të mos pasur ndonjë keqkuptim. Gorbaçovi përsëriti edhe një herë, pikë për pikë, atë që kishte thënë! Nuk do të kishte asnjë keqkuptim, asnjë keqpërkthim.

Për Kancelarin dhe të gjithë delegacionin gjerman kishte ndodhur mrekullia. Ky ishte një triumf i pabesueshëm për Kohl-in. Gjermania kishte triumfuar në ëndrrën e saj për bashkim. I gjithë delegacioni ishte dëshmitar i një momenti të madh historik. Gorbaçovi bëri një krahasim: ai përmendi romanin e shkrimtarit amerikan John Reed “ 10 ditët që tronditën botën”, me 10 minutat e para të bisedimeve në Moskë.

Vërtet minuta që po bashkonin Gjermaninë, por, minuta që do të ndryshonin Europën, botën. Këto deklarata Gorbaçovi i lidhi hapur me suksesin në kongresin e Partisë. Me këtë kuptohej qartë edhe ajo që Kohl-i kishte biseduar më Gensherin, se shumë qëndrime të sovjetikëve ndaj procesit të bashkimit gjerman, duheshin kuptuar e vlerësuar në kuadër të situatës së brendshme. Duke i lënë të kuptohej se po ngriheshin nga tavolina e bisedimeve, Gorbaçovi iu drejtua Kohlit:

“Ne i filluam bisedimet tona këtu në Moskë dhe do t’i vazhdojmë ato në malet e Kaukazit. Në ajrin e maleve shohim edhe më qartë”.7 Kohl-i do të tregonte më vonë, se, nëse nuk do të kishim arritur ato përfundime që deklaroi Gorbaçovi, nuk do të shkonte në Kaukaz, por do të kthehej në Bon. Fluturimi për në Stavropol ishte 2 orë. Ky qytet kishte qenë i pushtuar nga nazistët nga viti 1941-‘43. Kohl-i dhe Gorbaçovi vendosën kurora me lule në varrezat e dëshmorëve. Njerëzit e qytetit 200 mijë banorësh kishin dalë për të përshëndetur kancelarin Kohl, dhe një vajzë e re iu ofroi atij dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit bukë dhe kripë. Një veteran i luftës do t’i thoshte kancelarit, se ai “ishte shumë i kënaqur që gjermanët dhe rusët po jetojnë përsëri në paqe, e cila ishte shumë e rëndësishme për të.

8 Aty Gorbaçovi ishte njohur me Shevarnadze-n dhe kishin punuar bashkë. Tronditja dhe rezerva e tyre e parë ndaj Moskës, kishte qenë pushtimi i Afganistanit nga ushtria sovjetike. Gorbaçovi kishte drejtuar Partinë Komuniste për një kohë të gjatë në atë Rajon, deri sa ishte transferuar në KQ në Moskë. Në Stavropol kishte jetuar nga viti 1955 deri në 1978, me ndërprerje, kur kishte studiuar në universitetin Lomonosov në Moskë. Më pas, të dy delegacionet me helikopter shkuan në Arshis të Kaukazit, ku edhe do të qëndronin. Gorbaçovi i ftoi të hiqnin kravatat dhe kostumet në vilat qeveritare dhe të visheshin sport, për të bërë një shëtitje.

Ministri Gensher do të shkruante në kujtimet e tij: “kur po bëheshim gati të uleshim në disa stola druri, mbas shëtitjes që bëmë, në një moment, një dorë më preku në sup… kthej kokën dhe sheh Raisa Gorbaçovin. Ajo më drejtohet: “zoti Gensher, Gjermania po bën premtime dhe po i mban ato, por Gjermania duhet të bëj më shumë… Burri im po bën shumë për Gjermaninë… Për një moment qëndrova në këmbë, duke i mbajtur dorën dhe i thashë: kini besim të plotë te ne. Ne i kemi nxjerrë në çdo drejtim mësimet tona nga historia. Unë e di shumë mirë se çfarë po bën burri juaj këtu. Çdo gjë do të bëhet më së miri”.

9 Në bisedimet e të nesërmes, nuk kishte mbetur gjë për t’u thënë në pikëpamje të qëndrimeve.

Çdo gjë ishte përfunduar në Moskë. Megjithatë, fjalën e mori Gensheri, i cili kërkoi që në dokumentin përfundimtar të bisedimeve 2+4, të shënohej qartë se Gjermania ka të drejtën e vet të zgjedhë përkatësinë në aleancë. Gorbaçovi e pranoi këtë pa asnjë rezervë. Kohl-i do të shtonte, se në dokumentin e mësipërm do të duhej shënuar se garancitë mbrojtëse të NATO-s, mbas bashkimit gjerman, do të ishin të vlefshme edhe për territorin e RDGJ-së. Kjo u përgjigjej në parim artikujve 5 dhe 6 të marrëveshjes së NATO-s.

Gorbaçovi pranoi, por do të shtonte kushtin, se aty (në RDGJ) të mos vendosej asnjë forcë e huaj ushtarake e vendeve të tjera. Kohl-i ra dakord, por shtoi se mbas largimit të forcave ushtarake sovjetike nga territori i RDGJ-së, aty do të mund të vendoseshin forcat gjermane, të integruara në NATO. Ai shtoi gjithashtu, se mbas fundit të vitit 1994, kur të ishin larguar forcat sovjetike, Gjermania e kufizuar me Poloninë dhe Çekosllovakinë, duhej të garantohej në marrëveshjen 2+4, se në këto dy vende nuk do të kishte më trupa sovjetikë të stacionuara, së bashku me tërheqjen përfundimtare të 400 mijë trupave nga RDGJ-ja.

Në bisedime u tha qartë, se “modalitetet e tërheqjes së trupave sovjetike nga RD Gjermane, do të zgjidheshin me marrëveshje të posaçme mbas bashkimit.

10 Po aty u ra dakord midis palëve, që Gjermania e bashkuar të kishte një forcë ushtarake, jo më shumë se 370 mijë trupash. Në fund të bisedimeve, duke gjetur një mirëkuptim të plotë për çdo gjë, që e konsideronte të përfunduar Bashkimin Gjerman, Ministri i Jashtëm Gensher iu drejtua Gorbaçovit: “Këtë nuk do t’ua harrojmë kurrë”.

11 Duke vlerësuar pa kufij qëndrimin e udhëheqësit sovjetik Gorbaçov, Kancelari Kohl do të shkruante: “Asnjëherë nuk do të jetë e mjaftueshme për ta thënë, se para së gjithash, Mihail Gorbaçov dhe po kështu George Bush, ishin ata që hapën derën për bashkimin gjerman”.

12 Konferenca e përbashkët për shtyp pritej me një interesim të jashtëzakonshëm. Në fillim, Gorbaçovi e vlerësoi takimin me kancelarin Kohl “si pjesë e një përpjekje intensive për të gjetur zgjidhjen në një kohë, në të cilën Europa dhe bota janë në një fazë të zhvillimeve intensive”.

13 Ndërsa Kancelari Kohl do ta vlerësonte takimin dyditor me Gorbaçovin, si “një pikë të re, më të lartën e historisë së marrëdhënieve Gjermano-Sovjetike”.

14 Konferenca për shtyp e Kancelarit përbënte një sensacion të vërtete për gazetarët. Ai deklaroi se kishin rënë dakord përfundimisht me presidentin Gorbaçov, për tetë pika: 1. Bashkimi Gjerman përfshin Republikën Federale dhe RDGJ-në e Berlinin. 2. Mbas bashkimit të plotë, do të pushojnë së qeni, të drejtat dhe përgjegjësitë e 4 fuqive fituese dhe Gjermania do të ushtrojë sovranitetin e saj të plotë. 3. Në kuadër të këtij sovraniteti të pakufizuar, Gjermania e bashkuar mund të vendos vetë e lirë, nëse dhe në cilën aleancë do të përfshihet.

Gjermania do të jetë pjesë e NATO-s. 4. Gjermania e Bashkuar do të nënshkruajë një marrëveshje dypalëshe për tërheqjen e trupave sovjetik nga RDGJ-ja, që duhet të përfundojë në një periudhë 3-5-vjeçare. 5. Strukturat e NATO-s nuk do të stacionohen në RDGJ, për aq kohë sa atje do të jenë trupat sovjetike. 6. Në periudhën deri në tërheqjen e plotë të trupave sovjetik nga ish-RDGJ-ja, në Berlin do të qëndrojnë trupat e tre fuqive perëndimore. 7. Në kuadër edhe të bisedimeve të ardhshme të Vjenës, qeveria federale do të pranonte që forcat e saj të armatosura të mos kalonin kufirin e 370 mijë trupave. 8. Gjermania e Bashkuar do të vazhdojë të jetë pjesë e marrëveshjes për mospërhapjen, prodhimin, mbajtjen dhe përdorimin e armëve ABC. Gorbaçovi mori fjalën dhe duke pranuar të gjitha pikat e rëna dakord, uroi Kancelarin për Gjermaninë e Bashkuar si realizimin e një ëndrre prej afro pesë dekadash të popullit gjerman dhe shprehu besimin, se Gjermania do të vazhdonte të luante një rol të fuqishëm për paqen, lirinë dhe sigurinë në Europë dhe botë.

Jehona ishte e jashtëzakonshme. Dukej se nuk kishte më asgjë për të biseduar, as me takimet e Parisit dhe as me atë të Moskës, të formatit 2+4. Dukej se Gjermania ishte bashkuar. Shtypi perëndimor foli me entuziazëm. Shtypi gjerman nuk përmbahej: “Kohl-i në lumturi të papërshkrueshme”; “Suksesi i madh i Kohl-it”; “Vizita në BRSS-së me përmasa historike; “ Kancelari që po realizon ëndrrën tonë”; “Thyerja e madhe”… Der Spiegel shkruante: “Burrin e shtetit Kohl nuk e heqim më dot nga harta politike për shekuj”. Gazeta Bild shkruante: Bota shtanget para mirëkuptimit Kohl – Adenauer dhe Brandt. Nisën menjëherë telefonatat nga partnerët; nga Bush, Miteran, Gonzales, Thatcher, Andreoti. Hans Dietrich Gensher do të shkruante: “Që nga koha e kancelarit Adenauer, për të gjithë politikanët udhëheqës, ka qenë e qartë ajo që ka thënë Ëilly Brand se çelësi për bashkimin Gjermanisë ishte në Moskë”.

15 Më datën 2 tetor mbasdite, Kancelari mbërriti në Berlin. Ishte organizuar një miting i jashtëzakonshëm, me 2 milionë pjesëmarrës. Ishin edhe Presidenti Ëeizcaker, Gensheri, Vili Brand etj. Festimet e popullit qenë madhështore. Në tribunën e ngritur para sheshit të Raishtagut, me pjesëmarrje që shkonte nëpër Bulevardin 17 Qershori dhe nëpër rrugën drejt Potdames Platz, e mori fjalën Kancelari Kohl. Ai foli për 45 vitet e Gjermanisë së ndarë dhe për ëndrrën e gjermanëve, që asnjëherë nuk u shua, për një atdhe të bashkuar. Ai falënderoi Presidentin e SHBA Bush, atë të Francës, Miteran, por edhe Kryeministren britanike Thatcher, që edhe deri ditën e fundit nxirrte “kleçka”. Një falënderim dhe mirënjohje të jashtëzakonshme Kancelari Kohl i shprehu homologut sovjetik Mihail Gorbaçov “, që njohu të drejtën e popujve për të vetëvendosur”.

16 Kancelari ngriti peshë zemrat e gjermanëve kur falënderoi popullin e RDGJ-së që “me fuqinë e përhershme të dashurisë për lirinë” mposhti diktaturën e SED-it”. Ai vazhdoi duke iu drejtuar qytetarëve të RDGJ-së, se “askush nga ju nuk do të jetë më keq se dje, të gjithë do të jenë më mirë”.

17 Më tej u foli për rrugën e vështirë që e priste Gjermaninë e Bashkuar, por ishte i bindur se populli ishte i gatshëm për sakrifica dhe se do t’i kishin shanset për një sukses të përbashkët. “Diktatura mbi 40-vjeçare e SED-it”, deklaroi Kohl-i, “ka krijuar plagë të thella në zemrat e njerëzve. Shteti i së drejtës ka për detyrë të vendosë drejtësinë dhe paqen e brendshme. Këtu jemi të gjithë para një provë të vështirë të vlerave. Padrejtësitë e rënda duhet të ndëshkohen, por ne duhet gjithashtu të gjejmë forcë për vëllazërim të brendshëm. Unë u lutem të gjithë gjermanëve: të gëzojmë të gjithë së bashku, me dinjitet, lirinë e përbashkët. 3 Tetori ishte një ditë e gëzimit, falënderimit dhe shpresës. Gjenerata e re në Gjermani, ka tani shansin si asnjë gjeneratë tjetër para saj, të jetojë përherë në paqe e liri… “Gjermania është atdheu ynë, Europa e bashkuar është e ardhmja e jonë”.

