MENU
klinika

Çmimet e karburanteve

PD nis protestat nga Elbasani

11.10.2022 - 09:41

Siç është lajmëruar më herët nga kreu i PD-së, Sali Berisha, aksioni i opozitës do të jetë në disa drejtime. Krahas përgatitjeve për zgjedhjet lokale, Berisha është shprehur se do të ketë edhe protesta dhe greva.

E duket se momenti i nisjes së protestave ka ardhur. Tubimi i parë për këtë sesion të ri duket se do të nisë nga Elbasani. Partia Demokratike në këtë qytet ka njoftuar protestë në qendër të qytetit kundër rritjes abuzive të çmimit të naftës. “Partia Demokratike, dega Elbasan, do të nisë nga kjo e martë protestat kundër qeverisë.

Pas rritjes abuzive të çmimit të karburanteve nga Bordi i Transparencës, PD-ja, dega Elbasan, do të organizojë një protestë për 60 minuta ditën e martë 11/10/2022, në ora 11:00, në sheshin ‘Gensher’ në qendër të Elbasanit”, thuhet në njoftimin e PD-së.

Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, kryedemokrati Berisha ftoi qytetarët që të reagojnë kundër çdo padrejtësie të qeverisë. “Ju ftoj të angazhohemi në këtë betejë dhe të angazhohemi për protesta të fuqishme. Nuk mund të pengojnë përpjekjet për zgjedhjet lokale. Do bëjmë gjithçka për të dalë me një kandidat. Kjo nuk mund të na pengojë pa ndërmarrë protestat më të fuqishme. Sepse përndryshe do të kemi vetëm rrënim. Dy javë më parë, deklaroi rritjen e energjisë elektrike. Sot, e vendosi sërish për muajin nëntor. Mirë e bën nëse ne e lejojmë. Ai tallet me shqiptarët. I shumëzon me zero. Koha është t’i japim përgjigjen e merituar dhe unë kam besim të madh te qytetarët se në betejën e ardhshme Edi Rama do të marrë atë që meriton”, deklaroi Berisha.

I cili duket se është në të njëjtën linjë me kryetarin e PL-së, Ilir Meta, i cili gjithashtu është shprehur se kjo kohë do të shoqërohet me protesta dhe zgjedhje.