MENU
klinika

Në krizë për ushtarë...

Mesoburra me armë të viteve ’30: Kë po dërgon Putini në luftë

17.10.2022 - 11:05

Lugansk (Donbas) – Tanket T72 ndjekin njëri-tjetrin si dragonj me luspa që çajnë nëpër mjegullën që ka mbuluar fushat e mëdha. Herë pas here njëri nga dy tanket ndalet dhe nxjerr nga tyta një shkulm të zhurmshëm tymi dhe flake. Granatat shpërthejnë 1 kilometër larg, duke u vënë flakën shkurreve.

Gjashtëqind metra larg nesh mësyjnë këmbësorët. “Vni zu” (Shtrihuni të gjithë përtokë!), bërtet oficeri ndërsa rreshti i trupave me jelekë anti-plumb dhe helmeta në kokë zvarritet përtokë duke gjuajtur me kallashnikov drejt armiqve imagjinarë. Jemi rreth 30 kilometra larg Luganskut në një vend që për arsye sigurie nuk na lejohet ta përmendim.

Në rrafshinën e valëzuar përballë nesh stërviten të ashtuquajturit “të mobilizuar”. Një pjesë e vogël e 300 mijë njerëzve të njoftuar nga Kremlini për t’u bërë gati për në front. “Nga këtu ne shkojmë direkt në vijën e parë të frontit, ndaj duhet të bëjmë më të mirën.

Këta ushtarë – shpjegon instruktori i maskuar që koordinon manovrat – kanë shërbyer tashmë në forcat tona të armatosura, por ne duhet t’i mësojmë sërish si të luftojnë, dhe duhet ta bëjmë këtë sa më shpejt, sepse së shpejti do të jenë në mesin e ushtarëve të tjerë në Ukrainë.

Është kjo arsyeja pse përpiqemi t’i stërvitim për të gjitha llojet e luftimeve, nga ato nëpër shkurre dhe dëborë, deri tek mjediset urbane dhe në llogore. Mbi të gjitha, përpiqemi që t’i nxisim ata të rifitojnë besimin me të gjitha armët që kanë në dispozicion, nga kallashnikovët e thjeshtë deri tek granatahedhësit antitank”.

Nuk është e vështirë të kuptohet se në cilin front janë të destinuar të dërgohen këta rekrutë. Disa dhjetëra kilometra nga këtu ndodhet linjat e frontit në Lysychansk dhe Kremenoy. Atje rusët, aleatët e tyre çeçenë dhe ata të republikave separatiste të Luganskut dhe Donetskut, kanë ngritur një linjë të re mbrojtjeje pas tërheqjes nga Lyman në fund të muajit shtator.

Nga atje është e pamundur të tërhiqen më pas, sepse kanë humbur jo pak nga territoret e pushtuara gjatë ofensivës së fillim të verës. Në fakt, gjenerali Sergej Surovkin, komandanti i ri i përgjithshëm i forcave ruse në Ukrainë, kërkon që këta njerëz të jenë mjaftueshëm të aftë për t’i sprapsur ukrainasit, dhe për të rimarrë 40 për qind të territoreve të Donetskut që janë ende nën kontrollin e Kievit.

Nëse rusët do të kishin sukses, do ta lejonin Vladimir Putin të mbyllte në avantazh pjesën e parë të “lojës”, duke pretenduar arritjen e objektivave të shpallur në fillimin e Operacionit Special, duke lejuar arritjen e një armëpushimi dhe duke propozuar një negocim për një marrëveshje për paqe.

Por mund të pyetet nëse këta ushtarë përfaqësojnë një forcë që mund ta garantojë përparim në fushën e betejës. Asnjë prej tyre nuk është shumë i ri në moshë, ndërsa nën uniformat dhe jelekët anti-plumb mund të vërehet barku i rrumbullakosur. Edhe armët dhe mjetet mbrojtëse janë prodhuar më shumë se 20 vite më parë, dhe kontrastojnë dukshëm jo vetëm me pajisjet që përdorin aktualisht njësitë ukrainase të dërguara nga NATO, por edhe me armët shumë më moderne të njësive ruse të dislokuara në vijën e frontit.

Prandaj, ka shumë të ngjarë që të mobilizuarit dhe rezervistët të shërbejnë mbi të gjitha për të ri-kompaktësuar vijën e dytë dhe të tretë të frontit, ose për të garantuar zëvendësime të pjesshme të reparteve luftarake të dëmtuara rëndë nga humbjet e muajve të fundit.

Megjithatë, më keq se rusët e mobilizuar janë ata të Republikës së Luganskut që stërviten në një sektor tjetër të kampit. Atje shumë nga automjetet e blinduara janë të njëjta me ato që shiheshin gjatë Luftës në Afganistan në vitet 1980.

Në dallim nga rusët e mobilizuar, ata që vijnë nga Republika e Luganskut janë të gjithë vullnetarë edhe pse mosha mesatare mbetet midis 35-40 vjeç. Dallimi i vërtetë qëndron tek pagesa. Rritjet e fundit të miratuara nga republikat separatiste e kanë rritur pagën nga 74 mijë rubla (ca më shumë se 1000 euro) në fillim të luftës në 200 mijë rubla, sot e barabartë me gati 3 mijë euro.

“Unë kam punuar më parë në një minierë qymyrguri. Por duhet të mendoj për prindërit, gruan dhe 2 fëmijët. Ndaj duke u angazhuar në luftim, unë mund t’u garantoj atyre disa para, dhe në të njëjtën kohë të mbroj ata dhe atdheun tim”- thotë një 36-vjeçar me emrin Juri.

Burimi: Il Giornale

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pse janë tensionuar marrëdhëniet?

“Muaji i mjaltit” i Putinit dhe Erdoganit mbaroi!

Forcat ruse po grumbullohen në kufirin e Ukrainës...

“Putini po luan me zjarrin”!