18 Dhe kështu mund të fliste vetëm një burrë i madh shteti, një Gjerman i madh, një europianist i madh. Presidenti amerikan, Bill Clinton, do të shkruante: “Helmut Kohl është burri më i shquar i shtetit, që nga Lufta e Dytë Botërore. Ne kujtojmë të gjitha vendimet që duhet të merrte mbas rënies së Murit. Ai i ishte përgjigjur drejt çdo çështje që duhej zgjidhur, i ka zgjidhur drejt për Gjermaninë, i ka zgjidhur drejt për Europën, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka zgjidhur për të ardhmen e botës”.

19 Bill Clinton, im Mai 2011. Flasin të gjithë udhëheqësit Gjermanë, foli në mënyrë prekëse dhe gjermano-lindori nga Halle-Sale, diplomat ndër më të shquarit ne botë, Hans Dietrich Gensher. Foli edhe Kryeministri gjermano-lindor, Lothar De Maizière, tepër i emocionuar. Ai foli për një “largim pa lot”, për një mision të përfunduar deri në zgjedhjet e reja. Kryeministri gjermano-lindor foli edhe për nevojën e sqarimit të fajeve dhe pafajësive dhe kërkoi, që në radhë të parë, të qëndrojnë përpjekjet për vëllazërim, Kjo ishte themelore. Në ora 2 të mëngjesit sheshi vazhdonte të brohoriste e të thërriste Kohl, Kohl.

Mëngjesi i 3 Tetorit e gjeti Gjermaninë te Bashkuar. Ishte realizuar një qëllim i madh Kombëtar, një aspiratë dhe një e drejtë që nuk u fashit kurrë. Kancelari Kohl e quan se ka qenë me fat të madh që Gjermania u bashkua aq shpejt dhe që marrëveshjet u ratifikuan, sepse më 23 gusht 1991, Presidenti Jelcin, që kishte ardhur në pushtet në mesin e qershorit, ndaloi me një dekret të posaçëm të gjitha veprimtaritë e PK të BS. Të nesërmen, Gorbaçovi dha dorëheqjen nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë dhe Presidentit të vendit. Në fakt Kongresi i Deputetëve të Popullit, në mars të vitit 1990 kishte hequr nga

Kushtetuta e BRSS nenin që citonte PK të Bashkimit Sovjetik, si forcë e vetme udhëheqëse të vendit dhe të shoqërisë. Më 2 dhjetor 1990, dy muaj pas bashkimit do të zhvilloheshin zgjedhjet e para në Gjermaninë e Bashkuar. Rezultati ishte bindës për CDU-në dhe CSU-në, unioni historik – 43.8 për qind. SPD mori 33.5 për qind, FDP 11 për qind. Mbetën jashtë Parlamentit të Gjelbërit, që sapo ishin krijuar, e Majta dhe PDS. Më 18 Janar 1991 u votëbesua në Bundestag, qeveria e re e koalicionit me liberalët (FDP), nën drejtimin e Kancelarit Kohl dhe me zv/Kancelar dhe Ministër të Jashtëm, H.D.Gensher. Për Helmut Kohl kjo ishte zgjedhja e tij e katërt si Kancelar. Marrëveshja përfundimtare 2+4 hyri në fuqi, më 15 Mars 1991, 11 ditë mbasi ishte ratifikuar nga parlamentet përkatëse. Kishin kaluar 46 vjet nga kapitullimi pa kushte i Rajhut Gjerman dhe vendosja e forcave fituese të Luftës së Dytë Botërore në Gjermani dhe Berlin. Kishin kaluar edhe 30 vjet nga ndërtimi i Murit të Berlinit, dhe vetëm 1 vit nga shembja e tij. Tani Gjermania e Bashkuar do ishte një shtet kombëtar Sovran.

KANCELARI HELMUT SCHMIDT

“Ribashkimi i dy shteteve gjermane u bë i mundur sepse kishim një BE dhe një NATO”. Për Helmut Kohlin, nuk do të ishte aspak e lehtë të punonte për ribashkimin e dy shteteve gjermane të pasluftës, pa mbështetjen e jashtëzakonshme të Presidentit Bush, në Perëndim dhe Presidentit Gorbaçov, në Lindje”

PRESIDENTI BILL CLINTON

“Helmut Kohl është burri më i shquar i shtetit, që nga Lufta e Dytë Botërore. Ne kujtojmë të gjitha vendimet që duhet të merrte, pas rënies së Murit. Ai i është përgjigjur drejt, çdo çështjeje që duhej zgjidhur; i ka zgjidhur drejt për Gjermanine, i ka zgjidhur drejt për Europën, për SHBA, i ka zgjidhur drejt për të ardhmen e botës”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Perestrojka - “rindërtimi” i BRSS-së

Gorbaçovi – njeriu që ndryshoi botën


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit