Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se qeveria është duke përgatitur amnistinë penale për të burgosurit në këtë fundvit. Në daljen për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Manja tha se Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve janë duke punuar për faljen e dënimeve për të burgosurit dhe aktualisht ky proces është në fazë studimi dhe analize. Kjo nismë, e cila është traditë, rikthehet pasi për herë të fundit ajo është bërë para dy vitesh.
“Në fakt, lidhur me amnistinë penale është traditë që çdo fundvit qeveria e merr iniciativën për ketë lloj amnistie. E fundit është bërë në vitin 2020. Ne si ministri e Drejtësisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve jemi në fazën ku po bëjmë një studim dhe analizë të detajuar lidhur me amnistinë penale në momentin që do të dalim me një rezultat do t’ju njoftojmë. Po, po punojmë për një amnisti penale, por jemi në fazën e studimit dhe analizë”, deklaroi ministri Manja.
Ministria e Drejtësisë ende nuk ka numrin e saktë apo listën e përfituesve nga amnistia penale. Manja në deklaratën e tij nuk dha asnjë detaj se cilat kategori të burgosurish mund të përfitojnë dhe nëse do të ketë ndryshime për kushtet që duhet të plotësojë një i dënuar për të përfituar nga amnistia penale. Në vitet e shkuara, kur ajo është aplikuar kanë përfituar të dënuar që janë në fund të vuajtjes së dënimit apo janë dënuar për krime të cilat nuk përbëjnë rrezikshmëri të lartë për shoqërinë.
Kjo lëvizje nga qeveria për të hapur dyert e burgjeve vjen në një kohë kur numri i personave në institucionet e vuajtjes së dënimit është rritur ndjeshëm dhe kapacitetet logjistike, përfshirë kostot financiare janë shtuar ndjeshëm. Madje, kjo nismë vjen edhe në kohën kur qeveria ka propozuar një projektligj për heqjen e kufirit të moshës 35 vjeç për kandidatët që duhet të marrin pjesë në konkurse dhe përzgjidhen si punonjës të Policisë së burgjeve për shkak të mbi 400 vakancave që ka aktualisht në 22 IEVP e vendit. Kujtojmë që hera e fundit kur në vend pati një amnisti ka qenë fundviti 2020, periudhë kur Ministria e Drejtësisë drejtohej nga Etilda Gjonaj.
Në atë kohë përfituan rreth 800 persona, pjesa më e madhe të mitur, të cilët ishin arrestuar dhe dënuar për vepra të ndryshme penale, kryesisht vjedhje. Në vitin 2021, amnistia penale nuk u aplikua pasi ishte një vit elektoral, në të cilin u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit.