MENU
klinika

Fjalimi i Ramës

Qafoku: Shkundje nga gafat e së shkuarës ndaj popullit të Kosovës

13.10.2022 - 19:02

Fjalimi i kryeministrit Rama në Këshillin e Evropës është komentuar nga analisti dhe gazetari Roland Qafoku. Në një prononcim për Fjala.al, Qafoku ka analizuar fjalimin e kryeministrit shqiptar duke e cilësuar atë si të nevojshëm dhe të thënë në vendin e duhur.

Sipas Qafokut “nuk ka vend që të pozicionohemi pro dhe kundër sepse nuk po bëjmë politikë të brendshme, por po bëjmë politikën e çështjes kombëtare dhe këtu nuk ka ndasi të djathtë dhe të majtë, të qeverisë dhe opozitës.”

Më tej ai është shprehur se më tepër nga opinioni i ndërkombëtarëve ne na intereson çështja kombëtare e veçanërisht ajo e Kosovës.

Prononcimi i plotë

1.Si e komentoni fjalimin e fortë të Ramës në Asamblenë e Përgjithshme të KiE, gjuha e përdorur nga kryeministri.

Fjalimi i kryeministtit Edi Rama në Starsburg është pjesë e puzzle-t të të sa e sa fjalimeve të politikanëve shqiptarë që kanë përfaqësuar shtetin e Shqipërisë dhe shtetin e Kosovës, por e shprehur në mënyrë të drejtëpërdejtë. Mendoj se ky është fjalimi që ka ngjallur më shumë debate në të gjithë historikun e fjalimeve që kanë mbajtur autoritet shqiptare nëpër institucionet ndërkombëtare si ai i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Kryeministri Rama përdori një gjuhë të drejtpërdrejtë, ta pakujdeshme dhe të qartë për ato që ai mendon se kontinenti plak i ka bërë gabim ndaj popullit martir të Kosovës. Deri më sot jemi mësuar që në këto organizma politikanët shqiptarë që kanë përfaqësuar Shqipërinë, si kryeministra, presidentë dhe ministra të Jashtëm të flisnin diplomatikisht nën ndikimin e një rregulli se “duhet të jemi të kujdesshëm se mos na mërzitet Greqia, Italia, Gjermania, Franca etj. Kryeministri Rama në fakt për rreth një orë tha atë që në fakt shumë e mendojmë, por askush nuk e ka thënë në atë formë dhe në atë sallë. A ishte kjo e duhura? Po më mirë që edhe të bëhet ndonjë kapërcim diplomatik kur mbrohet një çështje që populli i Kosovës ka të drejtë se sa ti biem anash e anash dhe humbasim çështjen. Rama nuk ishte aty për t’i lënë përshtypje të mirë asamblistëve të Këshillit të Evropës por për t’i shkundur ata nga gafat që janë bërë në të shkuarën ndaj popullit martir të Kosovës.

Në këtë pikë unë besoj se nuk ka vend që të pozicionohemi pro dhe kundër sepse nuk po bëjmë politikë të brendshme, por po bëjmë politikën e çështjes kombëtare dhe këtu nuk ka ndasi të djathtë dhe të majtë, të qeverisë dhe opozitës. Në këtë pikë unë e kritikoj qendrimin e Edi Ramës kur ishte në opozitë dhe bënte opozicion të padrejtë ndaj fjalimeve të kryeministrit të asaj kohe Sali Berisha lidhur me çështjet kombëtare apo ndaj ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Kjo ka sjellë një kulturë opozitare në Shqipëri sipas të cilës çfarëdo të thotë kryeministri edhe në rast se flet për çështjen kombëtare, ai duhet të quhet antishqiptar dhe pro serb. Kështu fitohet kapital politik.

Pro serb është cilësuar edhe Fatos Nano edhe Sali Berisha, edhe Ilir Meta dhe tani edhe Edi Rama. Unë besoj se asnjëri e as tjetri nuk janë proserbë dhe ky stil opozitari nuk është gjuhë prej një politikani profesionist.

  1. Si dhe sa do ndikojë ky fjalim në marrëdhëniet diplomatike me vendet e tjera?

Personalisht mendoj se na intereson më shumë çështja jonë kombëtare, veçanërisht ajo e Kosovës se sa përdredhja e buzëve të disa diplomatëve dhe asamblistëve që ishin në atë sallën e Këshillit të Evropës. Nuk besoj se tashmë me këtë fjalim shtetet e Evropës do shikojnë të ardhmen e marrëdhënieve me Shqipërinë. Kjo është për të qeshur. A tha Edi Rama ndonjë gjë që nuk shkoi? Unë nuk vërejta. Edhe nëse këtë fjalim do ta mbante Berisha, Meta apo kushdo tjetër do jepja këtë vlerësim.

  1. Si dhe sa do ndikojë ky fjalim në opinionin shqiptar?

Tashmë si në sport opinioni është ndarë pro dhe kundër. Kjo nuk është një gjë e mirë. Sepse duket sikur mbajti një fjalim në parlament dhe afërmendsh që opozita do thotë se Edi Rama foli keq dhe mazhoranca do thotë foli mirë. Por kjo mënyrë e të qenit partizan për çdo gjë jo vetëm nuk është normale por tregon papjekuri të klasës politike. Unë e kuptoj shoqërinë shqiptare të fillim viteve ’90-të ishte kështu. Por në vitin 2022 të vijojmë me këtë lloj ndasie tregon se edhe shoqëria jonë ende nuk është pjekur. Dhe pikërisht këtu duhet të gjejmë arsyen e madhe përse Evropa na mban larg dhe nuk na bënë pjesë të saj.

  1. Si e komentoni qëndrimin e opozitës shqiptare pas fjalimit të kryeministrit në Strasburg?

Në vitin 1997 kryeministri i asaj kohe Fatos Nano takoi Sllobodan Milosheviçin në Kretë në një forum ndërkombëtar në të cilin e takuan edhe përfaqësues të shteteve të tjerë. Autoritetet më të larta të SHBA dhe të Evropës e kishin takuar ata, por opozita e asaj kohe e cilësoi Fatos Nanon tradhtar i çështjes së Kosovës vetëm se shtrëngoi duart dhe jo për ato që i tha Nano. Kur Sali Berisha në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë përmendi fjalën bashkim kombëtar opozita socialiste e cilësoi antievropian. Pra opozita jonë, është gati të kritikojë mazhorancën sa herë flet dhe jo për çfarë flet. Nuk u prish rregulli edhe këtë herë. E kanë masakruar fjalimin e Ramës a thua foli në favor të Serbisë dhe jo Kosovës. Edi Rama dhe qeveria e tij ka një mijë e një defekte dhe opozita në të shumtën e rasteve ka të drejtë që ia thotë, por kur diskutohet për çështjen kombëtare nuk ka sens dhe nuk është rasti ta shfrytëzojë për disa pikë më shumë. Sigurisht kjo nuk ishte suprizë  dhe gjasta janë se kështu do vijojë edhe kur PD të vojë në pushtet. Opozita e saj do kritikojë gjithçka që do bëjë qeveria e djathtë. Prandaj nuk shikoj ndonjë element thelbësor në këto kritika.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Rrëzoni akuzat e turpshme ndaj Kosovës"

Rama, kritika të forta KiE: Shpëtoni fytyrën