MENU
klinika

Afati dhe hapat për plotësimin e formularëve

Shansi i fundit për aplikim në universitet

03.10.2022 - 15:49

Maturantët e rinj apo të vjetër që për arsye nga më të ndryshmet nuk i janë bashkuar do garës në universitete kanë mundësinë e fundit për ta bërë.

Ministria e Arsimit ka vendosur të rihapë portalin e Maturës për të disatën herë radhazi, e besohet se kjo do jetë e fundit për këtë vit akademik. Qendra e Shërbimeve Arsimore ka bërë thirrjen, duke bashkëngjitur vendimin e MAS për ata që duan t’i bashkohen garës për në universitete vitin e ri akademik 2022-2023.

AFATI

Çdo vit, pas plotësimit të formularëve A1/A1Z nisin kërkesat nga maturantë apo ish-maturantë që në një moment të caktuar vendosin të kandidojnë për të zënë një vend në universitet. E vetmja mundësi që të përfitojnë nga kjo është afati i ri, mesjavën e ardhshme duke aplikuar me Formularin A1/A1Z. “Urdhërojmë miratimin e periudhës së aplikimeve me formularët A1/A1Z për MSH 2022 në periudhën 5 deri më 6 tetor, ora 08:00 – 16:00”, citohet në urdhrin e firmosur nga drejtoresha e Qendrës së shërbimeve Arsimore. Formulari i parë, A1, plotësohet nga maturantët që mbyllën shkollën këtë vit, ndërsa i dyti nga të vjetrit. Ky aplikim është vetëm për kandidatët që kanë përfunduar të gjitha detyrimet e Maturës Shtetërore dhe plotësojnë formularin vetëm për aplikim në institucionet e arsimit të lartë.

FORMULARËT

Formularin A1 duhet ta plotësojnë të gjithë maturantët që kanë mbyllur studimet e shkollës së mesme përgjatë vitit 2022. Aplikimi do të bëhet online në portalin e Maturës, dhe në çdo rast maturanti do të ndihmohet nga një mësues mbikëqyrës për të shmangur gabimet në plotësimin e tij. Nga lista zyrtare e lëndëve të miratuara, maturanti ka të drejtë që të zgjedhë vetëm një lëndë për ta dhënë si provim me zgjedhje gjatë sezonit të vjeshtës, nëse nuk ka hyrë në testimet e zhvilluara përgjatë muajit qershor. Për shkollat profesionale bëhet e ditur se teoria profesionale është e zbërthyer sipas indeksit të shkollave.

Maturantët e shkollave profesionale lëndën me zgjedhje duhet ta përzgjedhin detyrimisht nga lista e përcaktuar për këtë profil shkollash. Ndërsa formularin A1Z duhet ta plotësojnë të gjithë kandidatët që kanë kryer studimet e shkollës së mesme gjatë viteve të shkuara, dhe që kanë detyrim për të dhënë një, ose disa provime të maturës.

Po ashtu, mund ta plotësojnë kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit, të cilët pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës të QSHA-së rezulton se kanë detyrimin për të dhënë një, ose disa provime të Maturës, si dhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri ose jashtë vendit që nuk kanë detyrim për të dhënë provime të maturës 2022, por që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike, apo private përgjatë vitit të ri akademik. Edhe në këtë rast, plotësimi i këtij formulari do të ndiqet nga një mësues mbikëqyrës. Këta maturantë do të bëhen pjesë e maturës duke mbartur rezultatet e provimeve të dhëna në vitet përkatëse, si për lëndët e detyruara, ashtu edhe lëndën me zgjedhje.

Degët inxhinierike në krye të preferencave, Mësuesia në hije

Nuk janë më degët e mjekësisë më të preferuarat në radhët e maturantëve, as Ekonomiku apo Drejtësia, por degët inxhinierike. Këtë e ka pohuar drejtori i Rrjetit akademik shqiptar, Arjan Xhelaj në përfundim të raundit të parë të regjistrimeve. E dyta si preferencë është dega e Mjekësisë, e më pas Ekonomia. “Janë 15 degë që i kanë ezauruar komplet kuotat që në raundin e parë.

Mjekësia këtë vit pati dhe 100 kuota shtesë dhe e ezauruan sërish brenda 5 ditëve të para. Ecuri shumë të mirë pati stomatologjia dhe farmacia. Ecuri shumë të mirë ka pasur edhe tek inxhinieria e ndërtimit dhe tek arkitektura”. Krejt ndryshe nga ç’pritej, në degët e shpallura me interes kombëtar, siç janë disa në universitetin Bujqësor apo degë të mësuesisë nuk ka pasur kurrfarë interesi në rritje. Shifrat treguan deri tani të kundërtën. Janë dekanët e fakulteteve që flasin për shifra minimale regjistrimesh në degë si Kimia e Biologjia që rrezikojnë edhe hapjen e studimeve. Përkundrazi. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, trendi i regjistrimeve në këto degë për raundin e parë ka pësuar zbritje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Emigracioni “boshatis” shkollat në Shqipëri

Nxënësit në arsimin parauniversitar, 37% rënie