MENU
klinika

Testamenti me tri fjalë

Poeti më i talentuar, artisti më i “çmendur”!

11.10.2022 - 15:14

        Një nga mendjet krijuese më të mëdha, më të talentuara të shekullit të 20-të, Zhan Kokto shfaqi elegancë në çdo lëvizje, mënyrë dhe sjellje. “Djali i tmerrshëm” i letërsisë bashkohore franceze, lindi më 5 korrik 1889 dhe vdiq më 11 tetor 1963./Konica.al

Më 11 tetor 1963, francezët dhe zemrat e ndjeshme të gjithë planetit vuajtën humbjen në të njëjtën ditë të Zhan Koktosë, poetit të njohur dhe këngëtares Edit Piaf, e lindur në vitin 1915. Ende supozohet se Zhan Kokto është fjala e fundit në modernitet, kështu, në njëfarë kuptimi, ai është. Ai është modern, sepse ndodh të jetë 30-vjeçar dhe plotësisht vetvetja; herë pas here ai është fjala e fundit, sepse rastësisht ka gjenialitet. “Stili është një mënyrë e thjeshtë për të shprehura gjëra të ndërlikuara”, – shkroi regjisori, poeti, novelisti, dramaturgu, artisti, skicuesi, dendi i gjithanshëm dhe esteti Zhan Kokto, mishërimi i shprehjes artistike, një interpretues i gjithanshëm dhe brilant i avangardës së shekullit XX. Fëmija mrekulli i letërsisë franceze, nuk e arriti kurrë pjekurinë, ai pati një jetë të trazuar dhe të rrëmujshme, përkushtuar tërësisht demonit të ankthit dhe të mbushur me humbjen e shumë njerëzve të dashur.

“Poeti është një gënjeshtar që, shpesh, thotë të vërtetën”. Imazhi klasik i Koktosë – Narcizi i Modernizmit dhe adhuruesi i parë i lëvizjes mediatike; shoku i Pikasos, ngatërrestari i Men Rejit, miku i Prustit, dishepull i Diaghilevit, mentor i poetëve dhe aktorëve si Rejmond Radiget dhe Zhan Mare (ky i fundit u bë muza e tij, duke luajtur në filmat: “Orfeja” dhe “E bukura dhe bisha”) dhe idhull/frymëzim i skenave të ardhshme multimediale, si Andy Warhol. Katolik i shthurur, ai u bë kryeprifti i avangardës, duke kryer shërbesën në dasmën e Pikasos me balerinën Olga Khokhlova (ai dhe poeti Gijom Apolineri, mbanin kurorat e arta mbi kokat e nuses dhe dhëndrit; Pikaso e përshkroi Koktonë, si “bisht i kometës sime”) dhe pranoi sfidën e Diaghilevit për “më befaso”, duke shkruar baletin “Parada” në vitin 1917 (skenat dhe dizajnët e kostumeve nga Pikaso, muzika nga Erik Satie), pjesë e cila shkaktoi skandal dhe nuk u vlerësua nga kritika. “Shkathtësitë e Koktosë në një sërë mediumesh, të lidhura me dashurinë për fatin e keq e lanë atë të mbërthyer si një diletant”.

Prirja e Koktosë për vetëdramatizimin dhe ndjekja e vazhdueshme e modernes, grishi një sërë mendjesh të ngjashme, nga Modigliani tek Andre Zhidi, apo Koko Shaneli (skicoi kostumet për përshtatjen në 1922 të “Antigonesë” së Sofokliut). Ai promovoi veprën e surealistëve, ndërkohë që mohoi se ishte i tillë. Edhe zakonet e tij rekreative ishin parashikuese; ai u bë i varur nga opiumi në fund të viteve ‘20-të, pas vdekjes së të mbrojturit të tij, Radiguet nga ethet dhe shumë prej kryeveprave të tij, romani “Fëmijët e tmerrshëm” (1929), filmi “Gjaku i një poeti” (1930), janë shkruar në mes të qejfeve ose shkapërderdhjeve. […] Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kokto i refuzuar për pritjet e tij seksuale u quajt “dekadent” nga regjimi kolaboracionist i Vishisë; rebelimet ndoqën shfaqjen e pjesëve të tij, të cilat u ndaluan paraprakisht nga policia gjermane.

Në vitin 1949, Kokto u bë Kalorësi i Legjionit të Nderit dhe filloi turnetë e diskurseve në Shtetet e Bashkuara dhe Lindjen e Mesme. Gjendja e dobët shëndetësore e detyroi të dilte në gjysmëpension, në mesin e viteve 1950, por ende ruante ase nën mëngët e tij elegante. Në vitin 1960, Kokto u shfaq në filmin e tij të fundit: “Testamenti i Orfeut”. Në moshë të kaluar, atë e shqetësonte vdekja, temë e parapëlqyer e tij: “Sa më shumë mrrudhem unë, aq më shumë rritet ajo, duke zaptuar më shumë vend, duke u shqetësuar për detaje të vogla”. Po përgatiste një transmetim radiofonik për të nderuar bashkëshorten e tij të sëmurë Edit Piaf, kur mësoi lajmin se ajo kishte vdekur. Atëherë sokëlliu: “Ah, Piafi vdiq, tani mund të vdes” dhe pësoi atak në zemër. Në epitaf shkruhet: “Je reste avec vous ” – “Qëndroj mes jush”. Këto fjalë janë “Testamenti i Koktosë”./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


22 shtator 1909, dita kur shkrimtarit i shfaqet Jezusi

Konvertimi verbues: Max Jacob, bohemiani në heshtjen e abacisë