MENU
klinika

Labirintet e ndërgjegjjes

Kafka dhe Dostojevski, shpirti mes shtangies dhe rilindjes

20.10.2022 - 14:40

       Të paktë janë ata shkrimtarë, që janë kuturisur në abisin e shpirtit me vijueshmërinë dhe obsesionin e Franc Kafkës. Jeta e qenies njerëzore lidhet ngushtë me një paradoks të pashmangshëm: për të dalluar të vërtetat që ka më shumë për zemër, përgjigjet e pyetjeve që gërryejnë dëshirën për dije, nevojitet të futesh në skutat më të errëta të shpirtit. Teksa bredhërin nëpër errësirën e ndërgjegjes, duke u zhytur në nëntokën e vështirë të zotërimit të impulseve./Konica.al

Së fundmi, mësohemi të shohim momentin kur jemi gati të mbyllim sytë. Sepse, ndonjëherë, drita mund të jetë më mashtruese se errësira. Sytë, ajo i verbon me shkëlqimin e fortë të besimit të rremë. Shpërndan siluetat në spërka të paqëndrueshme e të padallueshme, sikur e shkrin ngurtësinë e objekteve. Dhe vetëm në errësirë, në instinktin e mbijetesës, që na shtyn t’i kapim ato si ankorime të bredhërimit drithërues, ngurtësia e tyre kthehet mrekullisht në shfaqje. Atje, në nëntokë, dëshira përzihet me përtacinë. Kërkimi i furishëm për vullnetin e lirë përplaset me peshën e marrëveshjeve shoqërore. Vetmia dhe pakënaqësia shkojnë krah për krah me krenarinë dhe fodullëkun. Atje, në kazanin ku ziejnë vazhdimisht shqetësimet tona, rezultati i këtyre kundërshtimeve arkaike, nuk është aspak i dukshëm. Fitues është vetëm vërtetësia e udhëtimit. Siguria, se cilido qoftë pasoja e atij udhëtimi zbritës, që të çon në ngjitjen apo fundosjen përfundimtare, do të ishte më mirë ta ndërmerrte, sesa ta ndrydhte problemin.

Fare pak shkrimtarë janë kuturisur në këtë hon me vijueshmërinë dhe obsesionin e Franc Kafkës. Natyrisht, jo rastësisht përdorimi i gjerë i alegorive të kafshëve si një mjet reflektimi mbi gjendjen njerëzore, është një nga gurëthemelet e poetikës së autorit bohem. Konkretisht, kafshët lidhen me botën e gjysmerrësirës, me nëntokën e padukshme dhe të neveritshme të jetës së përditshme. Gregor Samsa, i famshmi dhe i pavdekshmi njeri-buburrec i “Metamorfozës”, është vetëm një nga shembujt e këtyre zakoneve, të cilit, sigurisht, duhet t’i shtohen minjtë e “Jozefina këngëtares” dhe, mbi të gjitha, shkrirja enigmatike midis njeriut dhe brejtësit, ku mishërohet protagonisti i tregimit “Strofka”.

I shkruar në vitin 1923 dhe i botuar pas vdekjes (siç ka ndodhur shpesh) nga miku i tij Maks Brod, në 1931, “Strofka” përfaqëson një nga shprehjet e fundit madhështore të mendimit kafkian dhe, në disa aspekte, mjeshtërinë e tij. Tashmë, nga premisat e gërshetimit narrativ, teksti i ofrohet lexuesit me gjithë ekstremizmin e tij, duke vendosur në qendër të veprës një protagonist pa identitet. Një figurë e zhveshur nga e kaluara dhe e tmerruar nga e ardhmja, e izoluar në mënyrë të pariparueshme nga bota dhe nga vetja, e cila aspiron të ndërtojë assesi një strehë nëntokësore, në të vërtetë, një strofkë, për t’i shpëtuar çfarëdolloj mundësie për kontakte shoqërore. Mes korridoreve të koklavitura, rrethrrotullimeve, kështjellave të vërteta, ndërtesa sa vjen e bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar, deri në atë pikë sa vetë krijuesi i saj e ka vështirë të orientohet në brendësi të saj.

Dëshira e sinqertë për paqe, shndërrohet në vetëdënim të pavetëdijshëm, në përmbysjen e mitit të Tezeut dhe Arianës, në një gjueti fantazmash, që nënkuptohet përmes arrogancës në rritje në të çarat e një fasade të qetë. Nuk mjafton që alteregoja e shqetësuar, antropomorfe e Kafkës t’i lejojë vetes një orë ajër në emër të gjuetisë, për t’u bindur se dëbimi për të cilin ai është dënuar, mund të jetë i kthyeshëm. Nuk mjafton për ta çliruar atë nga ndjesia e ngutshme, që një fërshëllimë dashakeqe  pranë fortesës së tij, po sinjalizon ardhjen e një armiku të frikshëm dhe të paspecifikuar. Nga fundi, tregimi na paraqet fillimisht gërmimet e pandërprera dhe të ethshme të protagonistit në kërkim të atij tingulli të mprehtë, që duket se nuk ka burim. Më pas, aty për aty, na godet me përfundimin. Burri-brejtës, i bindur se një krijesë misterioze po sillet vërdallë, me qëllim që ta vrasë, zgjedh të ngulitet përgjithmonë në burgun që kishte caktuar si një vend lirie. Në mbrojtje të përhershme të asaj porte, që ai e konsideronte të pathyeshme. Ndërsa mes hidhërimit, dhembshurisë dhe ironisë tallëse, autori ngjyron fjalët e tij, duke thënë se “gjithçka mbeti e pandryshuar”. Kjo ngaqë tragjedia e historisë nuk qëndron te çmenduria, apo te neuroza e protagonistit. Aq më pak, as në vetminë e tij të thellë. Është në gjendjen e pezullimit të mjegullt, në mbivendosjen e planeve midis realitetit dhe trillimit, në pavendosmërinë vdekjeprurëse midis jetës dhe mohimit të saj, që fshihet mesazhi më i hollë i këtij xhevahiri të vogël kafkian. Dëshmitar i një kohe që gjunjëzohet para paaftësisë, frikës së një të keqeje, që me sa duket vjen nga jashtë, por që realisht e ka brenda vetes./Konica.al/ Është fundi i asaj që Heidegger, menjëherë pas kësaj, do të kishte përcaktuar “mundësinë e të qenit atje”, zerimin e një bote dhe të individualiteteve që e popullojnë atë, të cilat preferojnë të vdesin, duke u përdredhur në vetëreferimin, sesa në eksplorimin e pasurisë së strofkës. Një rezultat shqetësues dhe divergjent krahasuar me atë të nëntekstit kryesor të përdorur nga Kafka për tregimin: “Kujtime nga nëntoka” (1864) të Fjodor Dostojevskit, që shkrimtari bohem nuk mungon ta përmendë në “Metamorfoza”, ku protagonisti, gjithashtu i izoluar nga zgjedhja nga një botë që ai e mohon dhe nga e cila ka mësuar se sa shumë vuajtje mund të jenë ngushëlluese, i jep jetë një monologu edhe më të vrazhdë, zhgënjyes, përçmues dhe më therës se homologu i tij. Por, paralelisht me vargun e konsideratave dhe veprimeve të mjerueshme, shfaqet një dëshirë e dukshme për pastërti, përpjekja e dobët, por e vërtetë për t’u pajtuar me ndjenjat e fajit.

Qëllimi fisnik për të kombinuar tejmbushjen e vullnetit me një ndjenjë paqësore të shpengimit nga imponimet dhe mashtrimet. Edhe pse i errët dhe i pamëshirshëm, romani i Dostojevskit, ndonëse gërmon si askush në palcën e shpirtit njerëzor, nuk mbetet aty i mbërthyer. Ai nuk i shqyrton abiset e tij me orvatjen për t’u magjepsur nga thellësitë e baltosura, por me idenë për t’i bërë ato një trampolinë drejt një sipërfaqeje që shpesh është e panjohur, por e supozuar si e nevojshme. Ai nuk i dorëzohet tundimit për t’u kristalizuar në dorëheqje. Shkurt, në rrëfimin e neverisë, shkrimtari rus tejsheh të ashtuquajturin vështrim të përjetshëm të rilindjes: jo garancinë e arritjes aktuale, por më tepër paraqitjen e një alternative. Kafka, nga ana tjetër, në të njëjtën poshtërsi sheh një gjykim ekzistencial të padiskutueshëm. Një paralizë e përjetshme. Dhe është midis këtyre dy ekstremeve, midis këtyre dy rezultateve ndonjëherë të këmbyeshme, që njerëzit lëvizin. Në një fill të hollë, gati për t’u këputur në të dyja skajet./Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit