MENU
klinika

Çfarë thotë Prokuroria?

Sekuestrohet prona e 34 vjeçarit, në burg edhe vëllai

27.10.2022 - 10:03

Pasuri me vlerë 400 mijë euro janë sekuestruar në qytetin e Elbasanit, pronari i të cilave dyshohet se i ka përfituar nga aktivitet i paligjshëm.

Operacioni koduar “Fasada 2”, vuri nën sekuestro pasuritë në emër të shtetasit Daniele (Oklid) Çela, 34 vjeç, banues në Elbasan, i cili rezulton i dënuar me 13 vite burg në shtetin norvegjez pasi akuzohet për trafikun e lëndëve narkotike. “Si rezultat i këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, e cila bazuar në provat e grumbulluara gjatë hetimeve të kryera nga Policia dhe Prokuroria, ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të shtetasit Daniele (Oklid) Çela, 34 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas është dënuar me 13 vjet burgim, në Norvegji, si autor i trafikimit të lëndëve narkotike, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, me aktivitet në këtë shtet”, sqaroi Policia e Elbasanit.

ÇFARË THOTË PROKURORIA
Prokuroria e Elbasanit tha se procedimi ndaj 34-vjeçarit ka nisur në vitin 2019 pas dosjes së ardhur në Prokurorinë e Përgjithshme nga autoritetet norvegjeze në ngarkim të Daniele Çelës.

“Rezulton se Gjykata e Apelit Agder, më datë 05.05.2018 ka vendosur dënimin e shtetasit D.Ç., me 13 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale ‘Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike’.

Sipas vendimit penal nr.17-05354 MED-KISA/29 datë 10.10.2017 të Gjykatës së Shkallës së Parë Kristiansand, Norvergji, rezulton se është vendosur: për shtetasin D.Ç., dënimi me 13 vjet burgim për veprat penale ‘Trafikim të paligjshëm të drogës si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal’, ‘Falsifikim dokumenti’, ‘Vjedhje energjie elektrike’ dhe ‘Qëndrimi në mënyrë të paligjshme në një shtet të huaj më shumë se tre muaj’ parashikuar nga Kodi Penal norvegjez si dhe dënimi me konfiskim të dy objekteve që janë përdorur në lidhje me shitjen e lëndëve narkotike, konfiskimin e pajisjeve të komunikimit, dhe konfiskimin e aseteve në shumen prej 500.000 NOK”, thuhet në njoftim.

“Gjithashtu, dhe për vëllain e tij A.Ç., është vendosur dënimi me 12 vjet burgim për veprat penale ‘Trafikim të paligjshëm të drogës si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal’, ‘Vjedhje energjie elektrike’ dhe ‘Qëndrimi në mënyrë të paligjshme në një shtet të huaj më shumë se tre muaj’, sipas Kodit Penal të Norvegjisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në vijim të veprimeve hetimore, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ka kërkuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan vendosjen e masës së sekuestros preventive mbi pasuritë e shtetasit D.Ç., dhe personave të lidhur me të, të evidentuara gjatë hetimeve si pasuri të pajustifikuara dhe të dyshuara si të vendosura mbi burime kriminale.

PASURITË E VËNA NËN SEKUESTRO:
Një Apartament me numër pasurie ……, me sipërfaqe 59 m2 apartamenti dhe 80 m2 veranda, ndodhur ne pallatin nr…shk… kati… ap.11 në lagjen “Visarion Xhuvani” Elbasan.

Një Garazh me numër pasurie …, me sipërfaqe 14,6 m2, e ndodhur në pallatin nr…në lagjen “Visarion Xhuvani” Elbasan.

Një Njësi me numër pasurie … me sipërfaqe 94,5 m2 e ndodhur në pallatin nr… në lagjen “Visarion Xhuvani”, Elbasan.

Banesa 2 kate me sipërfaqe të përgjithshme 264 m2, ndodhur në lagjen Çezmë–Peqin për të cilën është aplikuar nga shtetasja A.Ç. me formular vetëdeklarimi datë 13.01.2015.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Sekuestron telefonat e dy punonjësve të prokurimeve

BKH fut në skaner zyrtarët e Bashkinë së Elbasanit

Në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë

Arrestohet 40-vjeçari nga Peqini

Tentoi të vriste një person me armë zjarri

Arrestohet Adriatik Çeka në Elbasan